Kandidati për magjistrat, Enkel Peza përballet me vetingun
Lajme

Kandidati për magjistrat, Enkel Peza përballet me vetingun

Ndihmësi ligjor pranë Gjykatës Administrative të Tiranës iu përgjigj pyetjeve për pronësinë e katër makinave dhe tha se ai dhe babai i tij avokat kishin burime të ligjshme për pasuritë. Vendimi për karrierën e tij do të shpallet më 6 shtator.

Kandidati për magjistrat, Enkel Peza pas seancës në KPA.

Enkel Peza, kandidat për magjistrat dhe ndihmës ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, u përball të mërkurën me vetingun. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit përbëhej nga Suela Zhegu kryesuese, Etleda Çiftja relatore dhe Xhensila Pine anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Klijstra.

Sipas relatimit, juristi Peza mori vlerësim pozitiv nga Inspektoriati i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI. Por Komisioni evidentoi disa mospërputhje në deklarimet e të ardhurave dhe ngriti dyshime për çmimin e blerjes së disa autoveturave, të cilat duket se nuk do të ndikojnë në karrierën e Pezës për shkak se ai dhe babai i tij rezultuan me burime të ligjshme.

Kandidati për magjistrat, Enkel Peza, sipas Komisionit rezulton të jetë pronar i katër autoveturave, tre të llojit tip Benz dhe një BMË. Si burim për automjet, ai ka deklaruar të ardhurat e babait nga puna si avokat.

Relatorja Çiftja ngriti pikëpyetje për blerjen e disa prej automjeteve nën çmimin e tregut. Komisioni ka verifikuar edhe një gjendje cash në vlerën 1.4 milionë lekë, si burim të së cilës, Peza ka deklaruar të ardhurat nga puna si avokat, paga si inspektor i INUK dhe paga si ndihmës ligjor.

Sipas relatores Çiftja, Komisioni ka hetuar për ligjshmërinë e burimit të krijimit autoveturave dhe të gjendjes cash, nga janë evidentuar disa mospërputhje mes deklaratave dhe dokumenteve për të ardhurat për periudhën 2009-2011 kur ka punuar si avokat.

Ndërkohë, nuk janë gjetur probleme përsa i përket mundësisë së krijimit të këtyre pasurive.  “Bazuar në analizën financiare dhe dokumentacionin e dërguar nga Bashkia e Kavajës, duket se Peza dhe personi tjetër i lidhur, kanë pasur burime të ligjshme për blerjen e autoveturave dhe për krijimin e gjendjes cash”, pohoi Çiftja.

Kandidati për magjistrat iu përgjigj interesimit të relatores Çiftja lidhur me mosdeklarimin e përdorimit të një shtëpie dhe zyrës së avokatore të babait, ndërsa theksoi se ai dhe babai i tij kishin burime të ligjshme për të justifikuar pasurinë.

Duke ju përgjigjur interesimit të anëtares së trupës gjykuese të KPK, Xhensila Pine se sa ishin shpenzimet vjetore për katër makinat që ai zotëron, Peza sqaroi se dy prej mjeteve përdoreshin nga babai dhe vëllai, ndërsa dy prej tij. Lidhur me shpenzimet vjetore për dy makinat e përdorura prej tij ai tha se ishin minimale, pasi janë me benzinë-gaz.

Si DSIK, ashtu edhe Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit nuk kanë konstatuar probleme për pastërtinë e fiugurës. Edhe për aspektin profesional nuk u evidentuan problematika, ndërkohë që relatorja Çiftja pohoi se Peza rezulton të ketë njohuri të përgjithshme, njeh dhe përdor vendimet e Gjykatës së Lartë, të Gjykatës Kushtetuese dhe gjykatave ndërkombëtare.

Çiftja tha se në testimin e Magjistraturës, Peza ka siguruar 62 pikë duke e kaluar kufirin 60%.

Në fund të seancës dëgjimore, kandidati për magjistrat, Enkel Peza kërkoi konfirmimin e tij në detyrë. KPK do të shpallë vendimin më datë 6 shtator, ora 09:30.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *