Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të martën më 10 shkurt me parashtrimet dhe konkluzionet në çështjen e vetingut të ish-gjyqtares së shkarkuar nga KLGJ, pas dënimit të saj me vendim të formës së prerë për korrupsion. Margjeka nuk ishte e pranishme në seancë, ndërkohë që Kolegji konstatoi se ajo nuk kishte paraqitur asnjë justifikim të ligjshëm për mungesën e saj. Margjeka kishte dorëzuar së fundmi kërkesë për përjashtimin e trupit gjykues, por pasi kërkesa u kalua për shqyrtim, u vendos vijimi i procesit.
Prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqëson në këtë çështje drejtuesin e SPAK, Klodian Braho, parashtroi se ankimi është ngritur pasi Komisioni e ka marrë vendimin pa konstatuar më parë nëse Këshilli i Lartë Gjyqësor apo Inspektori i Lartë i Drejtësisë kishin kryer procedim disiplinor ndaj Margjekës për shkak të dënimit penal ndaj saj, si dhe nëse kishte ndonjë vendimmarrje shkarkimi.
Ai vërejti se për vlerësimin e Margjekës në këtë rast, kanë pasur kompetencë, si institucioni i juridiksionit të jashtëzakonshëm, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ashtu dhe ai i juridiksionit të zakonshëm, Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Xholi konstatoi, se në rast të dënimeve penale me formë të prerë të magjistratëve, janë këshillat që sipas legjislacionit përkatës veprojnë duke vendosur shkarkimin e tyre.
Sipas Xholit, nëse KLGJ nuk do të kishte vepruar, atëherë Komisioni duhej të vijonte me procesin dhe të ndërmerrte vendim për shkarkimin e subjektit. Në rast të kundërt, sipas tij, duhej që vetingu Margjekës të përmbyllej pa një vendim përfundimtar.
Margjeka u shkarkua prej Komisionit më 26 shkurt të vitit 2024, ndërkohë që ndaj saj kishte filluar në janar procedimi disiplinor në KLGJ, me kërkesë të ILD-së.
KLGJ vendosi ta shkarkojë Margjekën më 9 prill të vitit 2024, vendimmarrje që u ankimua prej subjektit në Kolegj.
Xholi solli në vëmendje edhe vendimmarrjen e KPA-së të hënën më 9 shkurt, për mospranimin e ankimit të Margjekës, kundër vendimit të KLGJ-së për shkarkimin e saj.
Ai kërkoi që nga Kolegji të administrohet si provë vendimi i KLGJ-së për shkarkimin e Margjekës, ai i KPA-së për mospranimin e ankimit të saj dhe të vendoset në përfundim mbyllja e procesit të rivlerësimit ndaj këtij subjekti rivlerësimi, pa vendim përfundimtar.
Kolegji vendosi të administrojë si provë këto dy vendime dhe u tërhoq për të marrë vendim, që njoftoi se do e shpallë më datë 26 shkurt, në orën 15:00.
Mimoza Margjeka, e cila në kohën kur u ndalua, në shtator të vitit 2020, ishte e komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, u dënua se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec. Tre të pandehurit e tjerë në këtë proces, Nejton Bali, Klaudio Zhilla dhe avokati Skënder Demiraj, u arrestuan pasi u dyshuan se i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh.
Pesë të pandehurit u deklaruan fajtorë për korrupsion në dhjetor të vitit 2022. Mimoza Margjeka u dënua me 4 vjet e 6 muaj burgim, por u urdhërua pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për pjesën e mbetur pa vuajtur, si dhe u caktua në provë për 3 vjet. Po ashtu, i’u hoq e drejta për të ushtruar funksione publike për një afat kohor 5-vjeçar. Edhe të pandehurit e tjerë u deklaruan fajtorë.




