Gjyqtarja Enerjeta Shehaj pas shpalljes së vendimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPK

Gjyqtarja Enerjeta Shehaj konfirmohet në detyrë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të enjten më 20 tetor 2022 vendimin për konfirmimin në detyrë të gjyqtares së Gjykatës Administrative Tiranë, Enerjeta Shehaj. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e Komisionit, e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtar Olsi Komicin.

Gjatë seancës dëgjimore më 18 tetor, Komisioni konstatoi pamundësi te gjyqtares Enerjeta Shehaj për blerjen e një apartamenti, pasi nuk kishte konsideruar në analizën paraprake dy hua. Shehaj u shpreh se me provat që kishte dorëzuar lishte vërtetuar burimet e ligjshme të huadhënësve dhe të apartamentit.

Po ashtu, KPK evidentoi një deklaratë noteriale huadhënie që nuk figuron në regjistrat e Ministrisë së Drejtësisë. Lidhur ke këtë gjetje, subjekti theksoi se nuk kishte lidhje me aktin noterial për huadhënie. Sipas Shehajt, përgjegjësia e saj kishte të bënte me deklarimin rregullisht të deklaratës noteriale të huasë, si në deklaratat periodike, ashtu dhe në atë “veting”.

Shehaj u pyet edhe për një vendimarrje që sipas ONM-së, kishte lejuar ndërtimin e një objekti nëpërmjet dokumenteve false, pasi nuk kishte pezulluar gjykimin deri në përfundimin e procesit penal.

Gjyqtarja Shehaj pranoi se trajtimi i çështjes nga ana e saj kishte qenë teorik. Ajo u justifikua me faktin se edhe aktualisht ka çështje për ndërtime pa leje që trajtohen administrativisht dhe penalisht. Por sipas saj, shqyrtimet vijojnë pasi trajtohen në mënyrë të pavarur.

Enerjeta Shehaj i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2008 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Tiranës, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Kavajës. Prej vitit 2013, Shehaj e ushtron funksionin e gjyqtares pranë Gjykatës Administrative të Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *