Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

Fshehja e dhuratave nga baxhanaku ‘dogji’ kreun e Apelit të Krimeve të Rënda

Prokurori Artan Bajrami u shkarkua nga detyra pas një karriere 35 vjeçare me argumentin e deklarimit të rremë dhe të pasaktë të burimeve për blerjen e një apartamenti në Tiranë si dhe mosdeklarimin e dhurimeve prej 2.2 milionë lekësh në total nga baxhanaku i tij biznesmen.  

Artan Bajrami, drejtues i Prokurorisë së Apelit të Krimeve të Rënda u shkarkua nga detyra më 14 shkurt 2019. Foto: LSA

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, Artan Bajrami u shkarkua nga detyra pas një karriere 35 vjeçare me argumentin se ka kryer deklarim të rremë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë së tij. Vendimi i zbardhur i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit tregon gjithashtu se prokurori Bajrami dështoi të deklaronte paratë e dhuruara ndër vite nga baxhanaku i tij, biznesmeni Llazar Angjeli në vlerën totale të 16 600 eurove.

Bajrami iu nënshtrua procesit të vetingut për të tre kriteret e rivlerësimit. Por ndërsa Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Prokuroria e Përgjithshme dorëzuan raporte pozitive për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin e prokurorit Artan Bajrami, hetimet mbi kriterin e pasurisë vulosën edhe shkarkimin e tij nga detyra.

Artan Bajrami e ka nisur karrierën e tij si hetues në vitin 1983. Ai është bërë prokuror në mesin e viteve ’90 dhe përgjatë viteve 1996-2003 ka punuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Ai është emëruar prokuror i Apelit të Krimeve të Rënda prej vitit 2004, detyrë të cilën e ushtroi deri në vendimin e datës 14 shkurt 2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Procesi i rivlerësimit për Bajramin u krye nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshi.

Komisioni hetoi mbi pasuritë e deklaruara prej subjektit në deklaratën “veting”; një apartament 111 m2 në Tiranë i blerë në vitin 2000, një apartament i dytë në një kompleks turistik në Durrës i blerë në vitin 2006 si dhe një apartament 92 m2 në emër të vajzës, i blerë në Tiranë në vlerën e 9.8 milionë lekëve. Pjesë e verifikimeve u bënë gjithashtu një sipërfaqe toke në Gramsh, një automjet BMW X5 në pronësinë e një kompanie sigurimesh, por i përdorur prej tij dhe të birit si dhe të ardhurat dhe kursimet e siguruara përgjatë viteve.

Megjithatë, hetimi i apartamentit të parë të blerë në vitin 2000 në Tiranë e vendosi  prokurorin Bajrami në dritën e deklarimit të rremë; një kriter kyç në vendimin për shkarkimin e tij.

Në deklaratën “veting”, Bajrami raportonte se apartamenti kushtoi 6.3 milionë lekë dhe se për blerjen e tij kishin shërbyer një kredi bankare prej 5 milionë lekësh si dhe 4 mijë dollarë të kursyera nga shitja e shtëpisë në Gramsh. Por hetimet e Komisionit zbuluan se apartamenti ishte blerë fillimisht nga djali i baxhanakut të prokurorit dhe më pas i ishte transferuar këtij të fundit në këmbim të kredisë prej 5 milionë lekësh.

Bajrami paraqiti para Komisionit deklaratën noteriale të Llazar Angjelit, i cili pranonte kontributin prej 1.5 milionë lekësh për apartamentin si dhe e cilësoi “lajthitje të tij” deklarimin se si burim kishte shërbyer 4 mijë dollarëshi i shtëpisë së Gramshit. Por Komisioni arriti në përfundimin se mosdeklarimi i dhurimit të 1.5 milionë lekëve në vitin 2003 dhe në deklaratën “veting” e vendoste subjektin në kushtet e deklarimit të rremë.

“Subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të rremë në deklaratën “Vetting” mbi burimin e krijimit, për pagesën e këstit prej 1.5 milionë lekë në blerjen e apartamentit në Tiranë…,” argumenton Komisioni në vendimin e zbardhur.

Vlera e mësipërme nuk është dhurata e vetme nga baxhanaku, e padeklaruar prej prokurorit Artan Bajrami. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se Angjeli kishte dhuruar gjithsej 2.2 milionë lekë ose 16 600 euro për studimet e djalit apo shërbimet mjekësore jashtë vendit, të cilat nuk rezultojnë gjithashtu të deklaruara.

Komisioni ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mospagesën e një kësti prej 10 mijë eurosh për shtëpinë e blerë në Durrës si dhe dyshime për pasuri të fshehur të makinës BMW X5 të përdorur nga Bajrami dhe djali i tij.  Si indicie për dyshimet, Komisioni paraqiti policat e sigurimit të makinës, ku Bajrami rezultonte herë si përdorues dhe herë si pronar.

Drejtuesi i Apelit të Krimeve të Rënda i kundërshtoi dyshimet e KPK-së, duke pretenduar se kishte marrëveshje me ndërtuesin e apartamentit në Durrës, që këstin e fundit t’ia paguante pasi të merrte certifikatën e pronësisë. Ai mohoi gjithashtu të ishte pronar i makinës BMW të regjistruar në emër të kompanisë së sigurimeve të djalit të baxhanakut të tij.

“Për të hequr çdo dyshim që ky mjet nuk ka qenë i imi, dua t’ju bëj me dije se për shkak të funksionit pa ndërprerje kam pasur në dispozicion automjet dhe shofer. Gjithashtu për sa është pasqyruar në deklaratat e pasurisë, djali im A. nga viti 2016 është pronari një automjeti veturë për përdorim vetjak dhe të nevojave të familjes,” deklaroi Bajrami.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nuk arriti të vërtetonte dyshimet për makinën. Megjithatë, konkluzionet e nxjerra për apartamentin 111 m2 të blerë në vitin 2000 në Tiranë u konsideruan të mjaftueshme për shkarkimin nga detyra të Artan Bajramit.

“Subjekti i rivlerësimit ka kryer deklarim të rremë…Subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar me vërtetësi burimin e ligjshëm të pasurisë për apartamentin në Tiranë…Deklarimet e subjektit të rivlerësimit janë të pasakta, jo në përputhje me ligjin,” përfundon vendimi i KPK-së për shkarkimin e Artan Bajramit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *