Avokati Sokol Hazizaj, përfaqësues i gjyqtares Dhurata Balla në KPK. Foto: Edmond Hoxha.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja e Tiranës, Dhurata Balla u dorëhoq pas barrës së provës

Në vendimin e arsyetuar të KPK thuhet se gjyqtarja e Tiranës, Dhurata Balla u dorëhoq pasi iu kërkuan shpjegime lidhur me gjetjet e hetimit administrativ. Komisoni ka vendosur të ndëpresë procesin e rivlerësimit për Ballën dhe t’i ndalojë asaj rikthimin në sistemin e drejtësisë për 15 vite.

Avokati Sokol Hazizaj, përfaqësues i gjyqtares Dhurata Balla në KPK. Foto: Edmond Hoxha.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të enjten më 17 qershor që të ndërpresë procesin e rivlerësimit për gjyqtaren e Tiranës, Dhurata Balla, si dhe t’i ndalojë asaj emërimin në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme. Ky vendim i Komisionit ka ardhur për shkak të dorëheqjes së Ballës nga statusi i magjistratit.

Më 14 prill, KPK e thirri Ballën në seancë dëgjimore, por ajo nuk u paraqit. Përfaqësuesi i saj ligjor, avokati Sokol Hazizaj deklaroi në seancë se familjarët e gjyqtares Balla e kishin informuar se ajo ishte pajisur me raport shëndetësor, pasi bëhej fjalë për një sëmundje të rëndë. Ai kërkoi shtyrjen e seancës, që u pranua nga Komisioni. Kryesuesja e trupit gjykues, Valbona Sanxhaktari sqaroi në seancë se nga përshkrimi i raportit shëndetësor dukej se subjekti vuante nga gjendrat tiroide.

Dhurata Balla e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2000 dhe ka punuar deri në vitin 2013 si gjyqtare në Gjykatën e Krujës. Prej vitit 2013, ajo e ushtroi funksionin në Gjykatën e Tiranës.

Në vendimin e arsyetuar të KPK sqarohet se procesi i rivlerësimit për gjyqtaren Balla ka nisur në dhjetor të vitit 2020. Sipas KPK, pasi Ballës i është kaluar barra e provës për gjetjet e rezultuara nga hetimi administrativ, para se ajo të dërgonte shpjegimet përfundimtare, ka njoftuar mbi kërkesën për dorëhqjen nga statusi i magjistratit që kishte dorëzuar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, KLGJ.

Me vendimin e datës 7 maj 2021, KLGJ ka vendosur deklarimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren Balla, e cila ka sqaruar për Komisionin se nuk kishte kryer ankim, fakt që është konfirmuar edhe nga Gjykatën Administrative e Apelit. Gjithashtu Balla është shprehur se nuk dëshironte të paraqitej në seancë dëgjimore.

Pasi i janë bërë me dije pasojat që rrjedhin për shkak të dorëheqjes nga statusi i magjistratit gjatë procesit të rivlerësimit, Komisioni ka çmuar të përfundojë procedurën administrative pa zhvillimin e seancës dëgjimore.

Trupi gjykues i kryesuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin argumentojnë se, kur subjekti është në detyrë dhe ai jep dorëheqjen, procesi i rivlerësimit ndërpritet. Në zbatim të parashikimeve të nenit G të Aneksit të Kushtetutës, veç ndëprerjes së procesit të vetingut, Komisioni ka vendosur t’i ndalojë Ballës emërimin si gjyqtare ose prokurore të çdo niveli, anëtare e Këshillit të Lartë Gjyqësor ose e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektore e Lartë e Drejtësisë ose Prokurore e Përgjithshme, për një periudhë 15-vjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *