Gjyqtari Emiljano Ruli pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto:Vladimir Karaj?BIRN
Analiza KPK Veting

ONM kundërshton konkluzionin e KPK për profesionalizmin e Emiljano Rulit

Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Emiljano Ruli u shkarkua prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 29 korrik 2022, pasi u konkludua se kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë. Ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërsa gjetjet për shkelje procedurale në gjykimin e disa çështjeve u konsideruan të pamjaftueshme për penalizim.

Megjithatë, konkluzionet e Komisionit për profesionalizmin duket se e kanë lënë të pakënaqur Operacionin Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, që nëpërmjet një opinioni i referon Komisionerëve Publikë që të vlerësojnë nëse shkeljet procedurale të Rulit, të shqyrtuara së bashku me gjetjet për gjykimin e tre çështjeve nga subjekti në kushtet e konfliktit të interesit, do të konsideroheshin cenim i besimit të publikut, që do të justifikonte ankimin për këtë kriter.

Mungesat financiare

Për blerjen e një apartamenti 2+1 me sipërfaqe 119.3 m2 në Tiranë, të porositur në vitin 2009 për çmimin 9 milionë lekë, subjekti ka pasqyruar në deklaratën “veting” si burime krijimi një vlerë 800 mijë lekë nga llogaria e pagës së bashkëshortes; depozitë 700 mijë lekë e grumbulluar nga kursimet; hua nga shtetasi A.Z. në lerën 4 milionë lekë me kontratë huaje të vitit 2009; si dhe hua verbale në shumën 3 milionë lekë nga babai, Sh.R.. Edhe në 2009-ën ka deklaruar të njëjtat burime dhe se ka shlyer shumën 8 milionë e 631 mijë lekë.

Si burim të vlerës 3 milionë lekë të dhënë nga babai, janë deklaruar të ardhurat e këtij të fundit nga puna në emigracion në Greqi; të ardhurat nga bujqësia dhe biznesi privat i regjistruar si biznes i vogël në Bashkinë Libohovë.

Komisioni ka konstatuar se subjekti nuk ka arritur të vërtetojë me dokumentacion ligjor provues të ardhurat e të atit nga emigracioni; ato nga bujqësia; si dhe të ardhurat nga aktiviteti privat duke i kaluar barrën e provës për të vërtetuar të kundërtën.

Ruli ka shpjeguar se aktiviteti i ushtruar nga prindërit ka qenë pjesërisht artizanal e ambulant. Për babain i cili ka qenë marangoz ka shpjeguar se, megjithëse ka qenë i regjistruar si biznes dhe ka pasur një vend ushtrimi të aktivitetit, kryesisht ka prodhuar artikuj druri me porosi, si dhe pjesë për vegla pune, artikuj të ndryshëm druri shtëpiake për kuzhinë, blegtori, si dhe zbukurime të ndryshme në dru, që në të shumtën e rasteve shiteshin në fshat dhe në fshatrat përreth me porosi ose në tregjet e komunës.

Po ashtu, ai ka shtuar se të dy prindërit janë marrë me kultivimin të drithërave dhe bimëve medicinale, perimeve etj., për përdorim personal, si dhe për shitje në treg në fshat dhe në fshatrat përreth. Ai ka shpjeguar se për këto lloj aktivitetesh, sipas ligjeve të kohës paguheshin sigurimet shoqërore dhe shëndetësore si i vetëpunësuar në bujqësi, taksat vendore, si dhe tatimi si biznes i vogël.

Por KPK vlerëson se subjekti nuk provoi me asnjë dokumentacion justifikues ligjshmërinë e burimit të krijimit të të ardhurave të babait nga emigracioni, ato nga bujqësia dhe tregëtimi i bimëve medicinale.

Po ashtu, Komisioni konkludon se Ruli nuk ka vërtetuar mundësinë e kursimit të vlerës së dhënë hua nga të ardhurat nga aktiviteti privat i babait si zdrukthtar. Sipas Komisionit, provat e paraqitura nga subjekti bien ndesh me ato çfarë ai pretenduar, se biznesi i të atit ishte ushtruar në formën ambulatore.

Sipas KPK, edhe nëse do të konsiderohej se për periudhën 2007-2009 të ardhurat do të ishin 3 milionë lekë si referon një vërtetim i Bashkisë Libohovë për të ardhura në shumën 1 milion lekë në vit, po të zbriteshin shpenzimet jetike, atëherë nuk mund të justifikohej vlera e dhënë hua.

Trupa e KPK vlerëson se bazuar në situatën faktike financiare të prindërve të subjektit, nuk provohet se ata kanë pasur likujditete gjendje për dhënien e huasë.

Për të mbërritur në këtë konkluzion, KPK mban në konsideratë edhe mungesën e të dhënave në sistemin bankar lidhur me mundësitë e kursimit të prindërve të subjektit; mungesën e provueshmërisë lidhur me mënyrën e transaksionit të kryer që nuk është vërtetuar në asnjë formë; si dhe mosprovueshmëria e shlyerjes së kësaj huaje për një periudhë 10-vjeçare.

Në analizën financiare për pagesën e këstit të parë nuk janë përfshirë edhe vlerat e tërhequra nga llogaria bankare e bashkëshortes dhe e subjektrit, pasi këto transaksione janë kryer pas nënshkrimit të kontratës së porosisë, ku palët kanë konfirmuar se blerësi kishte parapaguar vlerën prej 8 milionë e 631 mijë lekësh.

Por këto vlera që nuk kanë përfshirë në analizën e këstit të parë, janë vlerësuar të mjaftueshme për të shlyer këstin e dytë të çmimit ë blerjes në vlerën 368 mijë lekë.

Sipas KPK, subjekti nuk ka arritur të provojë as burimin e ligjshëm për blerjen e një automjti në 2015-ën për çmimin 1.5 milionë lekë, si burime krijimi të të cilit ka deklaruar edhe të ardhurat e përfituara nga shitja e një makine tjetër po atë vit në shumën 900 mijë lekë.

Trupa e Komisionit konstaton se makina e shitur 900 mnijë lekë ishte blerë në vitin 2011 në shumën 7000 euro, ndërkohë që pala shitëse kishte paguar tre muaj më parë 13 mijë e 180 euro. KPK vlerëson se shpjegimet e subjektit nuk arritën të provojnë vlerat reale të shitjes së blerjes dhe atij automjeti në 2011-ën dhe në vitin 2015 dhe arrin në konkluzionin se, subjekti, pavarësisht përpjekjeve, dështoi të provojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të makinës së blerë në 2015-ën.

Konflikti interesit

Subjekti ka deklaruar një apartament me sipërfaqe 119 m2 në Tiranë të përfituar prej bashkëshortes si bashkëpronare e një sipërfaqe ndërtimore prej 60 mijë m2 në bregdetin e Gjirit të Lalëzit në Durrës, dhënë për ndërtimin e një fshati turistik të njëjtës shoqëri që ndërtonte pallatin në kryeqytet. Në këmbim të apartamentit në Tiranë, është dakortësuar zbritja e pjesës takuese në fshatin turistik.

KPK vëren se bashkëshortja e subjektit e ka filluar marrëdhënien juridike pasurore me shoqërinë e ndërtuese në maj të vitit 2010, në cilësinë e një prej trashëgimtarëve të sipërfaqes së tokës ku gjenden edhe pyje dhe se ka vijuar me lidhjen e kontratës për apartamentin në Tiranë.

Komisioni konstaton se subjekti në deklaratën “veting” ka deklaruar lidhjet e kontratave të sipërmarrjes me shoqërinë ndërtuese dhe gjatë procesit të rivlerësimit ka depozituar në cilësinë e provës një kontratë shkëmbimi të vitit 2020 që në objektin e saj përcakton ekzekutimin e një kontrate sipërmarrje të vitit 2012 dhe një marrveshje të bashkësipërmarrësve të 2015-ës.

Ndërkohë, nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka shqyrtuar në vitin 2017 tre çështje ku palë paditëse ka qenë shoqëria ndërtuese me të cilën bashkëshortja kishte lidhur kontratat dhe palë e paditur Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit. Ruli ka kërkuar dorëheqjen nga shyqrtimi këtyre çështjeve, por kërkesat e tij janë rrëzuar nga kryetari i gjykatës.

Por, KPK konstaton se Ruli nuk ka pasqyruar saktë në kërkesën e tij për dorëheqje se marrëdhënia me shoqërinë ndërtuese vijonte në momentin e shqyrtimit të çështjeve. “Rezultoi e provuar se marrëdhënia me shoqërinë “***” sh.p.k. ka vazhduar deri në vitin 2020, për kontratën e sipërmarrjes të lidhur në vitin 2012, kohë kur është nënshkruar edhe kontrata e shkëmbimit, fakt ky, i cili nuk është pasqyruar në mënyrë të saktë në kërkesën për dorëheqje që i është relatuar kryetarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, duke pretenduar se marrëdhënia juridiko-pasurore kishte përfunduar midis bashkëshortes dhe shoqërisë së ndërtimit “***” sh.p.k., para gushtit të vitit 2017”, citohet në vendim dhe shtohet fakti se kjo marrdhënie ishte përforcuar nga një kontrate e re sipërmarrje lidhur në prill të vitit 2017 mes bashkëshortes së subjektit me shoqërinë ndërtuese.

Për rrjedhojë, KPK arrin në përfundimin se subjekti ka qenë në kushtet e konfliktit të interesit në gjykimin e tri çështjeve me palë ndërgjyqëse shoqërinë ndërtuese më të cilën bashkëshortja e tij kishte marrdhënie juridiko-civile me karakter pasuror

ONM kundër KPK për profesionalizmin

Në 17 denoncime nga publiku, KPK shprehet se nuk ka gjetur indicie. Ndërkohë, në shumicën e gjashtë denoncimeve të tjera është konstatuar se subjekti nuk ka zbatuar drejt ligjin proceduar dhe ligjin material, si dhe ka shfaqur mangësi në drejtim të interpretimit të akteve nënligjore në zbatimin të ligjit material. Por, sipas KPK, shkeljet e konstatuara nuk janë në masën që të merren në konsideratë si shkak shkarkimi për subjektin e rivlerësimit.

Këto konkluzione janë gjetur të paqarta dhe të pabazuara nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, që ka shfaqur një opinion drejtuar Komisionerëve Publikë. Sipas ONM, përveç rëndësisë që ka vlerësimi i duhur i aftësive profesionale, vendimi i KPK-së pranon ekzistencën e disa gabimeve në ushtrimin e funksioneve gjyqësore nga ana e subjektit.

ONM sjell në vëmendje konkluzionet e vetë Komisionit për pesë prej gjashtë denoncimeve ku janë gjetur probleme, në të cilat evidentohen shkelje apo mangësi procedurale.

“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë ka vijuar gjykimin mbi bazën e një padie, e cila në kuptim të nenit 117 të Kodit të Procedurës Civile është e pavlefshme, pasi nuk është nënshkruar nga paditësja, por nga një avokat i palegjitimuar me prokurë për kryerjen e këtij veprimi. Nga aktet në dosje konstatohen shkelje të rënda procedurale të kryera nga subjekti në gjykimin e kësaj çështjeje dhe, për këto arsye, Gjykata Administrative e Apelit i ka rikthyer çështjet për rigjykim… për t’u gjykuar nga një tjetër trup gjykues,” sjell në vëmendje ONM.

Në opinionin e ONM-së referohen konkluzionet e KPK edhe për katër çështje të shqyrtuara nga subjekti, nga kanë rezultuar se Ruli ka shfaqur mangësi në zbatimin e ligjit procedural ose shkelje procedurale.

ONM analizon konkluzionin e KPK-së lidhur me gjetjet për profesionalizmin, duke i cilësuar ato kontradiktore me rrethanat e konstatuara.

Sipas Komisionit, shkeljet e konstatuara në kriterin profesional “nuk janë në masën që të merren në konsideratë si shkak shkarkimi për subjektin e rivlerësimit”.

Ndërsa ONM e konsideron fjalinë e fundit të paqartë.

“Nëse i referohet analizës së rasteve konkrete të renditura në këtë opinion, ky pohim nuk është i vërtetë, sepse disa gabime profesionale të bëra nga i subjekti i rivlerësimit ishin të natyrës procedurale, bazuar në të njëjtin vendim të KPK-së,” konstaton vëzhguesi ndërkombëtar dhe shton se Komisioni së paku, duhej të kishte marrë në konsideratë gjetjet profesionale së bashku me elementët e konstatuar në çështjet e gjykuara në kushtet e konfliktit të interesit dhe të vlerësonte nëse subjekti mund të gjendej në kushtet e shkarkimit.

Duke vlerësuar se Komisioni ka gabuar duke mos marrë në konsiderave mangësitë e Rulit të konstatuara gjatë analizimit të çështjeve të denoncuara, ONM vlerëson se nuk mund të përjashtohet mundësia se këto gjetje, së bashku me elementet e tjerë mund të sjellin një largim nga puna të subjektit.

ONM i referon gjetjet për shkeljet procedurale pranë institucionit të Komisionerëve Publikë, të cilëve u kërkon të vlerësojnë nëse ka shkelje në kuadrin e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia, që do të justifikonin ankimin e vendimit të KPK-së lidhur me kriterin profesional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *