Gjyqtari Emiljano Ruli pas seancës dëgjimore me KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Lajme Veting

Gjyqtari Emiljano Ruli përballet me probleme të pasurisë

Gjyqtari Emiljano Ruli i Gjykatës Administrative të Tiranës u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për barrën e provës që i kishte kaluar për mungesë burimesh në kriterin e pasurisë si dhe për gjendjen e konfliktit të interesit.

Ruli pretendoi në seancë se kishte arritur të provonte të kundërtën e hetimit paraprak dhe kërkoi çeljen e hetimit për dy kriteret e tjera – atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmin.

Emiljano Ruli përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2006 dhe u emërua gjyqtar në Gjykatën e Shkodrës. Prej vitit 2013, Ruli e ushtron funksionin në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë.

Procesi i rivlerësimit për Rulin po kryhet nga trupa e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Gerrit Sprenger.

Mungesë burimesh

Komisioni konstatoi pamundësi të gjyqtarit Emiljano Ruli dhe të bashkëshortes së tij për blerjen e një apartamenti 2+1 me sipërfaqe 119 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2009 për çmimin 9 milionë lekë.

Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat nga pagat e bashkëshortes në shumën 800 mijë lekë, kursimet e tij në vlerën 700 mijë lekë dhe dy hua, njëra në vlerën 3 milionë lekë e marrë nga babai i tij dhe tjetra 4 milionë lekë nga shtetasi A.Z.

Relatorja Pine vërejti se në kontratën e porosisë është shënuar se kësti i parë në vlerën rreth 8.6 milionë lekë është shlyer para nënshkrimit të kësaj kontrate, ndërkohë që ka rezultuar se shumat e deklaruara prej subjektit si të kursyera prej tij dhe bashkëshortes janë tërhequr nga banka, pasi është nënshkruar kontrata e porosisë. Për rrjedhojë, këto shuma nuk janë përfshirë në analizën financiare.

Sipas KPK, dy huadhënësit kanë rezultuar gjithashtu në pamundësi financiare. Shtetasi A.Z., megjithëse rezulton si ortak në një shoqëri, është gjetur në pamundësi pasi nga hetimi paraprak ka rezultuar se shoqëria në fjalë nuk ka shpërndar divident.

Pine deklaroi se subjekti nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor edhe të ardhurat e babait nga emigracioni gjatë periudhës 1991-1996; nga ushtrimi aktivitetit të tij si marangoz në Libohovë prej vitit 1996 e në vijim, si dhe nga bujqësia.

KPK nuk i ka përfshirë edhe dy huatë në analizën financiare dhe për rrjedhojë ka rezultuar balancë negative në shumën 8.2 milionë lekë për pagesën e këstit të parë.

Për detyrimin e mbetur ka rezultuar se subjekti ka pasur mundësi financiare.

Ruli e kundërshtoi barrën e provës për balancat negative në blerjen e apartamentit në 2009-ën. Ai shpjegoi se babai nuk kishte qenë i regjistruar në Greqi dhe për këtë arsye nuk mund të disponoheshin dokumente për të ardhurat e tij.

Në vijim ai deklaroi se i ati kishte ushtruar profesionin e marangozit edhe para viteve ’90 dhe se me të ardhurat e siguruara në emigracion deri në 96-ën, kishte mundësuar hapjen e aktivitetit në Libohovë. Ruli theksoi se nga përgjigja e Bashkisë Libohovë pasqyrohej se aktiviteti ishte regjistruar si biznes i vogël prej të atit nga viti 2001.

Për ushtrimin e këtij aktiviteti gjatë periudhës 1996-2001, ai sqaroi se kishte depozituar si provë dokumentacion të Inspektoriatit të Higjenës së vitit 1997 për lejen higjeno-sanitare. Subjekti shtoi se kishte dorëzuar edhe lejen e bashkisë për ndërtimin e zdrukthtarisë në vitin 1996.

Ruli deklaroi se xhiroja vjetore e babait nga ky aktivitet ishte në vlerën 2 milionë lekë dhe kërkoi që të konsiderohet si e ardhur neto për çdo vit shuma 1 milion lekë. Po ashtu, Ruli pretendoi se të ardhurat nga bujqësia ishin në shumën 500 mijë lekë në vit, duke e bazuar këtë pretendim në një përgjigje të Bashkisë Libohovë.

Si argument për të vërtetuar mundësinë financiare të prindërve për të dhënë huanë, subjekti paraqiti edhe faktin se ata kishin marrë një kredi në vitin 2005, për shlyerjen e kësteve të së cilës ai deklaroi se kërkoheshin të ardhura të paktën në vlerën 30% të të ardhurave mujore.

Ruli pretendoi se të ardhurat totale të prindërve prej vitit 1996 deri në dhënien e huasë kanë qenë rreth 19.5 milionë lekë.

Ai deklaroi se kishte dorëzuar dokumentacion që vërteton se shoqëria ku huadhënësi tjetër A.Z. është ortak, rezulton të ketë shpërndarë divident në vitin 2008 dhe në 2009-ën, që sipas tij e tejkalon disa herë shumën 4 milionë lekë të dhëna hua. Ruli solli në vëmendje se pas ndarjes së dividentit nga ana e shoqërisë, huadhënësi A.Z. kishte tërhequr vlerën 42 mijë euro dhe i kishte dhënë shumën 4 milionë lekë.

Në vijim, subjekti pretendoi se jo e gjithë vlera e këstit të parë ishte shlyer para nënshkrimit të kontratës së porosisë ashtu si ishte përcaktuar. Sipas tij, ky përcaktim ishte kryer me dakordësi me palën shitëse dhe me qëllim që të mos nënshkruhej një kontratë e dytë. Bazuar në këto pretendime, Ruli deklaroi se shumat e tërhequra në fund të vitit 2009 kishin shërbyer për pagesën e këstit të parë.

Lidhur me detyrimin e mbetur të përfshirë prej Komisionit në analizën e vitit 2009, subjekti vërejti se në kontratën e porosisë ishte parashikuar që ajo vlerë të paguhej në momentin e dorëzimit të apartamentit. Ruli deklaroi se kontratat e furnizimit me ujë dhe energji elektrike ishin lidhur në vitin 2010 dhe këmbënguli se duhej që pagesa e shumës së mbetur të përfshihej në analizën e vitit 2010, kur edhe ishte kryer dorëzimi i banesës.

Në përfundim, gjyqtari Ruli deklaroi se kishte deklaruar gjithmonë të njëjtat burime për blerjen e apartamentit dhe duke sjellë në vëmendje jurisprudencën e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit theksoi se kishte arritur të provonte burimet e ligjshme të kësaj pasurie.

KPK konstaton pamundësi financiare edhe për blerjen e një automjeti tip “Benz” në vitin 2015 kundrejt shumës 1.5 milion lekë. Si burim krijimi, Ruli ka deklaruar të ardhurat nga shitja e një Benz-i tjetër në vitin 2015 kundrejt shumës 900 mijë lekë, të blerë në 2011-ën për çmimin 7000 euro. Pine deklaroi se prej hetimit ka rezultuar se pala shitëse kishte shpenzuar 13 mijë euro për blerjen e kësaj makine dhe zhdoganimin, tre muaj para se t’ia shiste subjektit.

“Komisioni nuk bindet për vlerat e shitjes dhe të blerjes së mjeteve,” deklaroi Pine dhe shtoi se nuk u arrit të provohet burimi i ligjshëm për blerjen e automjetit në vitin 2015.

Ruli deklaroi se automjetin tip “Benz” të blerë në vitin 2011 e kishte përfituar me çmim më të ulët nga sa e kishte blerë pala shitëse, pasi nga testimi i kilometrazhit kishte rezultuar se kishte kryer 2.5 herë më shumë kilometra nga sa pasqyrohej.

Lidhur me automjetin tip “Volkswagen” Ruli deklaroi se e kishte blerë me defekte që i kishte përmirësuar duke shpenzuar rreth 3000 mijë euro. Ai pretendoi se shpenzimet e kryera për këtë automjet provoheshin me deklarimet e kunatit të tij dhe të pronarit të servisit.

Në përfundim, ai kërkoi që në analizën financiare përfundimtare të zbatohet dhe parimi i proporcionalitetit dhe këmbënguli se rezulton me balancë pozitive.

Konflikti i interesit

Komisioni konstatoi se gjyqtari Ruli është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin dhe vendimarrjen e tre padive të një shoqërie ndërtuese, me të cilën bashkëshortja ka nënshkruar kontratë sipërmarrje në cilësinë e njërit prej bashkëpronarëve të sipërfaqeve të konsiderueshme pyje e tokë në Gjirin e Lalëzit, ku janë ndërtuar komplekse turistike.

Nga sa u relatua në seancë, bashkëshortja e subjektit dhe vëllai i saj kanë trashëguar prej të atit të ndjerë pjesën e tij takuese nga trashëgimia e nënës së tij, e cila ka përfituar sipërfaqe të konsiderueshme në bregdetin e Durrësit nga Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave, ku janë ndërtuar komplekse turistike.

Nga një prej shoqërive ndërtuese, bashkëshortja e subjektit ka përfituar edhe një apartament në Tiranë, duke u dakordësuar që t’i zbritet nga pjesa e saj takuese nga ndërtimet në një prej komplekseve turistike.

Nga hetimi ka rezultuar se gjyqtari Ruli ka shqyrtuar tre çështje në vitin 2017 ku palë ka qenë kjo shoqëri ndërtuese. Sipas relatores, subjekti ka dorëzuar kërkesë për dorëheqje nga këto çështje, duke sqaruar se bashkëshortja ka qenë në cilësinë e porositëses tek kjo shoqëri dhe se ka fituar prona, por kryetari i gjykatës nuk i kishte pranuar ato.

Sipas relatores, subjekti duhej të kishte evidentuar në kërkesën për dorëheqje vijimësinë e konfliktit të interesit, pasi marrëdhënia e interesit mes bashkëshortes dhe kësaj shoqërie kishte vijuar edhe në vitet 2017 dhe 2020.

Gjyqtari Ruli deklaroi se marrëdhënia e interesit të bashkëshortes me shoqërinë ndërtuese kishte përfunduar. Ai pretendoi se nuk kishte qenë në dijeni të nënshkrimit të një kontrate tjetër nga bashkëshortja rreth tre muaj para se të shqyrtonte çështjet. Sipas Rulit, kjo kontratë e kishte humbur efektin, pasi leja nuk ishte marrë dot brenda vitit.  “Nuk mund të parashikoja në vitin 2017 se çfarë do të ndodhte në 2020-ën,” tha ai.

Ai këmbënguli se bashkëshortja e tij nuk kishte përfituar asnjë centimetër katror më shumë nga pjesa e saj takuese. Për të provuar këtë pretendim, Ruli sqaroi se kishte depozituar dokumentacion që vërtetonin se bashkëshortja ka fituar sa vëllai i saj dhe se pjesa e tyre që përfaqëson atë të babait të tyre, është e njëjtë me të xhaxhallarëve dhe të hallave.

“Unë si gjyqtar pas rrëzimit të kërkesës për dorëheqje, nuk kam pasur asnjë mundësi për të mos i gjykuar çështjet,” tha Ruli dhe shtoi se asnjë nga palët nuk ka shprehur kundërshti për gjykimin nga ana e tij. Subjekti kërkoi që t’i hiqej edhe kjo barrë prove.

Në përfundim, Ruli kërkoi që të çelet hetimi edhe për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin, si dhe konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të zhvillohet më 13 maj, në orën 09:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *