Seanca e gjyqtares Ermira Dedja në KPK | Foto : Edmodn Hoxhaj
KPK

Ermira Dedja jep shpjegime për burimet e një apartamenti

Gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Shkodër, Ermira Dedja u përball të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për burimet që kishin shërbyer për blerjen e një apartamenti, si dhe për disa çështje të gjykuara prej saj. Dedja u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Procesi i vetingut për gjyqtaren Dedja po kryhet nga trupa e KPK-së e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Roland Ilian. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Ermira Dedja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej gati tre dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Shkodër.

Burimet e apartamentit

Për kriterin e pasurisë u relatua më së shumti për një apartament me sipërfaqe 104 m2 të blerë në shkodër në vitin 2010, me vlerë 4 milionë e 680 mijë lekë. Relatorja Çiftja evidentoi se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën veting dhe ato periodike burimet financiare që kanë shërbyer për shlyerjen e dy kësteve të para, si dhe nuk ka deklaruar detyrimin e mbetur.

Konkretisht, në vitin 2009 nuk ka deklaruar burimin e krijimit të shumës 2.1 milionë lekë që ka shërbyer për pagesën e këstit të parë, si dhe detyrimin e mbetur në vlerën 2.5 milionë lekë. E njëjta situatë është paraqitur dhe në vitin 2010 kur Dedja nuk ka deklaruar burimin financiar që ka shërbyer për pagesën e këstit të dytë në shumën 2 milionë lekë, si dhe nuk ka pasqyruar detyrimin e mbetur 500 mijë lekë.

Ky detyrim ndaj shoqërisë ndërtuese nuk është deklaruar as për periudhën 2011-2013. Ndërsa në vitin 2008 nuk është deklaruar e drejta e reale e përdorimit të këtij apartamenti.

Dedja u paraqit në seancë së bashku me avokaten Romina Zano, megjithatë ajo i paraqiti vetë kundërshtimet e gjetjeve të Komisionit. Ajo theksoi se në apartamentin në fjalë kishin filluar të jetonin në mar të vitit 2009 dhe për këtë arsye nuk zotëronte të drejta reale për këtë pasuri në 2008-ën.

Ajo pranoi se investitori  kishte lidhur në vitin 2008 kontratën e energjisë të emër të bashkëshortit të ndjerë, por sipas subjektit, nga dokumentet rezultonte e qartë se nuk kishte pasur konsumim të energjisë elektrike. “Kjo situatë provon qartë, se në atë banesë nuk ka banuar askush”, deklaroi Dedja.

Për mosdeklarimin e burimeve financiare që kanë shërbyer për pagesat e dy kësteve të para, Dedja u mbrojt duke ju referuar mënyrës së kuptimit të ligjit. Ajo këmbënguli se duke deklaruar periodikisht të ardhurat e siguruara prej bashkëshortit nga aktiviteti i tij privat për periudhën 2008-2011, kishte ezauruar dhe burimin e pagimit të kësteve të apartamentit. “Kam përmbushur nën këtë mënyrë deklarimin e burimit me të ardhurat e fituara në mënyrë të ligjshme dhe të verifikueshme”, theksoi Dedja në seancë.

Ajo argumentoi se nuk kishte përse mos ti deklaronte këto të ardhura si burim krjimi përsa kohë që kanë qenë tërësisht të ligjshme, pasi janë krijuar nga aktiviteti profesional i bashkëshortit dhe janë paguar të gjitha detyrimet tatimore kundrejt shtetit.

Lidhur me mosdeklarimin e detyrimeve të mbetura, Dedja pretendoi se kishte konsideruar se me deklarimin e pagimit të dy kësteve, diferenca e pashlyer automatikisht ishte detyrimi i mbetur.

Dedja dha shpjegime dhe për konstatimin e KPK se çmimi i referencës për këtë apartament ishte më i lartë se ai i blerjes. Ajo solli në vëmendje se ishte dokumentuar se bashkëshorti ishte arkitekt i projektit të pallatit ku gjendet apartamenti tyre dhe për këtë kontribut profesional ishte dakordësuar për një çmim preferencial për apartamentin.

Subjekti shtoi se çmimi për metër katror për apartamentin që ajo zotëron ka qenë 45 mijë lekë për m2, që sipas saj është i përafërt me atë të tregut të lirë në Shkodër për vitin 2008 në vlerën 49 mijë lekë për m2.

Megjithëse Dedja nuk ka dokumentuar pagesën e këstit të parë në vitin 2009, Komisioni e ka kryer analizën financiare bazuar në deklarimet e subjektit, duke konsideruar shlyerjen e shumës 2.1 milionë lekë në këtë vit dhe të këstit të dytë 2 milionë lekë në 2010-ën.

KPK ka hetuar mbi të ardhurat e bashkëshortit të subjektit, nga ka rezultuar se ai ka krijuar 4.1 milionë lekë në vitin 2008, 3.4 milionë lekë në 2009-ën dhe1.3 milion lekë në vitin 2010. Për shkak të mosdeklarimit të likujditeve cash në vitet para kryerjes së pagesës së dy kësteve, trupi gjykues ka konsideruar në analizën financiare vetëm të ardhurat e siguruara në vitin përkatës, deri në momentin e kryerjes së pagesës.

Për rrjedhojë, të ardhurat e bashkëshortit për vitin 2008 nuk janë konsideruar si burim për pagesën e këstit të parë në mars të vitit 2009, prej nga ka rezultuar balancë negative në shumën rreth 1.5 milionë lekë. E njëjta metodologji është ndjekur dhe për analizën e burimeve për këstin e dytë në mars të vitit 2010 në vlerën 2 milionë lekë, duke rezultuar pamundësi financiare në shumën 1.7 milionë lekë.

Dedja vërejti se bashkëshorti i ndjerë kishte përfituar nga aktiviteti i tij privat të ardhura në shumën totale rreth 8.7 milionë lekë. Ajo sqaroi se në fund të vitit deklarues ajo nuk i dispononte këto të ardhura në shtëpi në gjendje cash, pasi gjendeshin në arkën e aktivitetit të bashkëshortit.

Ajo këmbënguli se për këstin e parë është përdorur fitimi neto i vitit 2008 dhe jo ai i tre muajve të parë të 2009-ës. Të njëjtin argument Dedja dha edhe për pagesën e këstit të dytë dhe theksoi se kishte pasur burime të ligjshme të mjaftueshme për pagesën e të dy kësteve të partamentit.

Dedja dha shpjegime dhe për një balancë negative në shumën 674 mijë lekë për blerjen e një makine në mars të vitit 2007 për çmimin 250 mijë lekë. Ajo sqaroi se kishin disponuar atëherë një depozitë, por bashkëshorti për të mos humbur interesat kishte marrë një hua nga vëllai i saj që jeton dhe punon në Itali.

Subjekti pretendoi se pasi ishte maturuar depozita, ishte tërhequr dhe ishte shlyer huaja brenda vitit. Dedja tha se kishte siguruar dokumentacion provues për mundësinë financiare të vëllait të saj për dhënien e huasë.

Ajo kërkoi që në analizën financiare të ulen shpenzimet e udhëtimeve në Mal të Zi, që sipas saj kanë qenë disa orëshe, si dhe për udhëtimet e bashkëshortit për arsye të punës, kur ka qenë i pajtuar nga subjekte të tjerë për shkak të profesionit të tij si arkitekt.

Për profesionalizmin Çiftja evidentoi dy vendime të gjyqtares Dedja lidhur me kërkesën e një prej 6 denoncimeve nga publiku, për përjashtimin e një gjyqtari nga çështja ku denoncuesi kishte qenë palë. Sipas KPK, denoncuesi në të dy kërkesat për përjashtimin e gjyqtares që gjykonte çështjen ku ishte palë kishte ngritur të njëjtat pretendime, por subjekti kishte mbajtur qëndrime të ndryshme, ku në një rast e kishte pranuar kurse në tjetrin e kishte rrëzuar kërkesën.

Gjyqtarja Dedja këmbënguli se rrethanat për secilën prej këtyre rasteve janë të ndryshme në përmbajtjen e tyre. “Dy çështjet kanë objekt tërësisht të ndryshëm dhe në proces janë administruar prova të ndryshme”, pohoi Dedja. Ajo kundërshtoi edhe disa konstatime për tejkalim të afateve të njoftimit të vendimit.

Në fund të seancës gjyqtarja Ermira Dedja dorëzoi një sërë dokumentesh si prova të reja dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 12 janar, ora 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *