Prokurori Sokol Nishani pas seancës dëgjimore në KPK.
Analiza KPK

Argumentet e KPK për konfirmimin në detyrë të prokurorit Sokol Nishani

Prokurori i Durrësit, Sokol Nishani u konfirmua në detyrë më 19 prill 2023 bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, pasi KPK reduktoi bilancet negative bazuar në provat e administruara dhe shpjegimet e subjektit. Sipas vendimit të arsyetuar, KPK ndryshoi gjithashtu një qëndrim të mëparshëm mbi shitjen e automjeteve më shtrenjtë sesa ishin blerë, duke e konsideruar këtë vullnet të lirë mes palëve.

Në arritjen e konkluzionit se Nishani ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, Komisioni ka marrë në konsideratë edhe faktin se ai ka marrë vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Vendimi për konfirmimin e Nishanit u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Xhensila Pinen.

Sokol Nishani e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në fillim të viteve ’90 si oficer i policisë gjyqësore. Ai u emërua prokuror në vitin 2008 dhe prej asaj kohe e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

Komisioni ka konkluduar se prokurori Nishani ka deklaruar saktë një zyrë pune me sipërfaqe 40 m2 në Durrës të blerë në vitin 2013 për 70 mijë euro, si dhe ka pasur burime të ligjshme për krijimin e kësaj pasurie.

Po ashtu, nuk janë gjetur probleme në një apartament të përfituar nga bashkëshortja e subjektit me trashëgimi ligjore, pas vdekjes së të atit.

Nishani ka shënuar në deklaratën “veting” një automjet të llojit “Toyota RAV4, të blerë në vitin 2012 për vlerën 25 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie ka deklaruar të ardhurat nga kursimet familjare dhe paga e punës; si dhe të ardhura nga shitja e disa automjeteve gjatë viteve 2006-2011.

Gjatë hetimit paraprak për këtë pasuri, Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk ka deklaruar burimin e krijimit në vitin 2012, si dhe nuk ka pasqyruar shpenzimet e pretenduara në shumën mbi 300 mijë lekë, si në deklaratën periodike, ashtu dhe në atë “veting”.

KPK konstaton deklarime kontradiktore në lidhje me burimin e krijimit për blerjen e këtij automjeti, pasi në deklaratën “veting” janë shënuar kursime familjare dhe të ardhura nga shitja e mjeteve të tjera gjatë viteve 2006-2011; në procesverbalin e vitit 2016 në ILDKPKI ka pasqyruar si burime 1.4 milionë lekë nga shitja e një automjeti tjetër të llojit “Toyota” në vitin 2012 dhe 1.3 milionë lekë nga tepricat e likujditetit nga pagat e viteve 2010 dhe 2011; në pyetësorin standard, veç të ardhurave nga shitja e makinës në 2012-ën dhe 4200 euro nga pagat, ka shtuar dhe një hua në shumën 10 mijë euro të marrë nga vëllai.

Në vendim thuhet se subjekti nuk e ka pasqyruar në deklaratat periodike dhe në atë “veting” huanë e marrë prej vëllait.

Komisioni ka vlerësuar paraprakisht se ky pretendim duket se ka qenë përpjekje e subjektit të rivlerësimit për të rregulluar situatën financiare me qëllim justifikimin e blerjes së automjetit me të ardhura të ligjshme. Për këtë arsye, huaja nuk është konsideruar në analizën financiare paraprake.

Ndërkohë, shitja e automjetit të mëparshëm është kryer rreth tre muaj pas blerjes së makinës së re në vitin 2012 dhe për rrjedhojë është vlerësuar paraprakisht se vlera 1.4 milionë lekë nuk mund të ketë shërbyer për krijimin e kësaj pasurie në janar të 2012-ës. Prej analizës financiare paraprake për blerjen në vitin 2012 të automjetit tp “Toyota RAV4” ka rezultuar pamundësi financiare në vlerat 24 mijë e 200 euro dhe 701 mijë lekë.

Komisioni ka konstatuar fillimisht se tre automjete që janë blerë për një çmim më të lirë dhe janë shitur më shtrenjtë pas përdorimit të tyre, duket se janë veprime të përsëritura dhe përpjekje të subjektit për të rregulluar situatën financiare me qëllim justifikimin e blerjes së automjetit në vitin 2012.

Pasi i është kaluar barra e provës, prokurori Nishani ka shpjeguar se mosdeklarimi i burimit të blerjes së makinës në vitin 2012 ka qenë një pakujdesi. Pakujdesi ai ka cilësuar edhe mosdeklarimin e shpenzimit në masën 300 mijë lekë.

Për deklarimet kontradiktore në lidhje me burimin e krijimit për blerjen e automjetit në 2012-ën, subjekti ka rikonfirmuar se burimi i të ardhurave financiare kanë qenë huaja e marrë nga vëllai; të ardhurat nga shitja e makinës në 2012-ën; si dhe 1.5 milionë likujditete cash në banesë.

Për mosdeklarimin e huasë, ai ka argumentuar se, meqenëse nuk e kishte përpiluar apo konkretizuar këtë marrdhënie financiare me një dokument shkresor dhe ligjor, nuk mund ta deklaronte dhe dokumentonte në atë periudhë kohore.

Për shitjen më shtrenjtë të automjeteve nga çmimi i blerjes, subjekti ka pretenduar se ka kryer shërbime mjaft të mira dhe cilësore. Ai ka këmbëngulur se shitja më shtrenjtë e mjeteve nuk ka pasur të bëjë me rregullimin e situatës financiare.

Pas dhënies së shpjegimeve përfundimtare, Komisioni i ka cilësuar mosdeklarimet e burimeve të blerjes së mjetit në vitin 2012 si pasaktësi të paqëllishme.

KPK është bindur edhe për huanë e marrë nga i vëllai. “Fakti i ekzistencës së kësaj huaje përforcohet edhe nga veprimi bankar i transferimit të çmimit total prej 24,200 euro të blerjes së automjetit tip ‘Toyota RAV4’ në llogarinë bankare të shoqërisë “***” nga llogaria bankare e vëllait I. N. në datën 18.1.2012, me përshkrimin ‘blerje mjeti për Sokol Nishanin’”, shprehet KPK dhe shton se vëllai i subjektit ka rezultuar me të ardhura të mjaftueshme nga punësimi në Itali.

Trupa e Komisionit vlerëson se subjekti nuk ka pasur asnjë arsye të mos deklaronte huanë si burim për krijimin e kësaj pasurie dhe se kjo situatë nuk nuk mund të konsiderohet e qëllimshme apo si një përpjekje e Nishanit për të rregulluar situatën financiare.

Për shitjen e automjeteve më shtrenjtë nga sa i kishte blerë, në përfundim KPK ka çmuar se ato janë shprehje e vullnetit të lirë të palëve.

“…Për sa kohë nuk u vërtetuan raste të konfliktit të interesit të subjektit me palët pjesëmarrëse në këto kontrata, Komisioni nuk mund të arrijë në përfundime negative që penalizojnë subjektin e rivlerësimit”, citohet në vendim dhe argumentohet se veprimet e shitblerjes së automjeteve janë pasqyruar në deklaratat përkatëse të pasurisë e për rrjedhojë edhe të ardhurat e përfituara prej tyre.

Për të mbështetur këtë konkluzion, Komisioni i referohet dhe një deklarate noteriale të personit që pretendohet se ka kryer punimet për shërbimet e automjeteve.

KPK është bazuar në konkluzionin përfundimtar dhe në një deklaratë tjetër noteriale të vitit 2023 të lëshuar nga blerësi i automjetit, ku ai është shprehur se makinën e subjektit e ka marrë në dorëzim që në fillim të muajit janar të atij viti kur i ka dhënë prokurorit shumën 1.4 milionë lekë, ndërsa kontrata është lidhur tre muaj më vonë, si periudhë kur do të vërtetohej gjendja e mjetit.

Komisioni shprehet në vendim, se në analizimin e burimeve të blerjes së makinës në vitin 2012, ka mbajtur në konsideratë balancën e shëndoshë pozitive financiare të subjektit dhe të bashkëshortes së tij në tre vitet e mëparshme.

“Komisioni, i udhëhequr nga parimi i objektivitetit dhe proporcionalitetit, në përputhje me standardet e vendosura nga jurisprudenca e deritanishme e Kolegjit, duke marrë në konsideratë në një vlerësim tërësor të gjitha argumentet e mësipërme, vlerëson se subjekti i rivlerësimit ka argumentuar mjaftueshëm burimet financiare të përdorura për blerjen e automjetit tip ‘Toyota RAV4’ në të gjitha elementet e tyre duke justifikuar në një vlerë të konsiderueshme çmimin e blerjes së këtij automjeti”, konkludon KPK dhe një pamundësi financiare që ka mbetur e vlerëson me peshë “jo aq përcaktuese” sa të sjellë penalizim.

Sipas KPK, Nishani ka dhënë mjaftueshëm argumenta në raport me faktet dhe e rrethanat e rezultuara nga hetimi administrativ dhe se ato nuk mund të përbëjnë shkak për penalizim.

Bashkëshortja e subjektit ka deklaruar të ardhura të konsiderueshme nga aktiviteti i saj si notere. Për periudhën mars – dhjetor 2013 ka deklaruar të ardhura neto në masën 7,8 milionë lekë; për vitin 2014 rreth 4.7 milionë lekë; në 2015-ën vlerën 8.7 milionë lekë dhe për vitin 2016 shumën 7.3 milionë lekë.

KPK ka konstatuar se bashkëshortja e prokurorit Nishani nuk ka pasqyruar saktë në deklaratën “veting” dhe në ato vjetore të ardhurat nga aktiviteti privat i noterisë. Subjekti i ka pranuar këto pasaktësi, por ka sqaruar se kjo ka ndodhur për shkak të gabimeve dhe mosnjohja e saktë e të dhënave financiare që duheshin dërguar.

Megjithëse në përfundim është konkluduar se këto pasaktësi mbeten, ato nuk janë konsideruar me pasojë, nisur dhe nga fakti se dokumentacioni i depozituar nga subjekti është i njëjtë me atë të vënë në dispozicion nga institucionet shtetërore.

Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar bilanc negativ në shumën 97 mijë lekë për periudhën përpara fillimit të detyrës, ndërsa për vitet 2008-2016 kur Nishani ka ushtruar funksionin e prokurorit, balanca negative e konstatuar ka qenë në shumën 4 milionë lekë.

Pasi KPK ka konsideruar provat e siguruara gjatë hetimet si dhe shpjegimet e subjektit, ka përmbysur balancën për periudhën para fillimit të detyrës me një rezultat pozitiv. Ndërsa bilanci negativ gjatë viteve 2008-2016 është reduktuar duke mbetur në vlerën rreth 1.1 milionë lekë.

Në analizën përfundimtare të çështjes, KPK vlerëson se makina e blerë në vitin 2012 është e vetmja pasuri që ka një lloj problematike, por që është cilësuar e pranueshme.

Duke konsideruar vlerësimet pozitive në kriterin e pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit, Komisioni arrin në konkluzionin se balanca financiare negative e mbetur në shumën rreth 1.1 milion lekë, bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, vlerësohet se nuk mund të sjellë shkarkim për Nishanin dhe për rrjedhojë, se ai ka arritur nivel të besueshëm edhe në këtë kriter.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *