Gjyqtarja Luljeta Kole pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK Veting

Gjyqtarja Luljeta Kole përballet me vetingun

Gjyqtarja Luljeta Kole e Gjykatës së Korçës u përball të enjten më 20 tetor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore ajo dha shpjegime më së shumti për një vendimarrje të rrëzuar nga Apeli dhe për një proces disiplinor të nisur ndaj saj, por të pezulluar nga Inspektoriati deri në përfundimin e shqyrtimit në Gjykatën e Lartë të çështjes së gjykuar nga subjekti. Për pasurinë u evidentuan pasaktësi në deklarime, për të cilat Kole shpjegoi se kanë ardhur si pasojë e mënyrës së kuptimit të formularit të deklarimit.

Hetimi administrativ për gjytaren Kole po kryhet nga trupa e kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Ferdinando Buatier.

Luljeta Kole e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1992 dhe punon prej më shumë se dy dekadash si gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë.

Relatori Komici konstatoi se subjekti dhe bashkëshorti i saj nuk kanë deklaruar gjatë periudhës 2003-2007, pjesën takuese të këtij të fundit në një apartament të përfituar nëpërmjet privatizimit nga familja e tij e origjinës në vitin 1993. Komisioni nuk ka gjetur probleme të tjera për këtë pasuri, ku bashkëshorti i Koles rezulton bashkëpronar me prindërit dhe familjarët e tij, me pjesë takuese 25%.

Subjekti shpjegoi se mosdeklarimi ka ardhur si pasojë e mënyrës hartimit të formularit të deklarimit. Sipas saj, në formular ishte e paqartë nëse duhej të deklaroheshin edhe pasuritë e krijuara nga bashkëshorti para martesës. “Banesa është e njëjtë me atë të përfituar nga familja e bashkëshortit prej privatizimit dhe nuk ka pasur asnjë interes për fshehje,” deklaroi gjyqtarja Kole dhe shtoi se kjo pasaktësi ishte korrigjuar në vitin 2008, kur ishte sqaruar prej ILDKPKI-së.

Nga hetimi administrativ ka rezultuar se subjekti dhe bashkëshorti i saj kanë pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për krijimin e një gjendje cash në shumën 1.2 milionë lekë dhe për blerjen e një autoveture në vitin 2011 për çmimin 300 mijë lekë.

Komici vërejti se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën e vitit 2011 dhe në atë “veting” burimin e krijimit të autoveturës. Kole u shpreh se bëhej fjalë për një harresë dhe solli në vëmendje faktin se vetë Komisioni kishte konstatuar se familja e saj kishte pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Nga analiza financiare e përgjithshme për periudhën 2003-2016, Kole ka rezultuar me balancë pozitive.

Lidhur me pastërtinë e figurës, DSIK ka dorëzuar në Komision raport pozitiv për gjyqtaren Kola. Por, relatori Komici sqaroi se bazuar në një informacion të organeve informuese, është verifikuar një vendimarrje e subjektit të rivlerësimit.

Ai sqaroi se Kola ka dhënë një masë më të lehtë dënimi nga sa ka kërkuar prokuroria për një të pandehur të akuzuar për kundështim me dhunë të forcave të policisë. Prokuroria, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, ka kërkuar dënimin përfundimtar të këtij të pandehuri me 8 muaj burgim, ndërsa Kole ka vendosur ta deklarojë fajtor, por e ka dënuar me gjobë.

Apeli e ka rrëzuar vendimin e subjektit, duke pranuar kërkesën e prokurorisë dhe dënimin e të pandehurit me 8 muaj burgim. Relatori Komici vërejti se në vendimin e Apelit konstatohet se subjekti nuk ka marrë në konsideratë faktin se i pandehuri kishte qenë i dënuar dhe më parë dhe në një rast për mbajtje pa leje të armëve dhe kanosje. Sipas Apelit, masa e dënimit e dhënë nga gjyqtarja Kole, nuk përshtatet me shkallën e fajit të të pandehurit dhe rrezikshmërinë e tij.

Subjekti u shpreh se nuk e dinte se kush e kishte referuar në Komision këtë çështje. Kole theksoi se gjithë shkaqet e ngritura nga Apeli ishin të argumentuara edhe në vendimarrjen e saj. Ajo këmbënguli se i kishte vlerësuar rrethanat e konstatuara nga Apelit, por kishte marrë në konsideratë edhe rrethana të tjera. “Vlerësoj se vendimi im është i drejtë dhe objektiv,” pohoi Kole dhe shtoi se ndaj vendimarrjes së Apelit nuk ishte ushtruar rekurs, pasi ishte bërë ekzkekutimi i menjëhershëm i ndalimit të të pandehurit.

Ajo sqaroi rrethanat e çështjes, duke treguar se i pandehuri kishte parkuar makinën mbi vijat e baradha të këmbësorëve dhe kishte shkuar në farmaci të blinte barna për një familjar të sëmurë. Sipas subjektit, kur i pandehuri është kthyer, ka gjetur të rrethuar makinën nga disa punonjës policie që i kanë kërkuar që mjeti të shoqërohej për në ambjentet e komisariatit. Ai nuk ka pranuar dhe kur është larguar, ka xhiruar gomat ndërkohë që një prej punonjësve të policisë ka tentuar të hyjë në makinë, por është rrëzuar.

Kole deklaroi se nuk rezultonte që punonjësi policisë të ishte tërhequr zvarrë ashtu si pretendohej, por vetëm ishte rrëzuar dhe se i pandehuri nuk e kishte parë që ai po tentonte të hynte në makinë. Ajo pohoi se vepra penale ishte kualifikuar si kundërshtim i punonjësve të policisë me dhunë, duke konsideruar arrogancën dhe largimin me mjet duke xhiruar gomat, si dhunë verbale. Por, Kole vërejti se kishte konsideruar edhe rrethanën se i pandehuri kishte vepruar në situatë të rënduar psikologjike, pasi kishte një familjar të sëmurë.

Subjekti pohoi se më parë i pandehuri ishte dënuar për deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore, pasi ishte shprehur se nuk e njihte një person nga i cili ishte qëlluar me thikë, ndërkohë që autori kishte pohuar se njiheshin dhe kishin pasur konflikt për një femër.

Sipas saj, edhe ngjarja e dytë për veprat penale “kanosje” dhe “mbajtje pa leje e armëve…” kishte të bënte me vijimësinë e konfliktit me të njëjtin person. Kole pohoi se vetë prokuroria kishte konkluduar se i pandehuri e kishte qëlluar me pistoletë tek gomat e makinës vetëm për ta kanosur, pasi nëse do kishte pasur të tjera qëllime mund t’i kishte arritur.

Në hetimin e aspektit profesional, KPK ka evidentuar një rast kur Kole e ka përfunduar gjykimin tej afatit 6-mujor. Lidhur me këtë konstatim, subjekti sqaroi se kishte ardhur si pasojë e lejes në muajin gusht dhe kompleksitetit të çështjes, që kërkonte kryerjen e ekspertimeve.

Ndërkohë, nga verifikimi i burime arkivore është konstatuar se ndaj subjektit ka filluar një proces disiplinor, që është pezulluar nga Inspektoriati i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2017, deri në përfundim të gjykimit në Gjykatën e Lartë të çështjes objekt shqyrtimi.

Lidhur me këtë proces, Kole shpjegoi se bëhej fjalë për të njëjtën ankuese, që kishte kryer në Komision 5 prej 8 denoncimeve të adresuara ndaj saj.

Në përfiundim, gjyqtarja Luljeta Kole falënderoi trupën e KPK duke e konsideruar hetimin administrativ në procesin e saj të rivlerësimit, të plotë, korrekt dhe objektiv. Ajo kërkoi konfirmimin në detyrë.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet të premten, më 21 tetor, në orën 09:45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *