Prokurori i Tiranës Hysni Mulaj | Foto: BIRN/Edmond Hoxhaj
KPK Lajme Veting

Hysni Mulaj jep shpjegime për burimet e një apartamenti dhe përdorimin e një automjeti

Prokurori Hysni Mulaj i Prokurorisë së Tiranës u përball të premten më 25 mars me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha shpjegime për burimet e një apartamenti dhe për një autoveturë të kunatit që e ka përdorur për vite me radhë. Një raport negativ i DSIK u konsiderua pa lidhje me pastërtinë e figurës, ndërsa Mulaj dha qëndrimin e tij edhe për disa konstatime për profesionalizmin.

Procesi i vetingut për prokurorin Mulaj po kryhet nga trupa e kryesuar nga Brunilda Bekteshi, me realtore Suela Zhegun dhe anëtare Firdes Shulin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Hysni Mulaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1997. Ai ka punuar fillimisht në Prokurorinë e Bulqizës dhe prej vitit 2007 e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.

Konstatimet për pasurinë

Gjatë seancës dëgjimore, u relatua më së shumti për një apartament me sipërfaqe 101.4 m2 në Tiranë, që prokurori Mulaj e ka porositur në vitin 2004 kundrejt shumëns 39 mijë e 546 euro. Si burim krijimi të kësaj pasurie në deklaratën veting subjekti ka shënuar një hua në shumën 4 milionë lekë të marrë nga babai në vitin 2004 dhe 500 mijë lekë të dhuruara po nga i ati në 2005-ën.

Relatorja Zhegu sqaroi se subjekti kishte deklaruar si burim të huasë dhe vlerës së dhuruar të ardhurat nga paga e tij; aktiviteti privat i të atit; të ardhurat e vëllezërve në emigrim; të ardhurat familjare nga bujqësia e blegtoria, si dhe ato nga shitja e bimëve medicinale.

Sipas Komisionit, nga analiza paraprake ka rezultuar se familja e prokurorit Mulaj nuk ka pasur burime financiare të mjaftueshme për të dhënë dy shumat e sipërcituara në vitet 2004 dhe 2005.

Prokurori Mulaj deklaroi në fillim të shpjegimeve të tij se ishte pjesërisht dakort me gjetjen e Komisionit. Ai këmbënguli se babai kishte ushtruar një aktivitet privat nga kishte gjeneruar të ardhura të konsiderueshme, pasi ishte i vetmi që e ofronte atë shërbim në zonën ku jetonin. Megjithëse subjekti pranoi se biznesi i të atit nuk kishte qenë i regjistruar, ai deklaroi se kishte dorëzuar dokumentacion të mjaftueshëm që vërtetonte se aktiviteti kishte egzistuar dhe se ishin paguar rregullisht detyrimet në pushtetin vendor. Duke e cilësuar të atin si taksapagues të rregullt ai kërkoi që të konsiderohet të paktën niveli minimal i të ardhurave nga ky aktivitet.

Mulaj kërkoi që të konsideroheshin edhe të ardhurat nga bujqësia, blegtoria dhe shitja e bimëve medicinale. Sipas subjektit, prodhimet bujqësore dhe familjare kishin ndikuar dhe në uljen e kostove të jetesës, pasi pjesa më e madhe sigurohej prej ekonomisë familjare. Ai e konsideroi të padrejtë faktin se Komisioni kishte konsideruar si shpenzime jetese 66% të të ardhurave dhe kërkoi që ky koficent të ulej.

I pyetur nga Komisioni, ai shpjegoi se të ardhurat nga paga e tij i kishte dorëzuar pranë familjes së origjinës prej vitit 1997 deri në 2007-ën kur kishte lidhur martesë. Ai shtoi se dhe kur ishte transferuar në Bulqizë dhe më vonë në Tiranë, ishte ndihmuar nga familja e origjinës me prodhime bujqësore e blegtorale dhe se gjatë gjithë kohës edhe ai kishte kontribuar financiarisht për ata.

Mulaj kërkoi që në analizën financiare për burimet e huasë dhe të dhurimit të konsideroheshin dhe të ardhurat e vëllait në emigrim, që sipas tij kishte punuar gjatë gjithë kohës në mënyrë të rregullt.

Në seancë u evidentua pamundësi dhe për një gjendje cash në shumën 500 mijë lekë të deklaruar nga bashkëshortja e subjektit në vitin 2007, me burim të ardhurat e saj dhe të familjes së origjinës përpara martesës. Zhegu tha se nga hetimi ka rezultuar se familja e bashkëshortes nuk ka pasur mundësi për krijimin e kursimeve cash.

Prokurori Mulaj deklaroi se familja e bashkëshortes kishte të ardhura të mjaftueshme nga biznesi familjar në Maqellarë. Ai sqaroi se kishte siguruar një vendim gjykate të vitit 1998 për regjistrimin e biznesit, ndërsa shtoi se institucionet e pushtetit vendor kishin transferuar dokumentacionin për aktivitetet private dhe për shkak se nuk i kishin inventarizuar, kishte qenë e pamundur që të gjente gjithë dokumentet.

Megjithëse Zhegu vijoi me gjetjet për pastërtinë e figurës dhe për profesionalizmin, në fund të relatimit kryesuesja Bekteshi i kujtoi se nuk kishte pasqyruar një prej konstatimeve, që kishte të bënte me një automjet në përdorim të prokurorit Mulaj.

Relatorja Zhegu sqaroi se subjekti ka pasur në përdorim një automjet të blerë nga vëllai i bashkëshortes për çmimin 6000 euro. Sipas relatores, kunati ka autorizuar përdorimin e mjetit për një vit nga prokurori Mulaj. Ky i fundit ka shpjeguar për trupën e KPK-së se e kishte përdorur makinën nga viti 2012 e në vazhdim.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se mjeti është reklamuar për shitje në faqe online ku gjendet si numër kontakti ai i zotëruar nga Mulaj.

“Duket se subjekti i rivlerësimit është sjellë si pronar i automjetit dhe nuk ka provuar mundësinë e kunatit për blerjen e kësaj pasurie”, pohoi Zhegu.

Prokurori Mulaj e kundërshtoi këtë konstatim. Ai theksoi se familjarët e bashkëshortes kishin pasur të ardhura të mjaftueshme nga biznesi që zotëronin prej vitesh. “Tej çdo dyshimi konfirmohet se familja e kunatit ka pasur mundësi për blerjen e automjetit”, pohoi Mulaj.

I pyetur nga Zhegu lidhur me vendosjen e numrit të tij si kontakt në lajmërimin e shitjes, Mulaj shpjegoi se e kishte vendosur kunati dhe se vetë ai nuk kishte qenë në dijeni. “Numrin tim të punës nuk do ta vendosja kurr. Është veprim për shkak të moshës që ka kunati. Unë dhe bashkëshortja e kemi përdorur automjetin, por makina është blerë prej tij”, deklaroi Mulaj dhe kërkoi që të mos llogaritet si gjetje ky konstatim.

Figura dhe profesionalizmi

Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK ka depozituar fillimisht raport pozitiv për pastërtinë e figurës së prokurorit Hysni Mulaj. Në vijim ka ndryshuar qëndrim duke dorëzuar një raport të dytë në të cilin e ka konsideruar subjektin të papërshtatshëm. Zhegu deklaroi se informacionet e DSIK-së ishin verifikuar dhe rezultonin se nuk kishin të bënin me pastërtinë e figurës.

Për profesionalizmin u evidentuan gjetje për disa çështje të hetuara nga subjekti dhe për një prej dy denoncimeve të depozituara në KPK nga publiku.

Në një rast vendimi i mosfillimit të procedimit ka rezultuar se është marrë nga subjekti jashtë afatit. Mulaj shpjegoi në seancë se tejkalimi kishte ardhur pasi ishin kryer disa verifikime para vendimit të mosfillimit. Sipas subjektit, në atë periudhë ishin pushimet dimërore dhe për këtë arsye kishte pasur vonesë në kryerjen e verifikimeve. Ai deklaroi se tejkalimi afatit nuk kishte sjellë pasoja në vendimarrje.

Zhegu evidentoi dy çështje ku sipas saj të pandehurve nuk u ishte komunikuar kërkesa për gjykim. Mulaj e kundërshtoi edhe këtë gjetje duke shpjeguar se të pandehurve u ishin komunikuar akuzat, ndërsa kërkesa për gjykim u ishte dërguar me postë në institucionet e paraburgimit ku ata ndodheshin.

Relatorja evidentoi dhe një prej denoncimeve të kyer nga shtetasja E.M., e cila ka pretenduar se subjekti me të padrejtë ka pushuar një çështje të bazuar në kallëzimin e saj ndaj ish bashkëshortit gjyqtar, A.M., për vjedhjen e një makine.

Mulaj shpjegoi se mjeti ishte fituar gjatë martesës mes palës kallëzuese dhe të kallëzuarit. Sipas subjektit, kshte një proces civil për ndarjen e pasurisë dhe nuk egzistonte vepra penale. Ai deklaroi se vendimin e pushimit ia kishte dërguar kallëzueses me postë në adresën e shënuar prej saj, por shkresa ishte kthyer me motivin se adresa nuk kishte qenë e saktë.

Prokurori Mulaj deklaroi se arsyetimet e vendimeve të tij kishin qenë gjithmonë të bazuara në ligj e në prova dhe se nuk kishin cënuar asnjëherë dhënien e drejtësisë.

Në përfundim, prokurori Hysni Mulaj i konsideroi gjetjet e Komisionit si probleme formale dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 1 prill, në orën 08:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *