Komisioneri Publik Lajme

Komisioneri Heral Saraçi: Nuk ka prova që kam shkelur ligjin

Komsioneri Publik, Heral Saraçi e ka konsideruar të njëanshme dhe të pambështetur në prova raportin e gjyqtares hetuese Natasha Mulaj – mbi të cilën është vendosur nisja e procedimit disiplinor ndaj tij në Kolegjin e Apelimit.

Seanca degjimore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit | Foto: Ivana Dervishi/BIRN

I vënë nën akuzë për pengim të ndërtimit dhe funksionimit të  institucioneve të vetingut, Komisioneri Publik Heral Saraçi ka insistuar në një seancë disiplinore përpara Kolegjit të Posaçëm të Apelitmit se veprimtaria e tij si ka qenë në përmbushje të detyrimeve ligjore.

Komisioneri  Publik Saraçi ka pretenduar se në raportin e vënë në dispozicion nga gjyqtarja hetuese, Natasha Mulaj-njëherazi kryetare e Kolegjit të Apelimit,  nuk ka gjetur asnjë dokument që ta ngarkonte atë me përgjegjësi ligjore.

“Nga këto 500 faqe që mua më është vënë në dispozicion unë nuk kam arritur që të gjej një material ose një  dokument që të më thuhet se çfarë ligjesh kam shkelur,” deklaroi Saraçi, akuzat ndaj të cilit u iniciun nfa Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Komisioneri Publik është një ndër tre institucionet e rivlerësimit kalimtar për gjyqtarët dhe prokurorët e Shqipërisë, i cili ka për detyrë përfaqësimin e interesit publik gjatë kryerjes së procesit të vetingut.

Sipas Kushtetutës, ky institucion ushtron apelimin  e vendimeve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe përgatit raporte me shkrim në rastet e refuzimit për moszbatimin e rekomandimeve te Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim ne Kolegjin e Apelimit.

Sipas raporti  hetimor, Saraçi akuzohet se është bërë pengesë për  hartimin e një rregulloreje të institucionit, ka rekrutuar staf në kundërshtim me ligjin si dhe ka penguar veprimtarinë e komisionit ad- hoc  në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Në  mbrojtjen e tij,  Komisioneri  Saraçi ka pohuar se nuk ka pasur dakortësi për hartimin e rregullores  dhe për mënyrën e funksionimit të Komisionerit Publik, që në korrik të vitit 2017.

Vakumi ligjor është arsyeja që ai paraqiti në seancë për përplasjet që kanë ekzistuar mes dy kryekomisionerëve.

“Ndodhemi përpara një vakumit ligjor pasi nuk ka  përcaktim ligjor për organizimin e këtij institucioni siç janë për institucionet e tjera ai i Kualifikimit dhe ai i Apelimit. Si mundet të hartohet  rregullorja e një komisioni ku e vetmja gjë e sigurt është se ai kryesohet nga dy Komsioner Publik,” deklaroi Saraçi, duke vijuar se  ka hartuar draftin e tij të rregullores së institucionit.

Komisioneri Publik pretendon se nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi ligjore përse ky draft nuk është miratuar në mënyrë kolegjiale.

“Unë kam dorëzuar projek- rregulloren më datë 17 korrik dhe Ballhysa ka bërë të njëjtën gjë, por të dy këto dokumente janë drafte të pa miratuara nga mbledhja e pambledhur e Komsionerëve Publik,” deklaroi Saraçi, duke shtuar se e ka përmbushur detyrimin e tij që brenda 30 ditëve të hartoi rregulloren e  funksionimit të institucionit.

Sa i përket rekrutimit të stafi,  të paktën në dy raste që Komisioneri Publik ka firmosur kontratat e punës, Saraçi tha se ka vepruar në përmbushje te vendimit të marrë nga Komiteti ad-hoc i cili është  firmosur nga tre anëtarët e tij, që ka në përbërje dy Komisionerët Publikë  dhe një anëtar të Kolegjit të Apelimit.

Komisioneri Publik hodhi poshtë dhe akuzat e ngritura për  veprimtarinë e tij në komitetin ad hoc   të Kolegjit të  Posaçëm të Apelimit.

Saraçi dekarloi se ka ushtruar të drejtën e tij në mbrojte të interesit publik.

“Akuzohem vetëm për qëndrimet e tij në komisionin e rekrutimit për  Kolegjin e Posaçëm të Apelimit,  ndërsa kam vepruar me të njëjtin standard  edhe në  Komitetin ad hoc të Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe aty ka vijuar puna normalisht,” vijoi mbrojtjen e tij Saraçi.

Para Komisionit Disiplinor Saraçi ka insistuar se në veprimtarinë e tij si Komisioner Publik  ka zbatuar vetëm ligjin dhe për të bindur trupin gjykues ai dorëzoi si prova korrespondencën e tij me Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe Komisionerin Publik Florian Ballhysa.

Të enjten, Komisioni Disiplinor i përbërë nga gjyqtarët Sokol Çomo, Albana Shtylla dhe Ardian Hajdari do të vendosin për legjitimitetin e provave të servirura  si dhe pritet dhe marrja e një vendimi ndaj Komisionerit Publik Heral Saraçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *