Skënder Haluci pas vendimit të shkarkimit nga KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Veting

KPA lë në fuqi shkarkimin e Skënder Halucit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njoftoi mbrëmjen e të enjtes më 27 tetor lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPA për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci.

Haluci u shkarkua prej KPK-së më 5 mars 2020, pasi u konstatuan probleme të shumta për pasurinë, si dhe një balancë negative në vlerën e 69 milionë lekëve.

Në njoftimin e KPA-së thuhet se trupa gjykuese e kryesuar nga Albana Shtylla, me relator Sokol Çomon dhe anëtarë Mimoza Tasi, Natasha Mulaj e Rezarta Schuetz, në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi të ankimit të Halucit, vendosi në mënyrë unanime ta rrëzojë atë duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Trupa e KPK e kryesuar nga Olsi Komici, me relator Roland Ilian dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin e përfunduan hetimin administrativ për Halucin vetëm në kriterin e pasurisë, pasi u konkludua se nuk mbulonte me burime të ligjshme shpenzimet dhe pasuritë për periudhën 1997-2016, si dhe se kishte kryer deklarime të rreme, të pasakta e të pamjaftueshme.

Gjyqtari Skënder Haluci i kundërshtoi gjetjet e hetimit administrativ dhe kërkoi riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera, si edhe përjashtimin e trupit gjykues, kërkesë që u rrëzuan prej KPK-së.

Nga hetimi i Komisionit rezultoi se Haluci ka blerë një sipërfaqe tokë arë 1400 m2 në Tiranë, ku është ndërtuar një objekt me tre kate. Sipas KPK-së, Haluci nuk e kishte pasqyruar këtë pasuri të paluajtshme në deklaratën e vitit 2003, ndërsa në vitin 2004 ka shënuar një kat apartament banimi me 800 m2 oborr, i paregjistruar në ZVRPP. Sipas Komisionit, Haluci nuk provoi pretendimin se trualli 1400 m2 në Tiranë ishte blerë nga një i njohuri i tij në vitin 1997 për shumën 1.4 milionë lekë, me anë të një marrëveshjeje verbale.

Po ashtu, Komisioni konstatoi se vlera e blerjes së truallit dukej shumë më e ulët se ajo e tregut për zonën në fjalë. Bazuar në çmimin e hartës së vlerës së tokës, të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Komisioni konstaton se çmimi i vlerësuar për këtë pasuri në analizën financiare është 37 milionë e 945 mijë lekë.

Komisioni konstatoi gjithashtu se nuk korrespondonte vlera e investimit të deklaruar nga Haluci për këtë pasuri, pasi në deklaratën veting është pasqyruar në shumën 2 milionë lekë, kurse në atë periodike të vitit 2004 në vlerën 1,5 milionë lekë. Nga hetimi ka rezultuar se vlera e ndërtimit ishte nën atë të tregut, duke konsideruar se vlera totale e objektit ishte rreth 20.8 milionë lekë.

Haluci shpjegoi gjatë hetimit administrativ se objektin kishte nisur ta ndërtonte në vitin 1997, kur sipas tij ka blerë edhe tokën me sipërfaqe 1400 m2. Nisur nga këto deklarime, KPK konstatoi se gjyqtari Skënder Haluci kishte kryer ndërtim pa leje, veprim që u vlerësua se komprometonte figurën e tij si gjyqtar.

Tjetër problem që identifikoi KPK ishte edhe mosdeklarimi i sipërfaqes totale ndërtimore, pasi nuk ishte pasqyruar një kat tjetër që gjendej poshtë atyre të deklaruar.

Trupi gjykues evidentoi probleme edhe në deklarimet e Halucit për shitjen e një objekti bar-kafe në vitin 2003, ku sipas kontratës vlera e përfituar ka qenë në shumën 1.9 milionë lekë.

Nisur nga deklarimet e ndryshme të dhëna në vite nga Haluci, Komisioni konstatoi se kishte pasur mospërputhje për vlerën e shitjes dhe për veprimet bankare për shlyerjen e kredisë.

KPK ka hetuar edhe mbi ligjshmërinë e burimeve financiare për blerjen e këtij lokali nga Haluci në vitin 1998. Bazuar në përllogaritjet e shpenzimeve për ndërtimin e 1/3 së objektit tre kate në Tiranë, blerjen e tokës si dhe të shpenzimeve të tjera për periudhën 1997 – 2005, Komisioni konkludoi se Haluci ka qenë në mungesë të burimeve financiare të ligjshme për blerjen e ambjentit bar-kafe në vitin 1998, në vlerën 8,876,115 lekë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *