Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi konfirmimin në detyrë të prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme Thoma Jano.

Zv. Prokurori i Përgjithshëm, Thoma Jano u konfirmua të hënën nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, pasi iu nënshtrua procesit të vetingut në tre kritere. Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit për Janon drejtohej nga Brunilda Bekteshi, me relator Olsi Komici dhe anëtar Lulzim Hamitaj. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Klijstra.
Gjatë seancës dëgjimore Janos iu vunë në dukje disa pasaktësi në deklarimin e pasurisë dhe dy balanca të vogla negative lidhur me pasurinë familjare të prokurorit si dhe të familjes së vajzës së tij, të ndarë nga trungu familjar në vitin 2008. Jano dha shpjegime për pasaktësitë, ndërsa nuk iu gjetën probleme në dy kriteret e tjera.
Thoma Jano ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai ka punuar fillimisht si hetues dhe në fund të viteve ’90 ka drejtuar Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2002, Jano u emërua zv.ministër i Rendit Publik, detyrë të cilën e ushtroi për dy vjet. Prej vitit 2004, ai ka punuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe në dhjetor 2019 u zgjodh në postin e zv.Prokurorit të Përgjithshëm nga kreu i këtij institucioni, Olsian Çela.