Gjyqtari Ramiz Lala duke dalë nga seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto : Edmond Hoxhaj
KPA Lajme Vendi

Kolegji lë në fuqi konfirmimin e gjyqtarit Ramiz Lala

Ankimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë dhe rihetimi i pasurisë nuk ndryshuan vendimin ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Gjirokastrës. Ramiz Lala u konfirmua në detyrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit me shumicë votash.

Gjyqtari Ramiz Lala duke dalë nga seanca në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto : Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi të hënë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të lënë në detyrë gjyqtarin e Gjykatës Administrative në Gjirokastër, Ramiz Lala.

Lala që ishte konfirmuar fillimisht nga KPK u përball me një hetim të dytë në kriterin e pasurisë dhe atë të profesionalizmit kryesisht pas denoncimit ndaj tij prej Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.  Vendimi i KPK u ankimua nga Komisioneri Publik Florian Ballhysa, por hetimet nuk duket se gjetën probleme.

Trupa e KPA e kryesuar nga Sokol Çomo, me relator Ardian Hajdari dhe anëtarë  Ina Rama, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, votoi në shumicë për të lënë në fuqi vendimin e konfirmimit. Çomo në leximin e vendimit tha se as mungesat financiare sipas analizës në disa vite dhe as problemet e gjetura në kriterin e profesionalizmit, nuk ishin të atilla që të sillnin shkarkimin.

Sipas Çomos pas shqyrtimit gjyqtari rezultoi “i besueshëm në të tri kriteret”. Në seancën e kaluar edhe Komisioneri Publik Ballhysa ishte shprehur në favor të konfirmimit, duke arsyetuar se pas hetimit nuk u gjetën probleme.

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Gjirokastrës, Ramiz Lala u konfirmua në detyrë më 26 korrik 2019 nga KPK. Vendimi erdhi pas hetimit të kryer në të tre kriteret e rivlerësimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *