Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Kalaja përballë KPK-së. Foto: Malton Dibra/LSA
KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Kalaja kalon vetingun

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin Kalaja, pavarësisht dyshimeve të ngritura për “trajtim preferencial” të bashkëshortes dhe babait të tij.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Artur Kalaja përballë KPK-së. Foto: Malton Dibra/LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë gjyqtarin e Gjykatës së Apelit të Tiranës, Artur Kalaja, ndonëse në seancën dëgjimore u ngritën dyshime për “trajtim preferencial” në dy raste.

Vendimi u shpall të premten nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Pamela Qirko, me relatore Alma Faskaj dhe anëtare Firdes Shuli.

Artur Kalaja e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000. Ai ka punuar si gjyqtar i Gjykatës së Elbasanit, ndërsa në vitin 2006 është emëruar anëtar i Gjykatës së Apelit të Tiranës, detyrë të cilën vazhdon ta kryejë edhe pas 13 vitesh.

Gjyqtari Kalaja u hetua fillimisht vetëm për kriterin e pasurisë, por pas një kërkese të tij trupa gjykuese vendosi të hapte hetimet edhe për figurën dhe profesionalizmin. Një kërkesë e Kalasë për përjashtimin e relatores ishte rrëzuar gjatë procesit administrativ si e pabazuar.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar më 6 nëntor, KPK  ngriti dyshime për trajtim preferencial të bashkëshortes së gjyqtarit, e cila kishte përfituar tre prona të patundshme mbi një truall të trashëguar nga familja.

KPK ngriti dyshime edhe për “trajtim preferencial” të babait të gjyqtarit Kalaja gjatë një procesi gjyqësor për përfitimin e vlerës 24 milionë lekë nga Agjencia e Kthimit dhe Kompesimit të Pronave në vitin 2015. Në këtë rast, gjyqtari ka deklaruar në ILDKPKI se kishte përfaqësuar babanë e tij me prokurë, por nuk zotëronte asnjë pjesë nga paratë e përfituara.

Sipas relatores, gjyqtari i Apelit të Tiranës nuk kishte arritur të dokumentonte pagesën e detyrimeve tatimore për vlerën 6.2 milionë lekë të përfituara nga shitja e një apartamenti si dhe u evidentuan disa pasaktësi dhe mosdeklarime ndër vite.

Por Kalaja i kundërshtoi gjetjet e KPK-së, ndërsa deklaroi se kishte burime të ligjshme për pasurinë e tij.

“Mendoj se i mbuloj të gjitha shpenzimet dhe rezulton që çdo vit kam pasur tepricë,” tha ai gjatë seancës dëgjimore.  “S’kam pasuri të paluajtshme, kam vetëm dy mjete. Kam dy fëmijë në shkollë publike,” tha Kalaja, duke  kërkuar konfirmimin në detyrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *