Gjyqtari i Gjykatës së Tropojës, Erjon Çela gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

Gjyqtari i Gjykatës së Tropojës, Erjon Çela përballet me vetingun

Gjyqtari Erjon Çela u përball me diferenca të vogla financiare në seancën dëgjimore të KPK-së, ndërkohë që pretendoi se shpjegimet dhe provat që kishte dorëzuar e ndryshonin analizën financiare.

Gjyqtari i Gjykatës së Tropojës, Erjon Çela gjatë seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj

Gjyqtari i Gjykatës së Tropojës, Erjon Çela u përball të mërkurën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u identifikuan gjetjet për të tri kriteret e rivlerësimit. Trupi gjykues i KPK që po kryen procesin e vetingut për Çelën përbëhet nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Valbona Sanxhaktari anëtare. Në cilësinë e vëzhugesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.

Erjon Çela ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Pogradecit, ai ka punuar si gjyqtar dhe zv.kryetar i Gjykatës së Tropojës. Aktualisht, Çela ka aplikuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor për t’u promovuar si gjyqtar i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Për një apartament me sipërfaqe 90.21 m2 të blerë në Yzberisht të Tiranës në vitin 2015 për vlerën 59 mijë e 862 euro, Çela ka deklaruar si burim krijimi një kredi në shumën 48 mijë euro dhe një hua me afat 10 vjeçar dhe pa interes nga halla e tij në vlerën 11 mijë e 885 euro, të marrë po atë vit.

Komici tha se Komisioni nuk ka gjetur probleme në praktikën e marrjes dhe përdorimit të kredisë si edhe për huanë e marrë prej subjektit nga halla. Sipas KPK, vlera e huasë është transferuar në llogarinë e gjyqtarit Çela dhe se e afërmja e tij kishte rezultuar se kishte pasur burime të mjaftueshme financiare për kursimin e shumës 11 mijë e 885 euro.

Komisioni evidenton pamundësi të Çelës për krijimin e një gjendje cash në shumën 80 mijë lekë në 2016, si dhe një diferencë negative prej 141 mijë lekësh në të njëjtin vit. Komici pohoi se Çela ka shpjeguar para Komisionit se në vitin 2015 kishte marrë edhe një hua në vlerën 420 mijë lekë, pa afat e pa interes, që ka shërbyer për apartamentin në Yzberisht.

Nga verifikimi i Komisionit ka rezultuar se vlera e huasë është depozituar në llogarinë bankare të Çelës, i cili ka shpjeguar gjatë hetimit administrativ se e ka shlyer në vitin 2019, po me transaksion bankar.

KPK ka hetuar mbi mundësinë e huadhënësit E.B. për kursimin e shumës 420 mijë lekë, i cili ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga puna e tij si noter. Komici tha se nga hetimi kishte rezultuar se huadhënësi dhe nëna e tij kishin marrë një kredi në vitin 2013 dhe se nuk kishte logjikë ekonomike që të jepte hua në atë periudhë.

Relatori Komici shtoi se gjyqtari Çela kishte shpjeguar se kjo hua kishte shërbyer kryesisht për pagesën e dokumentacionit të apartamentit dhe një pjesë për shlyrje të kësteve të kredisë. Nga analiza financiare, KPK ka konstatuar pamundësi financiare të huadhënësit për kursimin e vlerës 420 mijë lekë në vitin 2015.

Çela i kërkoi Komisionit që të rikryente analizën financiare të huadhënësit E.B., duke përfshirë edhe të ardhura të tjera të familjarëve të tij.

“Mendoj se në rastin konkret kemi periudha të ndryshme mes marrjes së kredisë nga huadhënësi dhe dhënies së huasë. E.B. e ka marrë kredinë së bashku me nënën e tij në 2013, ndërsa huaja është dhënë rreth dy vite më pas. Kjo tregon se familja ka gjeneruar të ardhura. Komisioni ka administruar vetëm të ardhurat e huadhënësit E.B. nga puna si noter,” tha ai, duke kërkuar marrjen në konsideratë të të ardhurave të familjarëve të tjerë të huadhënësit.

“Ai ka punuar si noter edhe gjatë tre muajve të parë të vitit 2015 dhe ka siguruar të ardhura. Gjithashtu, E.B. ka sjellë edhe një kontratë qiraje për një dyqan për periudhën 2013-2014 kur ka fituar në total 1.4 milionë lekë”, pohoi Çela.

Komisioni evidentoi se gjyqtari Çela kishte shitur në vitin 2017 një autoveturë tip “Peugeot” në vlerën 150 mijë lekë, të cilën e kishte blerë në janar të 2015-ës për 500 euro. Komici shpjegoi se subjekti ka pasur burime financiare të ligjshme për blerjen e këtij automjeti, por, sipas relatorit, duket se nuk ka paguar tatimin mbi fitimin e vlerës 81 mijë lekë të përfituar nga shitja e autoveturës.

Komici vijoi se Çela kishte shpjeguar se në çmimin e shitjes së mjetit prej tij ishin përfshirë edhe shpenzimet për dokumentet dhe për mirëmbajtjen e për pasojë nuk kishte patur fitim.

Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari Çela tha se nuk qëndronte konkluzioni i Komisionit se shpenzimet e mirëmbajtjes nuk e rrisnin vlerën e mjetit.

“Sqaroj se shuma 80 mijë lekë që është diferenca, janë shpenzime që janë kryer rregullime dhe për pajisjen e mjetit me dokumente shqiptare, pasi i kishte të huaja. Kur u shit, mjeti ishte funksional edhe për gjëra që nuk ishin të tilla kur i bleva,” pohoi ai.

Në seancë u evidentua edhe mospasqyrimi në deklaratën periodike të një kredie në shumën 520 mijë lekë të marrë në vitin 2013.  Nga analiza financiare ka rezultuar se gjyqtari Erjon Çela dhe bashkëshortja e tij nuk kanë patur mundësi financiare për kryerjen e shpenzimeve në vlerën totale -482 mijë lekë.

Çela e kundërshtoi analizën financiare të Komisionit. Ai tha se nuk qëndronin të dyja balancat negative të konstatuara për vitet 2015 dhe 2016.

Për vitin 2016, gjyqtari Çela pretendoi se KPK i kishte përllogaritur gabim shpenzimet e jetesës, e për pasojë kishte konstatuar balancën negative në shumën -141 mijë lekë.

“Janë përllogaritur 129 mijë lekë më shumë dhe duhen zbritur. Duhen zbritur shpenzimet e konsideruara për mobilim, për konsumim alkooli dhe duhani, pasi të gjitha së bashku përbëjnë 15% të shpenzimeve të përllogaritura. Në vitin 2016 nuk kam kryer mobilim dhe as nuk kam paguar qira, pasi jetoja tek apartamenti im. Unë dhe bashkëshortja nuk konsumojmë duhan dhe alkool,” deklaroi Çela duke kërkuar ndryshimin e analizës financiare.

Çela u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa në seancë u evidentuan disa gjetje për profesionalizmin.

Komici tha se nga grupi i punës në KLD ishin evidentuar gabime në normën ligjore në dy çështje. Sipas relatorit, ish-KLD ka konstatuar aftësi të mira në arsyetimin e çështjeve, në aspektin organizativ dhe në etikë.

Në 5 dosjet e shortuara u evidentua mosrespektim i afatit 10 ditor për caktimin e datës se seancës në një rast dhe se në dy raste, subjekti duhej të kishte orientuar palët në bazën e duhur ligjore. Ndërkohë, KPK nuk ka gjetur probleme në tre denoncimet e kryera nga publiku.

Relatori Komici tha se Çela kishte dorëzuar shpjegime dhe prova për këto gjetje që do të vlerësohen gjatë vendimarrjes përfundimtare.

Në fjalën e tij, Çela i kundërshtoi gjetjet e Komisionit për profesionalizimin. Ai tha se nëse do të kishte vepruar ashtu si pretendon grupi i punës së ish-KLD, duke orientuar palët për normën ligjore, atëherë do të kishte bërë gabim. Çela shpjegoi se dokumentet për shqyrtimin e dy çështjeve në fjalë ekzistonin.

“Gjykata nuk mund të ndryshojë bazën juridike të padisë. Grupi i punës ka arritur në konkluzione pa iu referuar dokumenteve në dosje,” pohoi Çela dhe shpjegoi se në të dy rastet që kishin të bënin me padi për vjetërsi në punë, ishin dorëzuar dokumentet përkatëse nga institucionet.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtari Erjon Çela vlerësoi hetimin administrativ të kryer prej Komisionit dhe kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK njoftoi se do të shpallë vendimin më datë 2 tetor, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *