Ish-prokurori Petrit Bica dhe avokati i tij, pas seancës në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

Prokurori në pension, Petrit Bica kërkon ndryshimin e vendimit të KPK

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të enjten më 12 maj parashtrimet dhe konkluzionet përfundimtare lidhur me ankimin e ish-prokurorit të Tiranës, Petrit Bica kundër vendimit të Komisionit që ndëpreu vetingun për këtë subjekt rivlerësimi dhe i hoqi të drejtën për t’u rikthyer në sistemin e drejtësisë për shkak të dorëheqjes së tij.

Në vendimin e arsyetuar të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit sqarohet se Bica kishte plotësuar formularët e tre kritereve të vetingut, por më 1 dhjetor 2021 kishte bërë kërkesë për të dalë në pension të parakohshëm.

Sipas KPK, nisur nga fakti se subjekti nuk e kishte mbushur moshën e pensionit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP e ka konsideruar si dorëheqje dhe ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit.

Njësoj edhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konsideroi dorëheqje kërkesën e tij për pension të parakohshëm si dhe vendosi ndërprerjen e procesit të rivlerësimit.

Gjatë seancës të enjten, Bica u paraqit me avokatin Klodian Skënderaj, i cili paraqiti prashtrimet dhe kërkimet përfundimtare.

Skënderaj konstatoi se vendimi i KPK-së për prokurorin Bica ka probleme në përmbajtje dhe në dispozitë. Ai deklaroi se vendimi për të përfaqësuarin e tij është një “copy paste” i një vendimi të KPK-së për një subjekt tjetër rivlerësimi.

Avokati Skënderaj vërejti se, ndryshe nga sa thuhet në vendimin e Komisionit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka pranuar kërkesën e Bicës për dalje në pension të parakohshëm dhe ka deklaruar mbarimin e statusit të magjistratit.

“Nuk e dimë kujt i referohet KPK në pikën 7 të vendimit ku thuhet se është deklaruar mbarimi i statusit të magjistratit për shkak të dorëheqjes. A e kanë lexuar anëtarët e trupës së Komisionit vendimin e KLP-së për prokurorin Petrit Bica? Ku është gjetur fraza ‘mbarimi i statusit të magjistratit për shkak të dorëheqjes’?”, pohoi Skënderaj dhe e cilësoi vendimin e KPK të pavërtetë e të pabazuar në ligj dhe në prova.

Për të mbështetur kërkesën për dalje në pension të parakohshëm të paraqitur në KLP, avokati Skënderaj solli në vëmendje të Kolegjit se Bica e kishte ushtruar funksionin e prokurorit për 31 vite, nga 30 vite që sipas tij kërkon ligji për të mundësuar kryerjen e një kërkese të tillë. Po ashtu, ai sqaroi se i përfaqësuari prej tij ka probleme shqndetësore pasi vuan nga tensioni, sëmundje të zemrës dhe diabeti.

Skënderaj pohoi se tashmë prokurori Bica plotëson edhe një prej kritereve për daljen në pension të parakohshëm, pasi ka mbushur moshën 64 vjeç.

“Në rasti konkret, prokurori Petrit Bica ka dalë në pension të parakohshëm që është legjitim, pasi ka dalë në pension sipas kushtetutës dhe për shkaqe objektive e ligjore”, theksoi Skënderaj dhe solli në vëmendje jurispudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Ai kërkoi që Kolegji të ndryshojë vendimin e KPK-dhe të deklarojë ndëprerjen e procedurës pa një vendim përfundimtar, pasi procedura është bërë e pamundur. Gjithashtu, u kërkua që të ndryshohej edhe pjesa arsyetuese bazuar në provat e dorëzuara.

Kolegji vendosi të administrojë si provë akte të dorëzuara nga Bica, konkretisht një vendim për një subjekt tjetër rivlerësimi nga u pretendua se ishte kopjuar pjesa arsyetuese, vendimin për vetë subjektin dhe një memo drejtuar prej tij KLP-së për dalje në pension të parakohshëm.

Në fund të seancës, Bica u pyet nga vëzhguesi ndrkombëtar, Steven Kessler se përse kërkonte të hiqej sanksioni 15-vjeçar që e ndalon të rikthehet në detyrë, ndërkohë që është sëmurë dhe ka kërkuar daljen në pension.

“Pse je këtu?” e pyetu Kessler. Bica deklaroi se vendimi i KPK-së e kishte skandalizuar lidhur me arsyetimin dhe referencën ligjore. Ai theksoi se KLP e kishte pranuar kërkesën e tij për pension të parakohshëm dhe se procesi duhet ndërprerë pa një vendim përfundimtar.

Pasi KPA mbylli hetimin gjyqësor, avokati Skënderaj u qëndroi të njëjtave kërkime edhe në konkluzionet përfundimtare. Kolegji u tërhoq per vendimarrje që u njoftua se do të shpallet më 16 maj, në orën 13:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *