Prokurori Agron Bushati në KPK | Foto: Edmond Hoxhaj/BIRN
KP Lajme

Konfirmimi i prokurorit Agron Bushati ankimohet në Kolegj

Komisionerja Publike, Irena Nino ankimoi të premten më 3 nëntor vendimin e konfirmimit në detyrë të prokurorit të Shkodrës, Agron Bushati, duke kërkuar shkarkimin e tij për probleme në kriterin profesional, si dhe evidenton se mosveprimet e këtij subjekti në hetimin e disa procedimeve, si dhe në një rast nxjerrja e armëve të ftohta nga dhoma e provave të prokurorisë dhe mbajtja e tyre në ambjent privat, e vendosin në situatën e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia.

Prokurori Agron Bushati u përball më 27 shtator me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u pyet dhe dha përgjigje më së shumti lidhur me një denoncim të orëve të fundit, në të cilin ishte paraqitur një video ku shfaqej subjekti me armë të ftohta, prova të prokurorisë, teksa në makinën e parkuar në rrugë lunate me të bijën, për të cilën ai sqaroi se praktikon artet marciale. Subjekti kërkoi që kjo video të mos cënonte karrierën dhe pagën e tij, që e cilësoi si të ardhurën kryesore për familjen. KPK nuk evidentoi probleme penalizuese në kriterin e pasurisë dhe të figurës, ndërsa në aspektin profesional u trajtuan masat disiplinore të marra ndaj tij, si dhe disa denoncime e kallëzime penale.

Në përfundim të hetimit administrativ dhe vlerësimit të gjetjeve, KPK vendosi po më 27 shtator ta konfirmojë në detyrë Bushatin, ndërkohë që u transferuan për verifikim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ILD të dhënat e denoncimit të fundit.

Por, Komisionerja Nino çmon se vendimi i Komisionit për Bushatin përmban shkaqe ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim, nëpërmjet ankimit.

Nino arsyeton lidhur me jurisprudencën e Kolegjit për kompetencën e Komisionit në transferimin e çështjeve pranë ILD-së. Ajo thekson se për këtë gjë, KPA ka vendosur standardin e plotësimit të dy kushteve në mënyrë kumulative – e para se duhet të përmbajnë shkelje joserioze pa pasoja të rënda procedurale për palët dhe e dyta duhet të jetë brenda afatit pesë vjeçar nga momenti kur ka ndodhur shkelja. “…Nëse një ankesë paraqitet pas pesë vjetëve nga koha kur ka ndodhur shkelja e pretenduar, Inspektori i Lartë i Drejtësisë nuk verifikon ankesën për shkak të parashkrimit”, vëren Komisionerja dhe shton se këtij rregullimi procedural, KPA i ka dhënë fuqi nëpërmjet orientimit të Komisionit për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme.

Në vijim, Nino parashtron edhe jurisprudencën e Kolegjit lidhur me shkakun ligjor të “cenimit të besimit të publikut në sistemin e drejtësisë”, që ka vendosur standardin se është plotësisht e përshtatshme që institucionet e rivlerësimit të japin masën disiplinore të shkarkimit nga detyra.

“Për sa i përket matjes së cenimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë, jurisprudenca e Kolegjit ka vendosur standardin që institucionet e sistemit të drejtësisë duhet të gjenerojnë besim të vazhdueshëm te publiku, duke vepruar në mënyrë efektive dhe të drejtë, në përputhje me legjislacionin dhe duke e demonstruar këtë te qytetarët”, citohet në ankim.

Sipas Komisioneres, ka një sërë sjelljesh nëpërmjet të cilave subjektet e rivlerësimit minojnë integritetin e institucioneve të drejtësisë dhe cenojnë besimin e publikut në sistemin tonë të drejtësisë, përmes korrupsionit, marrëdhënieve të rreme, shkeljes së betimit si nëpunës publik, veprimit në situatën e konfliktit të interesit, paaftësisë në punën profesionale, vendosjes së interesave private përpara interesit publik, etj..

Shkaqet për profesionalizmin

Gjatë hetimit të kriterit profesional, KPK ka konstatuar se subjekti ka zvarritur procedimet penale për periudha të gjata kohore dhe i ka kërkuar shpjegime. Pas analizimit të shpjegimeve të Bushatit, Komisioni ka vlerësuar se janë në nivel deklarativ dhe të pashoqëruar me prova për të mbështetur pretendimet e tij, megjithëse duken bindëse. Për rrjedhojë, është konkluduar se Bushati ka shfaqur mangësi në kriterin e aftësive organizative.

Në vijim të arsyetimit, KPK ka konstatuar se për këto mangësi ndaj subjektit është marrë një masë disiplinore dhe se ai nuk ka vijuar më tej me kryerjen e të njëjtave veprimeve. Bazuar në këto gjetje, Komisioni ka vlerësuar se ato janë korrigjuar nga Bushati përgjatë 14 viteve pune në vijim të tij, pasi nga 5 dosjet e përzgjedhura me short dhe nga 3 vendimet e depozituara prej tij nuk janë konstatuar zvarritje të procedimeve penale. Për këto arsye, KPK ka çmuar se problemet e evidentuara nuk mund të jenë penalizuese.

Por, Komisionerja Nino sjell në vëmendje se një procedim i vitit 2003, është regjistruar për veprën penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe veprën penale “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ku marzhi minimal i dënimit fillon me burgim pesëmbëdhjetë vjet dhe se ushtrimi i ndjekjes penale nuk parashkruhet pa kaluar njëzet vjet. Ajo vlerëson se shkelja në këtë rast për mosveprimin e subjektit, është e tillë që kualifikohet në ato që cenojnë besimin e publikut te drejtësia.

Nino paraqet qëndrim ndryshe nga Komisioni edhe lidhur me një denoncim ku pretendohet se subjekti ka humbur fashikullin e një procedimi penal të vitit 2022. KPK ka arritur në përfundimin se në dosjen e ankesës nuk paraqiten shkaqe apo rrethana për të treguar veprime të njëanshme apo korruptive nga ana e subjektit të rivlerësimit.

Komisionerja evidenton se sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë të administruar në dosjen e Komisionit, Gjykata e Apelit Shkodër ka konstatuar se prokurori Agron Bushati nuk ka kryer veprime që ligji e detyron t’i kryejë, ç’ka qartazi përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij. Edhe në këtë rast, Nino vlerëson se shkelja e konstatuar në mosveprimin e subjektit të rivlerësimit është e tillë që kualifikohet në ato që cenojnë besimin e publikut te drejtësia.

Mbajtja e armëve të ftohta

Nino parashtron në ankim edhe rrethanat e konstatuara gjatë hetimit administrativ pas denoncimit të fundit ndaj Bushatit, ku janë ngritur pretendime se ai nën kërcënimin e armëve të ftohta, ka kërcënuar e kanosur një qytetar në mes të qytetit. Denoncimit i është bashkëngjitur edhe një video ku shfaqet prokurori Bushati me armë të ftohta në duar, një thikë dhe një dorezë grushti.

Gjatë seancës dëgjimore, subjekti shpjegoi se ngjarja ka ndodhur në vitin 2017-2018, në makinën e tij, me bashkëshorten e cila ka regjistruar videon dhe vajzën e tij, zëri i së cilës dëgjohej duke qeshur. Ai tha se ishte një ngjarje intime brenda familjes, një shaka që po bënte për të ngritur humorin e vajzës, e cila kishte pasur një ditë jo të këndshme dhe ai kishte dashur ta bënte për të qeshur, duke u hequr si një personazh i filmave vizatimorë. Po ashtu, Bushati theksoi se kjo ngjarje nuk ka pasur lidhje me asnjë qytetar dhe nuk ka pasur elemente kanosjeje ndaj askujt. Por, ai pranoi se armët e ftohta i kishte marrë për pak minuta nga dhoma e provave të Prokurorisë ku punonte, duke pretenduar se të tilla mjete mund të bliheshin në atë kohë në treg, lirisht.

KPK vendosi të dërgojë këtë denoncim pranë ILD-së, me qëllim hetimin e mëtejshëm në funksion të mundësisë për shkeljen e etikës nga prokurori Bushati.

Nino vlerëson se veprimi i kryer nga subjekti vjen në kundërshtim me standardet e etikës dhe rregullave të sjelljes së magjistratit. Ajo konstaton se ngjarja ka ndodhur në vitin 2017, para gjashtë viteve dhe duke ju referuar jurispudencës së Kolegjit, çmon se kjo shkelje efektivisht nuk është objekt kontrolli nga organet e tjera.

Komisionerja Publike vëren se sjellja e subjektit bie ndesh me mënyrën e sjelljes që pritet nga një prokuror, i cili duhet të kujdeset që veprimet e tij të jenë në përputhje me detyrimet e marra përsipër. Sipas saj, Bushati e ka vendosur veten në situatën e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia me këto veprime.

Në përfundim, Nino kërkon shkarkimin nga detyra të prokurorit të Shkodrës, Agron Bushati.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *