Gjyqtari Erarbër Madhi dhe avokati i tij, Julian Mërtiri pas seancës në KPA. Foto: Vladimir Karaj.
KPA Lajme

KPA mbyll hetimin për gjyqtarin Erarbër Madhi

Në një seancë të shkurtër në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, gjyqtari Erarbër Madhi dorëzoi si provë të re përmes avokatit të tij një email të përfaqësisë shqiptare në NATO lidhur me marrëdhënien e pretenduar të punësimit të babait të tij në Aleancën e Atlantikut Verior.

I lexuar në seancë nga përfaqësuesi ligjor, Julian Mërtiri, emaili nuk ofronte megjithatë ndonjë informacion.

“Megjithë kërkesat e njëpasnjëshme, nga burimet njerëzore të Sekretariatit të NATO-s nuk kemi mundur fatkeqësisht të marrim asnjë përgjigje zyrtare lidhur me marrëdhëniet që Z. Madhi ka pasur me këtë organizatë,” u citua emaili.

Erarbër Madhi, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, u konfirmua me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, por vendimi u kontestua fillimisht nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik.

Shkak për ankimin u bë një apartament dhe disa milionë lekë likujditete, që subjekti deklaron se i ka trashëguar pas vdekjes së nënës. Si burim kryesor për këto pasuri deklarohen të ardhurat nga puna e babait për disa organizata ndërkombëtare, përfshirë NATO-n.

Kryesuesja e trupës së Kolegjit, Rezarta Schuetz vendosi të pranojë dokumentin në cilësinë e provës dhe të mbyllë hetimin gjyqësor. Pasi palët kërkuan më shumë kohë për të paraqitur konkluzionet përfundimtare, seanca e radhës u vendos më 25 korrik, ora 13:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *