KPK shtyn seancën për prokuroren e dorëhequr Esmeralda Ndoci

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi të enjten shtyrjen e seancës dëgjimore ndaj prokurores Esmeralda Ndoci.  Kryesuesja e trupës Pamela Qirko tha në fillim të seancës se Ndoci kishte dhënë dorëheqjen dhe seanca dëgjimore zhvillohej për të verifikuar këtë qëndrim të prokurores. Kjo e fundit siç tha Qirko nuk ishte e pranishme, por kishte zgjedhur një mbrojtëse për të përfaqësuar. Qirko tha se të enjten KPK ishte njohur me faktin se mbrojtësja nuk mund të ishte në seancë, pasi ishte e angazhuar në një proces tjetër në një tjetër gjykate.

Kryesuesja e trupës që kishte anëtar edhe Xhensila Pinen dhe Brunilda Bekteshin, tha se Komisioni do i njoftonte palët për seancën e radhës dhe se nuk do të toleronte pas kësaj zvarritje të procesit.

Esmeralda Ndoci përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2016 dhe u emërua në Prokurorinë e Rrethit të Shkodrës. Siç doli në seancë ajo kishte dhënë dorëheqjen.

Dorëheqja e Ndocit ishte pranuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë në mars të këtij viti dhe sipas atij vendimi ishte në fuqi që prej datës 30 prill. Seanca dëgjimore për subjektet e dorëhequra bëhet për të verifikuar vullnetin e largimit nga detyra, për shkak të një numri rastesh kur personat e larguar janë ankuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, kundër vendimit të KPK që sanksionon edhe përjashtimin nga sistemi për 15 vjet.