Prokurorja Natasha Prifti pas seancës në KPK.
Artikull kryesor Lajme Lajme

KPA shkarkon nga detyra prokuroren Natasha Prifti

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA shpalli të hënën vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Lushnjës, Natasha Prifti (Shallapi). Kryesuesja e trupit gjykues te KPA, Rezarta Schuetz sqaroi se, ndryshe nga sa ka vkerësuar Komisioni u Pavarur i Kualifikimit, KPK, prokurorja Prifti nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë.

Natasha Prifti (Shallapi) u konfirmua në detyrë nga KPK më 28 maj 2021, pasi mungesat financiare dhe deklarimet e pasakta në kriterin e pasurisë nuk u konsideruan penalizuese. Komisioni u shpreh se e konfirmoi duke aplikuar parimin e proporcionalitetit lidhur me pamjaftueshmërinë financiare.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM vlerësoi se vendimi për konfirmimin në detyrë të Priftit ka mangësi serioze logjike në pjesën arsyetuese dhe i kërkoi institucionit të Komisionerëve Publikë që ta ankimonin atë. Objekti i rekomandimit lidhet me rezultatet e dala nga hetimi administrativ në raport me përfundimet e arritura nga Komisioni për kursimet cash në vlerën 4 milionë lekë të deklaruara nga bashkëshorti i subjektit, ku u bazua dhe ankimi.

Si ish-komisioneri Darjel Sina, ashtu dhe zëvendësuesja e tij, komisinerja Irena Nino kërkuan shkarkimin e prokurores Prifti për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm lidhur me gjendjen cash të bashkëshortit te saj, si dhe përdorimin e kësaj vlere për krijimin pasurive gjatë martesës.

Gjatë konkluzioneve përfundimtare më 27 qershor, Prifti nëpërmjet avokatit të saj Julian Mërtiri, e cilësoi të pabazuar këtë pretendim duke argumentuar se pasaktësitë në deklarimet e gjendjes cash ishin korrigjuar gjatë deklarimeve të mëparshme në ILDKPKI dhe bazuar në parimet e objektivitetit dhe proporcionalitetit, i konsideroi gjetjet të pamjaftueshme për të sjellë pasojë.

Kryesuesja e Kolegjit, Rezarta Schuetz u shpreh të hënën gjatë shpalljes së vendimit se pasi u dëgjuan konkluzionet e palëve, është arritur në përfundimin se deklarimet kontradiktore për likujditetet cash të bashkëshortit të subjektit dhe për përdorimin e tyre, vendosin Priftin në kushtet e deklarimit të paskatë e të pamjftueshëm. Sipas Schuetz, për rrjedhojë rezulton pamundësi e verifikimit të burimit të pasurive të krijuara gjatë martesës për të cilat është deklaruar se ka shërbyer gjendja cash.

KPA, konkludon se vlera e balancës negative të konstatuar nuk mund të lejojë zbatimin e parimit të proporcionalitetetit. “Për rrjedhojë ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm dhe nuk ka arritur nivel të besueshëm për pasurinë”, deklaroi Schuetz dhe shpjegoi se vendimarrja për ndryshimin e vendimit të KPK dhe shkarkimit të Priftit është marrë me shumicë votash.

Natasha Prifti (Shallapi) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Fier u emërua prokurore në Prokurorinë e Gjirokastrës. Prej vitit 2012 deri bë shkarkimin nga detyra, ajo e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Rrethit Lushnjë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *