Kolegji dëgjon ankimin e gjyqtarit Arben Vrioni ndaj vendimit të KPK

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të çelë seancë publike për gjyqtarin e Apelit të Durrësit, Arben Vrioni pas konstatimit të problemeve procedurale në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Vrioni kërkoi pavlefshmëri të vendimit të KPK, por Kolegji e rrëzoi kërkesën.

Gjyqtari Arben Vrioni ne KPA | Foto : V.Karaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të mërkurën ankimin e gjyqtarit të Apelit të Durrës, Arben Vrioni ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, i cili e pati shkarkuar atë me 22 nëntor 2019.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit pas një takimi në dhomë këshillimi vendosi të çelë seancë publike për gjyqtarin Vrioni, pas konstatimit të problemeve procedurale në vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Gjatë seancës Vrioni u mbrojt nga avokati Sokol Hazizaj dhe kërkoi fillimisht që Kolegji të shpallte pavlefshmëri të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, bazuar në shkeljet procedurale të gjetura.

Trupa e kryesuar nga Rezarta Schuetz, me relator Ardian Hajdari dhe anëtarë Ina Rama, Natasha Mulaj dhe Sokol Çomo, e rrëzoi këtë kërkesë. Schuetz tha se ajo nuk ishte në rrethin e kërkesave paraprake që mund të paraqiteshin në këtë seancë.

Por Hazizaj këmbënguli disa herë, në disa ndërprerje të tjera që vendimi i KPK të cilësohej me “pavlefshmëri absolute” dhe “nul”, ndërsa bashkë me Vrionin parashtruan si kërkesë kryesore çeljen e hetimit nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe konfirmimin në detyrë të gjyqtarit.

Kërkesave të herëpashershme të Hazizaj dhe vërejtjes së tij se trupa nuk qe shprehur për to, kryesuesja e trupës iu përgjigj se do të mbaheshin në konsideratë dhe se ishin shënuar në procesverbal.

Vrioni vetë bëri mbrojtje sa i përket kriterit të pasurisë për të cilin ai edhe është shkarkuar nga KPK, e cila nuk bëri hetim në dy kriteret e tjera. Vrioni këmbënguli se argumentet e Komisionit nuk qëndronin dhe se pasuria e tij ishte e ligjshme.

Ai fokusua në gjetjet e KPK sipas radhës. Fillimisht këmbënguli të sqaronte problemet me shit-blerjen e një apartamenti, një kapar të paguar nga e ëma, diferencat mes çmimit në kapar dhe çmimit në kontratën e shitjes e të ngjashme.

Gjyqtari i shkarkuar nga Komisioni, këmbënguli para Kolegjit se vendosja në kontratën e kaparit mes nënës dhe shitësit e vlerës 4.5 milionë lekë ishte thjeshtë për të garantuar blerjen.

Ai po ashtu u fut në detaje të kërkimeve që kishte bërë dhe përmendi ndër të tjera se kishte kërkuar për shkollën e fëmijëve të blerësit të një apartamentit për të provuar që ai ishte shitur në vitin 2002 dhe jo në vitin 2004 kur ishte bërë kontrata e shitjes.

Komisioni i pati cilësuar këto transaksione si problematike. KPK pati dalë në përfundimin se kapari i paguar prej 1.5 milion lekë ishte humbur pasi kontrata që ishte lidhur mbi atë nuk ishte përfunduar. Po ashtu KPK pati cilësuar se një shitje apartamenti me kontratë në vitin 2004 nuk mund të merrej si e ardhur për një apartament të blerë në vitin 2002.

Në seancë Vrioni këmbënguli edhe se KPK kishte interpretuar gabim disa gjetje të tjera, përfshi të ardhurat e nënës. Ndërsa këmbënguli se nëna nuk mund të konsiderohej person i lidhur, por person tjetër i lidhur, ai po ashu u përpoq të provonte se ajo kishte pasur të ardhura.

Për të provuar se nuk kishte pasur nevojë të përfshihej në transaksione të komplikuara ai iu referua trashëgimisë nga gjyshi i tij. Ai tha se gjyshit i ishin sekuestruar një sasi e madhe “monedhash me gjel” dhe pasi pyeti nëse ishte apo jo live (në transmetim) vuri në dukje se e ëma kishte pasur sërish prej kësaj pasurie që ishte përdorur në krijimin e llogarive bankare.

Vrioni u përpoq po ashtu të rrëzonte një prej pohimeve të tij para Komisionit. Ai tha se deklarimi prej tij i vlerës së shpenzimeve jetike deri në vitin 99’ nuk duhej të ishte marrë parasysh, por KPK duhej të pyeste INSTAT. Vrioni këmbënguli se KPK do e kishte bërë këtë nëse deklarimi i shpenzimeve do kishte qenë i ulët dhe tha se i njëjti arsyetim vlente edhe në këtë rast. “Pse duhet të merret parasysh deklarimi im në këtë rast. Ai është një pohim deklarativ”, tha gjyqtari. Ai po ashtu këmbënguli në korrigjimin e disa shpenzimeve për mobilim dhe udhëtim dhe gabimeve sipas tij në analizën financiare.

Ai këmbënguli se marrëdhënia e huasë mes tij dhe baxhanakut dhe një dërgesë parash nga nëna e tij te baxhanaku nuk ishin të lidhura me njëra tjetrën dhe KPK i kishte lidhur ato pa pasur prova. Në këtë pikë ai sërish theksoi se e ëma nuk ishte person i lidhur me të.

Vrioni kundërshtoi vendimin e KPK edhe sa i përket transaksioneve me makinat. Ai kërkoi që e ardhura e përfituar nga shitja e një makine më shtrenjt se sa ishte blerë të merrej në konsideratë për vlerën e çmimit fillestar. Gjyqtari tha se e vetmja pjesë që nuk duhej të njihej ishte fitimi për të cilin nuk ishte paguar tatimi.

KPK e nxori Vrionin me një bilanc negativ prej 6.5 milionë lekësh, por gjyqtari pretendoi se kishte pasur të ardhura dhe se bilanci ishte pozitiv. Pasi pranoi disa prova të reja që Vrioni solli në Kolegj, ky i fundit u tërhoq për vendim. Seanca u caktua në 27 shtator në orën 14.00.

Lexo edhe:

Transaksionet me nënën dhe baxhanakun penalizuan gjyqtarin Arben Vrioni