Gjyqtarja Irena Brahimi duke dalë nga, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA më 6 maj 2023. Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN
KPA Lajme

KPA dëgjon konkluzionet përfundimtare në çështjen e Irena Brahimit

Komisioneri Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin nga detyra të gjyqtares së Apelit, Irena Brahimi për “deklarim të pamjaftueshëm të pasurisë” të mërkurën, ndërkohë që Brahimi këmbënguli se kishte prapësuar të gjitha pikat e ankimit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit të saj.

E nisur me më shumë se 1 orë vonesë për shkak të problemeve teknike, seanca e konkluzioneve përfundimtare në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit ishte thuajse një përsëritje e qëndrimeve të mëparshme nga të dyja palët.

Gjyqtarja Brahimi ka punuar në gjykatën e shkallës së parë dhe atë të Apelit në Gjirokastër që nga viti 2001, ndërsa mori konfirmimin në detyrë në korrik 2020 pasi arriti të bindë trupën gjykuese në KPK për pasaktësitë dhe mungesën e burimeve.  Hetimi i KPK-së u konsiderua i pamjaftueshëm nga Komisioneri Publik, i cili e ankimoi çështjen.

Në Kolegj, çështja po shqyrtohet nga trupa e kryesuar nga Natasha Mulaj, me relator Sokol Çomo dhe anëtarë Ina Rama, Mimoza Tasi, Rezarta Schuetz.

Komisioneri Ballhysa tha se analiza paraprake e kryer nga Kolegji e nxirrte gjyqtaren në pamundësi financiare prej 3.1 milionë lekësh në total. Mungesat burojnë kryesisht nga përjashtimi i një pjese të të ardhurave të bashkëshortit nga punësimi në një laborator diagnostikues; nga shpenzimet e udhëtimeve në Greqi; shpenzimet e konsumit jetik si dhe shpenzimet e kryera për punime shtesë dhe arredimin e një apartamenti.

“Të ardhurat e bashkëshortit nga punësimi në një laborator diagnostikimi nuk përmbushin kriteret ligjore, pasi nuk konfirmohen nga ISSH,” tha Ballhysa.

Ai shtoi gjithashtu se shpenzimet e udhëtimeve ishin llogaritur sipas metodologjisë së Kolegjit ndërsa shpenzimet jetike sipas përllogaritjes së ILDKPKI përmes të dhënave të INSTAT.

Si konkluzion për hetimin pasuror, Ballhysa tha se gjyqtarja Irena Brahimi kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm dhe kërkoi shkarkimin e saj nga detyra. Ai u ndal dhe në vlerësimin e aftësive profesionale, duke kritikuar vendimin e KPK-së për delegimin e një çështjeje në zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë përtej parashikimit ligjor 5-vjeçar.

Në seancë, Ballhysa theksoi nevojën që Kolegji të normojë vendimet e KPK-së për transferimin e çështjeve në ILD përtej këtij parashikimi, duke e konsideruar këtë një shmangie nga vendimarrja.

Ndryshe nga Komisioneri Publik, gjyqtarja Irena Brahimi këmbënguli se i kishte sqaruar të gjitha pikëpyetjet mbi pasurinë dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK-së.

Brahimi u ndal në të gjitha pikat e ankimit, duke pretenduar se kishte provuar të ardhurat e bashkëshortit nga punësimi në laboratorin mjekësor, ndërsa kundërshtoi llogaritë e shpenzimeve për udhëtime dhe konsum jetik.

“Kam dorëzuar akte që provojnë katërcipërisht punësimin e bashkëshortit si drejtues teknik i laboratorit,” tha Brahimi, duke iu referuar licensave për ushtrimin e aktivitetit të lëshuara në emrin e tij.

Brahimi i konsideroi detyrim ligjor të punëdhënësit pagesat e detyrimeve dhe kërkoi korrigjimin e analizës bazuar mbi legjislacionin për taksat.

Gjyqtarja e Apelit solli gjithashtu në vëmendje të Kolegjit vendimin e Gjykatës së Strasburgut për çështjen “Sevdari kundër Shqipërisë” lidhur me tatimin e të ardhurave të ligjshme.

Duke iu referuar udhëtimeve në Janinë, ajo tha se i ishin llogaritur me të njëjtën vlerë prej 50 euro si udhëtimet brenda ditës, ashtu edhe ato me një natë qëndrim.

“Vetëm për shkak të udhëtimeve, analiza financiare është rënduar me një vlerë të konsiderueshme prej 800 mijë lekësh,” tha ajo.

Brahimi pretendoi gjithashtu se ishte ngarkuar me kosto të padrejta të punimeve shtesë të kryera në apartamentin e saj dhe shtoi se kishte provuar me kontratat e fqinjëve se çmimi i blerjes së apartamentit nuk ishte preferencial.

Gjyqtarja i dha të drejtë Komisionerit për transferimin e një çështje të gjykuar prej saj në ILD dhe shtoi se kishte dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme mbi atë që e quajti “gabim njerëzor”.

Në fund të seancës, ajo këmbënguli se kishte prapësuar të gjitha pikat e ankimit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit të saj.

Trupa gjykuese u tërhoq për vendim, të cilin njoftoi se do ta shpallë më 24 korrik.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *