Gjyqtarja Rilinda Selimi duke dalë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

Kolegji dëgjon konkluzionet përfundimtare në çështjen e Rilinda Selimit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën me konkluzionet përfundimtare të Komisioneres Publike, Irena Nino lidhur me ankimin e kryer kundër konfirmimit në detyrë të gjyqtares së Gjykatës Administrative të Apelit, Rilinda Selimi. Nino tha në seancë se nuk është provuar që Selimi të jetë gjendur ndonjëherë në kushtet e konfliktit të interesit, por ajo u shpreh se problemet e tjera për pasurinë dhe figurën janë të mjaftueshme për shkarkimin e saj.

Gjyqtarja Rilinda Selimi i kundërshtoi konkluzionet e komisioneres, duke argumentuar se nuk mund të bëhet interpretim i fakteve, por duhet kryer hetim i tyre.

Rilinda Selimi, u konfirmua në detyrë në 14 dhjetor 2020 nga trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit drejtuar nga Pamela Qirko, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtar Olsi Komici. Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit rekomandoi menjëherë apelimin e vendimit, duke arsyetuar se KPK nuk kishte hetuar apo kishte hetuar sipërfaqësisht disa prej problemeve të gjyqtares që preknin të tre kriteret e rivlerësimit.

Në Kolegj, Selimi po përballet me ankimin e kryer nga Komisioneri Publik për hetimin e mundësive të vjehrrit të subjektit për të krijuar me të ardhura të ligjshme në shumën në shumën 101 mijë euro që kanë shërbyer për investimin në një pikë karburanti në Vlorë; të ardhurat e siguruara nga dhënia me qira e kësaj pasurie; për 10 mijë euro të kursyera nga subjekti dhe bashkëshorti; hetimin mbi pronësinë e një ndërtese 3-katëshe në Fushë-Krujë e regjistruar në emër të vjehrrit; si dhe për një apartament me sipërfaqe 155 m2 në Tiranë dhe dy makina në përdorim të saj.

Po ashtu, u kërkua hetimi për kontakte të papërshtatshme të mundshme të Selimit si dhe ekzistencën e mundshme të gjendjes së konfliktit të interesit në ushtrimin e detyrës.

Komisionerja Publike, Irena Nino deklaroi të hënën se nga ballafaqimi i shkaqeve të ankimit përkundrejt parashtrimeve dhe akteve të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit në Kolegj në cilësinë e provës, nuk rezulton të ketë ardhur ndonjë ndryshim në vlerësimin e saj për gjetjet që kanë të bëjnë me kriterin e pasurisë dhe figurën.

Sipas Ninos, gjenden të pashëruara shkaqet që kanë të bëjnë me cilësimin si person tjetër të lidhur të vjehrrit të subjektit dhe mundësisë së bashkë-investimit me të ardhura të ligjshme nga ana e tij në shumën 101 mijë euro për një pikë karburanti në Vlorë; për mundësinë e gjyqtares Selimi dhe të bashkëshortit të saj për krijimin e një shume 10 mijë euro; si dhe për marrëdhëniet e dhënies me qira të kësaj pasurie. Nino i konsideroi me karakter atipik marrëdhëniet e qirave.

Po ashtu, komisionerja u shpreh se qëndronte shkaku që ka të bëjë me situatat faktike të një apartamenti me sipërfaqe 155 m2 + 35 m2 verandë në Tiranë, konkretisht me vlerën dhe sipërfaqen e kësaj pasurie të deklaruar prej subjektit. Megjithatë, komisionerja konstaton se Selimi ka arritur të provojë se në këtë rast nuk gjendet në kushtet e konfliktit të interesit me administratorin e shoqërisë ndërtuese.

Lidhur me shkakun e ankimit për figurën, komisonerja vlerëson se nuk është provuar e kundërta e shkaqeve të ankimit lidhur me një kontakt të papërshtatshëm. Në vijim, Nino tha se subjekti ka arritur të vërtetojë se nuk është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit gjatë ushtrimit të detyrës.

Komisionerja vërejti se lidhur me shkaqet e ngritura në ankim për automjetet në përdorim të subjektit, një e llojit Mini Cooper dhe tjetra BMË, si dhe burimet e investimit të një ndërtese 3-katëshe në Fushë-Krujë, nuk janë administruar akte në gjykimin në Kolegj. “Ato nuk afektojnë në kërkimet e bëra për sa i përket arritjes së nivelit të besueshëm në vlerësimin e pasurisë apo të figurës”, pohoi Nino.

Komisionerja vlerëson se gjyqtarja Selimi nuk arrin nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe të figurës dhe kërkoi shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi.

Gjyqtarja Rilinda Selimi vërejti se komisionerja Nino nuk kishte qëndrim lidhur me disa prej shkaqeve të ngritura në ankim. Lidhur me pagimin e taksave, Selimi konstatoi se shkaqet e gritura në ankim kërkonin hetim të mëtejshëm nga Kolegji.

Për kontratat e qirave, subjekti deklaroi se ato kanë të bëjnë me natyrën e Kodit Civil. Ajo kërkoi që vlerësimi i tyre të kryet bazuar në kontratat e qirave dhe në jurisprudencën e KPA-së.  Sipas subjektit, nuk ka ndonjë indicie për cënim të figurës.

Lidhur me sipërfaqen dhe vlerën e apartamentit në Tiranë, Selimi deklaroi se kishte dhënë argumente se çfarë duhej të konsiderohej e vlefshme për verifikim nga ana e Komisioneres Publike. “Nuk kemi të bëjmë me çmim më të ulët nga ai i referencës”, pohoi subjekti dhe e cilësoi të pabazuar pretendimin e Ninos se ky shkak ankimi gjendej i pashëruar.

Selimi vërejti se komisionerja nuk e trajtoi shkakun lidhur me burimet e një shume 8000 euro që ka shërbyer për blerjen e karburantit dhe e cilësoi të pabazuar pretendimin e Ninos.

“Shkaqet kryesore të ngritura në ankim duket se kanë të bëjnë me vjehrrin,” deklaroi Selimi dhe solli në vëmendje të Kolegjit faktin se kishte dorëzuar dokumente që vërtetonte se ai jetonte me djalin tjetër, i cili ishte i martuar.

Ajo këmbënguli se vjehrri nuk mund të cilësohet si person tjetër i lidhur. Gjyqtarja Selimi kërkoi që ky vlerësim të kryhet bazuar në jusipudencën e KPA-së, me qëllim që të konkludohet se në cilat rrethana dikush mund të cilësohet si person tjetër i lidhur dhe se kur ka interesa pasurorë. Në vijim, subjekti i cilësoi të pabazuara pretendimet e komisioneres lidhur me të ardhurat e vjehrrit.

Po ashtu, Selimi i kundërshtoi edhe pretendimet e komisioneres Nino për kriterin e pastërtisë së figurës. “Nuk kërkoj intepretim të fakteve, por hetimin e tyre”, deklaroi Selimi dhe theksoi se bazuar në situatën e provuar gjyqësisht, duhet të rrëzohet ankimi dhe të lihet në fuqi konfirmimi i saj.

KPA njoftoi se vendimi do të shpallet më 22 qershor, në orën 14:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *