Gjyqtarja Migena Laska pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
Korrupsioni KPK Lajme Vendi

Gjyqtarja Migena Laska përballet me vetingun

Gjyqtarja Migena Laska e Gjykatës së Tiranës mori vlerësime pozitive për figurën dhe profesionalizmin, ndërsa u pyet nga Komisioni mbi disa transaksione të kryera nga kriterin e pasurisë.

Gjyqtarja Migena Laska pas seancës dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Foto: Edmond Hoxhaj.

Gjyqtarja Migena Laska e Gjykatës së Tiranës u përball të martën në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Trupi gjykues që po kryen procesin e rivlerësimit për gjyqtaren Laska kryesohet nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Gjatë seancës dëgjimore, Komisioni e vlerësoi pozitivisht gjyqtaren Migena Laska për kriterin e figurës dhe profesionalizmit, ndërkohë që ajo u pyet për shitjen e një apartamenti dhe kursimet cash për një vit të deklarimit.

Relatorja e çështjes, Brunilda Bekteshi tha në seancë se nuk janë gjetur probleme për blerjen e një automjeti tip Volksëagen në vitin 2016 kundrejt vlerës 10 mijë euro, me burim krijimi shitjen e dy apartamenteve të tjera dhe kursimet. Bekteshi tha se pagesa e çmimit të mjetit ishte kryer nëpërmjet transfertës bankare dhe se Laska kishte pasur burime të mjaftueshme për krijimin e kësaj pasurie.

Në analizën financiare të kryer për gjendjen cash ndër vite, Komisioni ka konstatuar balancë negative në shumën rreth 700 mijë lekë. Bekteshi tha se nuk përputhen gjendja cash e deklaruar nga subjekti me atë të konstatuar nga analiza financiare e KPK. Sipas relatores, në vitin 2012 ka rezultuar se subjekti ka investuar në likujditete bankare 500 mijë lekë nga gjendja cash, por nuk e ka deklaruar pakësimin e kësaj vlere.

E pyetur në fund të seancës, gjyqtarja Laska shpjegoi se sipas procedurës, deklarimi për vitin 2012 ishte kryer në mars të vitit 2013 dhe se kryhej për gjithë vitin. Ajo vijoi se gjendja cash në shumën 500 mijë lekë e investuar prej saj në bono thesari në fillim të vitit 2012, ishte zëvendësuar deri në fund të atij viti nga të ardhurat prej pages, duke arritur ta kursente atë vlerë dhe se nuk kishte pakësim të gjendjes cash në fund të vitit.

Në vitin 2016, Laska ka deklaruar investim në obligacione thesari në shumën 49 mijë euro, me burim kursimet dhe interesat e bonove të thesarit prej 25 mijë e 533 euro si dhe shuma prej 24 mijë euro e dhuruar nga bashkëjetuesi Mustafa Nano.

Bekteshi tha se shuma e dhuruar prej 24 mijë eurosh është transferuar nga bashkëjetuesi në llogarinë bankare të subjektit të rivlerësimit. Relatorja bëri me dije se Komisioni kishte hetuar lidhur me mundësinë e dhuruesit për blerjen e apartamentit në Kavajë në vitin 2011, pasi dy vite para këtij transaksioni ai kishte investuar edhe në blerjen e një apartamenti tjetër në Tiranë.

Ajo shtoi se gjyqtarja Laska ka kërkuar që bashkëjetuesi të mos konsiderohet si person i lidhur për periudhën që ai ka krijuar apartamentin në Tiranë, pasi blerja ishte realizuar përpara bashkëjetesës së tyre.

Në seancë nuk u evidentua ndonjë problem për blerjen e apartamentit në Kavajë.

Subjekti ka deklaruar në vitin 2016 edhe një investim tjetër në bono thesari në shumën 3.7 milionë lekë, me burim krijimi gjendjen e mëparshme të bonove të thesarit të investuara nga viti 2006.

Investimi i vitit 2006 është kryer me burime të përfituara nga shitja e një apartamenti të nënës së saj në shumën 6.5 milionë lekë. Bekteshi sqaroi se apartamenti ishte blerë përpara se Laska të emërohej gjyqtare. Bekteshi tha se subjekti ka shpjeguar se 5 milionë lekë të përfituar nga shitja e apartamentit i ka investuar në bono thesari, ndërsa pjesën tjetër e ka disponuar si gjendje cash.

Relatorja Bekteshi e pyeti subjektin në fund të seancës lidhur me procedurën e shitjes së apartamentit, pasi rezultonte se ajo kishte kryer vlerësimin pas shitjes dhe kishte paguar tatimin.

Laska shpjegoi se në vitin 2005 ishte hartuar kontrata e shit-blerjes me kushte kreditimi dhe se apartamenti ishte vendosur si kolateral për kredinë e marrë. “Kredia është shlyer çdo muaj e gjitha nga zonja e nderuar Laska,” pohoi gjyqtarja, duke shpjeguar se nëna ia kishte kaluar gjithë vlerën 6.5 milionë lekë që në momentin e shitjes.

Ajo vijoi se në atë apartament jetonin vëllai me familjen e tij dhe se nuk mund të kryheshin veprime në momentin e shitjes, pasi pasuria ishte vendosur si kolateral. Sipas subjektit, në vitin 2010, kur kishte përfunduar shlyerja e kredisë nga familjarët e saj, atëherë ishte mundësuar kalimi në pronësi të tyre. “Procedura ka qenë ligjore dhe institucionale”, theksoi ajo.

Komisioni ka verifikuar edhe transaksionet e kryera për porositjen e një apartamenti në Gjirin e Lalzit në vitin 2014 nga subjekti dhe bashkëjetuesi i saj për vlerën 40 mijë euro. Në seancë u relatua se kësti i parë në shumën 15 mijë euro ishte paguar nga bashkëjetuesi, ndërsa kësti i dytë në shumën 10 mijë euro ishte shlyer nga Laska.

Sipas Bekteshit, subjekti dhe bashkëjetuesi i saj kanë pasur mundësi financiare për pagesën e këtyre kësteve.

KPK e ka shtrirë hetimin për këtë pasuri deri në vitin 2019, prej nga ka rezultuar se në vitin 2017 janë shpenzuar edhe 3.7 milionë lekë. Relatorja Bekteshi pohoi se subjekti është tërhequr nga ky investim në vitin 2019 dhe bashkëjetuesi i ka kthyer vlerën e investuar prej saj.

Ndërkohë, bashkëjetuesi e ka shkëmbyer këtë pasuri me një apartament, dy vende parkimi dhe një depo në Tiranë. E pyetur lidhur me diferencën e vlerës së pasurisë së blerë në Tiranë me atë në Gjirin e Lalzit, subjekti ka shpjeguar se në apartamentin e porositur në vitin 2014, ishin investuar edhe 3.7 milionë lekë për mobilim dhe se vlera ishte e njëjtë me pasurinë në Tiranë, që është ende duke u ndërtuar. Ajo ka shtuar se shkëmbimi është kryer nga bashkëjetuesi i saj.

Komisioni nuk ka gjetur probleme për shpenzimet e kryera në vitin 2016 nga subjekti për shkollimin e djalit të saj në vlerën 130 mijë lekë.

KPK ka hetuar edhe pasuritë e bashkëjetuesit të gjyqtares, për të cilat nuk u evidentuan probleme.

Nga analiza financiare e përgjithshme e kryer nga Komisioni ka rezultuar balancë negative në shumën totale 327 mijë lekë. Bekteshi tha se balanca negative është e shpërndarë në tre vite dhe se është kundërshtuar nga subjekti, e cila ka pretenduar se ka pasur më pak shpenzime.

Në fund të seancës dëgjimore, gjyqtarja Migena Laska falënderoi Komisionin për hetimin e kryer, relatimin dhe komunikimin gjatë procesit të rivlerësimit. Ajo solli në vëmendje se kishte dorëzuar shpjegime të hollësishme dhe se ishte përpjekur të paraqiste çdo provë për të vërtetuar dhe krijuar bindjen rreth vërtetësisë së deklarimeve të saj.

“Ju falënderoj për gjithë impenjimin. Do të isha krenare dhe e lumtur që ky Komision të më konfirmonte në detyrë,” përfundoi Laska.

KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 20 maj, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *