Prokurorja Natasha Prifti pas seancës në KPK.
KPA Lajme Veting

Komisionerja Publike kërkon shkarkimin e prokurores Natasha Prifti

Komisionerja Publike, Irena Nino u qëndroi të hënën shkaqeve të ankimit dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shkarkojë nga detyra prokuroren e Lushnjes, Natasha Prifti (Shallapi) për deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm në kriterin e pasurisë.

Prokurorja Prifti i kundërshtoi kërkimet e komisioneres në seancën e së hënës. Nëpërmjet përfaqësuesit të saj ligjor, avokatit Julian Mërtiri, u këmbëngul se subjekti nuk gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm dhe u pretendua se në vlerësim të drejtë të rrethanave duhet që të lihet në fuqi vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK.

Natasha Prifti(Shallapi) u konfirmua në detyrë më 28 maj 2021 pasi mungesat financiare dhe dhe deklarimet e pasakta në kriterin e pasurisë u konsideruan jo penalizuese. Komisioni u shpreh se e konfirmoi duke aplikuar parimin e proporcionalitetit lidhur me pamjaftueshmërinë financiare.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM vlerësoi se vendimi për konfirmimin në detyrë të Priftit ka mangësi serioze logjike në pjesën arsyetuese dhe i kërkoi institucionit të Komisionerëve Publikë që ta ankimonin. Objekti i rekomandimit lidhet me rezultatet e dala nga hetimi administrativ në raport me përfundimet e arritura nga Komisioni për kursimet cash në vlerën 4 milionë lekë të deklaruara nga bashkëshorti i subjektit, ku u bazua dhe ankimi.

Deklarime të pasakta dhe pamjaftueshmëri

Në parashtrimet e paraqitura të hënën, komisionerja Nino u qëndroi gjithë shkaqeve të ankimit.

Lidhur me shkakun për pasaktësinë e deklarimit të likujditeteve cash, Nino vërejti se subjekti nuk ka deklaruar kursime në deklaratën “veting”, ndërkohë që ka shënuar kursime në shumën 600 mijë lekë në deklaratën para fillimit të detyrës dhe bashkëshorti i saj ka deklaruar vlerën 4 milionë lekë në 2013-ën. Sipas Komisioneres, subjekti dhe bashkëshorti nuk kanë deklaruar pakësime cash për periudhën 2008-2014 dhe në vitet 2015-2016 kanë deklaruar pakësime në shumën totale 3.2 milionë lekë. Duke iu referuar këtyre deklarimeve, Nino vlerëson se gjendja e likujditeteve cash në fund të dhjetorit të 2016-ës përllogaritet në vlerën 1.4 milion lekë.

Komisionerja solli në vëmendje edhe dy deklarime në ILDKPKI të kryera në vitin 2016, ku në të parin Prifti ka pohuar se gjendja cash prej 4 milionë lekësh është ende në banesë, ndërsa në të dytin deklarohet se gjendja cash në shumën 1.3 milionë lekë, është depozituar në bankë.

Bazuar në këto rrethana dhe në jurispudencën e KPA-së, komisionerja konstaton se Prifti ka kryer deklarim të pasaktë për likujditetet cash. Po ashtu, Nino vlerëson se deklarimet kontradiktore të kryera nga subjekti lidhur me likuiditetet cash, krijojnë pamundësi në verifikimin e burimeve të ligjshme të pasurive të rrjedhura prej tyre.

Avokati Mërtiri theksoi se vlera 4 milionë lekë është krijuar nga bashkëshorti i subjektit para martesës dhe se për këtë arsye, ajo ka qenë e pasaktë deri në vitin 2016, kur ka qartësuar situatën para ILDKPKI-së. “Pasi është konsultuar me bashkëshortin ka mësuar për pakësimet”, pohoi Mërtiri dhe argumentoi se kursimet ishin përdorur nga bashkëshorti i subjektit për të kryer blerje të artikujve që tregtonte. Sipas tij, subjekti e ka korrigjuar veten dhe se nuk mund të penalizohet.

E pyetur në fund të seancës nga relatorja Mimoza Tasi lidhur me mospërputhjet në deklarimet në ILDKPKI, Prifti shpjegoi se herën e parë nuk i ishin bërë me dije pyetjet dhe pasi ishte konsultuar me bashkëshortin, kishte shpjeguar pakësimet.

Po ashtu, Tasi e pyeti subjektin ndër të tjera, nëse kishte provuar ekzistencën e shumës 4 milionë lekë, për të cilën Prifti pretendoi se kjo shumë tashmë është pjesë e analizës financiare.

Si burime krijimi për gjendjen cash të bashkëshortit, janë deklaruar të ardhurat e krijuara nga puna prej vitit 1998 e në vijim. Subjekti ka lidhur martesë ligjore në vitin 2013, ndërkohë që njohja mes tyre ka rezultuar prej vitit 2010 dhe Prifti ka deklaruar se e ka filluar bashkëjetesën në vitin 2012.

Nino vërejti se nga analiza paraprake e KPK-së ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 3.4 milionë lekë për krijimin e kursimeve në vlerën 4 milionë lekë, ndërsa pas pranimit të pretendimeve të subjektit se fitimi mesatar i realizuar nga aktiviteti tregtar i bashkëshortit është më i lartë nga sa është llogaritur balanca negative ka mbetur në shumën 1.6 milionë lekë.

Komisionerja Nino e vlerëson të pambështetur në prova përfundimin e arritur nga Komisioni se subjekti nuk mund të penalizohet për shkak të pamundësisë financiare, pasi një pjesë e kursimeve është krijuar vite më parë nga bashkëshorti dhe se nuk është përdorur për krijimin e ndonjë pasurie.

Sipas Ninos, bazuar në aktet e administruara në fashikull konstatohet se këto kursime kanë shërbyer si burim krijimi për pasuri të krijuara pas martesës së subjektit, konkretisht për një automjet tip Benz të blerë në vitin 2015 për shumën 8400 euro, për depozitimin në bankë të dy shumave nga bashkëshorti në vitin 2016, një në vlerën 1.3 milionë lekë dhe tjetra 1505 euro.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2016, balanca e llogarisë bankare e prokurores Prifti ka qenë në shumën 1 milionë e 774 mijë lekë. Kursimet në këtë llogari bankare janë krijuar gjatë periudhës 2012-2016 dhe ka rezultuar se kanë si burim të ardhurat nga punësimi i subjektit. Nino pretendon se Prifti ka mundur të shtojë balancën e llogarisë së saj duke shpenzuar gjendjen cash.

Bazuar në këto konstatime, komisionerja Nino vlerëson se subjekti ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm lidhur me gjendjen cash, pasi pasi nuk ka provuar me burime të ligjshme një pjesë të kursimeve cash në shumën 4 milionë lekë të deklaruar në 2013-ën.

Duke ju referuar jurispudencës së KPA-së, Nino theksoi se parimi i proporcionalitetit nuk mund të merret si parim i shkëputur për të mbuluar pasaktësitë dhe pamjaftueshmëritë e subjekteve të rivlerësimit në deklarime.

Në përfundim, komisionerja Nino u shpreh se vlerëson se prokurorja Natasha Prifti(Shallapi) ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pasurinë dhe se duhet shkarkuar nga detyra.

Avokati Mërtiri u ndal gjatë në analizimin e të ardhurave të bashkëshortit të prokurores Prifti nga aktiviteti i tij tregtar në qytetin e Lushnjës. Sipas tij, edhe analiza e burimeve të bashkëshortit të subjektit e kryer nga Komisioni nuk mund të jetë reale, pasi nuk është bazuar në fitimin real.

Ai petendoi se bazuar në analizën e kryer nga subjekti, në vitet e para fitimet kanë qenë më të larta pasi është vërtetuar se aktiviteti i bashkëshortit të Priftit ka qenë nga të paktët në zonë dhe se në atë periudhë kërkesat kanë qenë më të larta. Mërtiri vërejti se bashkëshorti i subjektit e ka ushtruar aktivitetin në qendër të qytetit të Lushnjës.

Ai kundërshtoi një konstatim të analizës se në vitin 2008, fitimi ka qenë më i ulët se shpenzimet për blerjet. “Eshtë pa logjikë ekonomike dhe nuk mund të ketë ndodhur,” pohoi ai.

Në vijim Mërtiri konstatoi se bazuar në përllogaritjet e KPK-së, ka rezultuar se fitimi neto i bashkëshortit të Priftit ka qenë në shumën 5.6 milionë lekë deri në 2013-ën dhe ka rezultuar pamundësi në shumën 1.6 milionë lekë për kursimet 4 milionë lekë. Avokati theksoi se sipas përllogaritjeve të subjektit, fitimi neto ka qenë në shumën 7.4 milionë lekë.

Ai vërejti se institucionet nuk kanë kthyer përgjigje për periudhën 2001-2006 dhe se nuk mund të përjashtohet marzhi më i lartë për këto vite. “Nuk ka asnjë metodë ku marzhi i fitimit të përcaktohet”, pohoi Mërtiri.

Lidhur me konstatimin për pakësimin e gjendjes cash për blerjen e një automjeti tip Benz në vitin 2014, Mërtiri solli në vëmendje faktin se makina ishte shitur sërish në vitin 2014 dhe për rrjedhojë kursimet kanë mbetur të pandryshuara në fund të atij viti. “Nëse në analizë do të përfshihej edhe vlera e shitjes së mjetit, atëherë do të rezultonte me balancë pozitive”, pohoi Mërtiri.

Mërtiri i kundërshtoi vlerësimet e komisioneres se subjekti dhe bashkëshorti i saj rezultojnë në pamundësi për krijimin e depozitës 1505 euro, duke pretenduar se balanca rezulton pozitive.

Sipas tij, i vetmi rast kur rezulton balancë negative është për depozitimin e shumës 1.3 milionë lekë në vitin 2016 nga ana e bashkëshortit të Priftit, por që sipas Mërtirit është në shumën 200 mijë lekë dhe nuk mund të sjellë penalizimin e subjektit.

Ai theksoi se dhe balanca negative 1.6 milionë lekë e konstatuar nga KPK është hipotetike dhe jo e bazuar nga analiza faktike. Mërtiri pohoi se gjendja cash në vlerën 4 milionë lekë është krijuar nga bashkëshorti para martesës dhe se vlera 1.6 milionë lekë nuk është përdorur për krijimin e ndonjë pasurie.

Sipas tij, nga analiza financiare rezulton pamundësi financiare në shumën totale rreth 240 mijë lekë që nuk mund të sjelli pasoja. Po ashtu, Mërtiri theksoi se edhe me dokumentacion ligjor është arritur të provohet mundësia e bashkëshortit të subjektit për të kursyer shumën 2.3 milioë lekë.

Mërtiri solli në vëmendje jurispudencën e Kolegjit për proporcionalitetin duke e analizuar në favor të subjektit dhe këmbënguli se Prifti nuk gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm. Avokati i Priftit evidentoi faktin se subjekti është vlerësuar pozitivisht për figurën dhe profesionalizmin dhe kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të saj.

Kolegji vendosi të mbylli hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve të përgatisin konkluzionet përfundimtare për t’i paraqitur në seanfcën e radhës më 27 qershor, në orën 14:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *