Gjyqtari Pëllumb Zaimi (djathtas)pas seancës dëgjimore në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA çel hetimin gjyqësor të çështjes së gjyqtarit Pëllumb Zaimi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të enjten me parashtrimet e çështjes së gjyqtarit të Beratit, Pëllumb Zaimi dhe vendosi çeljen e hetimit gjyqësor, duke administruar si prova pjesën më të madhe të akteve të dorëzuara nga ky subjekt rivlerësimi. Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u qëndroi shkaqeve të ankimit të ngritura për etikën, profesionalizmin dhe pasurinë, duke këkruar shkarkimin e Zaimit me arsyetimin se në vlerësimin tërësor, ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm për t’u konfirmuar në detyrë. Gjyqtari Pëllumb Zaimi, i cili ka kryer edhe apel kundërshtues, i cilësoi të pabazuara petendimet e Komisionerit dhe kërkoi lënien në fuqi të vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin e tij.

Gjyqtari Pëllumb Zaimi u konfirmua më 18 tetor 2022 nga Komisioni, i cili nuk i gjeti penalizuese balancat negative për dy vite, të cilat u cilësuan gjatë seancës dëgjimore nga vetë subjekti si modeste. Po ashtu, KPK nuk gjeti probleme shkarkuese edhe gjetjet për raste të konfliktit të interesit në dukje në shqyrtimin e disa çështjeve, si dhe në të dhënat e një raporti të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK për dyshime për veprime korruptive, dosje që u trajtuan në aspektin profesional.

Pëllumb Zaimi e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 në Skrapar dhe pas mbylljes së asaj gjykate vitin 2007, u emërua në 2008-ën në Gjykatën e Beratit, ku dhe e ushtron aktualisht detyrën.

Ballhysa parashtroi se nga çështjet gjyqësore të analizuara për shkak të denoncimeve të paraqitura në Komision, ndër të tjera janë evidentuar rrethana në të cilat duket se subjekti ka ushtruar detyrën në kushtet e konfliktit të interesit.

Ai vërejti se subjekti ka gjykuar 12 çështje ku palë e tretë ka qenë Agjencia Shtetërore e Kadastrës, ASHK Berat, me drejtuese vajzën e tij.

Komisioni ka konkluduar se konflikti i interesit, në raport me pozitën e palës së tretë ndërgjyqëse në proces, mbetet në nivel të parëndësishëm dhe nuk i ka konsideruar këto gjetje me pasojë.

Por, Ballhysa vlerëson se të drejtat procedurale të personit të tretë janë të njëjta me ato të palëve në proces, përveç atyre të drejtave që përbëjnë disponim të objektit të padisë. Sipas Ballhysës, nuk qëndron as pretendimi i Zaimit, se çështjet janë regjistruar në gjykatë para se vajza e tij të emërohej si drejtuese e ASHK-së Berat. Ai arsyetoi ndër të tjera se, drejtësia jo vetëm duhet të jepet, por edhe të duket se po jepet.

Sipas Komisionerit, subjekti nuk është treguar i kujdesshëm në trajtimin e situatës së konfliktit të interesit në këto çështje.

Gjyqtari Pëllumb Zaimi u shpreh në fillim të fjalës së tij, se kishte depozituar dokumentacion të bollshëm në Komision dhe po ashtu, edhe në KPA.

Subjekti i cilësoi dashakeqe denoncimet e depozituara ndaj tij dhe këmbënguli se në çështjet ku palë ka qenë ASHK Berat me drejtuese vajzën, nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi ky institucion ishte si palë e tretë. Ai argumentoi se ASHK ishte formalisht në cilësinë e personit të tretë, por pa pasur asnjë interes në këto çështje. “ASHK nuk ka pasur asnjëherë interes të ligjshëm. Për personat e tretë gjykimi nuk passjell të drejta apo detyrime”, pohoi Zaimi ndër të tjera dhe referoi vendime të Gjykatës së Lartë që sipas tij arsyetojnë në të njëjtën mënyrë.

Komisioni ka konstatuar të pamjaftueshme për penalizim të Zaimit edhe një gjetje për situatë të konfliktit të interesit në gjykimin e 15 çështjeve ku palë ndërgjyqëse ka qenë një shoqëri ku bashkëshortja dhe subjekti rezultojnë aksionerë, me përqindje minimale.

Ndërsa Komisioneri Ballhysa u shpreh se konflikti interesit provohet nga gjykimi i çështjeve me palë këtë shoqëri nga ana e subjektit.

Gjyqtari Zaimi deklaroi se nuk i kishin pasqyruar këto bono në deklaratën “veting”, pasi nuk kishin pasur dijeni. Ai shtoi se nuk kishin ushtruar ndonjëherë të drejta mbi aksionet apo të kishin përfituar prej tyre. Sipas, subjektit, gjyqtari është i detyruar të heqi dorë kur ka interes në çështjen që gjykon, ose kur ka mosmarrveshje.

Subjekti argumentoi se, megjithëse duket se ka konflikt intresi, në këtë rast interesi është aq i vogël sa nuk kërkon përjashtimin e gjyqtarit, pasi nuk mund të ndikojë në gjykim.

Për shkaqet e ngritura në aspektin profesional, Ballhysa parashtroi rreth fashikujve penalë të administruar nga Gjykata e Beratit në funksion të verifikimit të kryer nga DSIK në kontrollin e figurës, ku janë trajtuar informacione të institucioneve ligjzbatuese për përfshirje të subjektit në veprime korruptive.

Sipas Ballhysës, shkeljet profesionale të subjektit në këto çështje marrin kuptim e tjetër peshë kur konsiderohen së bashku me informacionet e dërguara prej agjencive ligjzbatuese. Po ashtu, evidentoi se ka mangësi në drejtim të njohurive ligjore. Ai kërkoi që këto çështje të trajtohen në vlerësimin e përgjithshëm të gjyqtarit Zaimi.

Gjyqtari Zaimi i kundërshtoi shkaqet e Komisionerit duke theksuar se nuk qëndronte pretendimi për mungesë të njohurive të duhura ligjore.

Lidhur me 25 denoncimet e paraqitura nga publiku, KPK nuk ka gjetur probleme penalizuese, por Komsioneri vlerëson se disa prej pretendimeve të denoncuesve qëndrojnë.

Ballhysa konstatoi se subjekti në gjykimin e një çështjeje ka paraqitur sjellje jo etike që cënojnë kodin e etikës së magjistratit. Në një tjetër rast, sipas Komisionerit, Zaimi ka shpallur fajtor një person që për të njëjtin fakt është shpallur viktimë në një tjetër gjykim me gjyqtar tjetër.

Subjekti nuk pranoi të kishte përdorur fjalor të keq gjatë gjykimit. Ai tha se fjala “kamare” nuk është fyese. Sipas tij, në dialektin e zonës prej nga vjen, fjala “kamare” tregon një vrimë në mur ku vendosen filxhanët e kafesë.

Lidhur me shpalljen fajtor të një shtetasi të gjykuar për të njëjtën situatë ku ai ishte deklaruar viktimë nga një gjyqtar tjetër, Zaimi sqaroi se bëhej fjalë për dy konflikte të ndryshme brenda ditës, ku në një rast njëra palë ishte agresore dhe në rastin e mëvonshëm të po asaj dite, viktima në ngjarjen e parë, kishte qenë në rolin e agresorit.

Në parashtrimet e shkaqeve të ankimit, u evidentuan disa balanca negative jo domethënëse në tre vite, por për të cilat Ballhysa kërkoi që të konsiderohen në vlerësimin tërësor të çështjes

Në vijim, Ballhysa konstatoi se subjekti nuk ka pasqyruar në deklaratën “veting” një apartament në përdorim në Berat, ku ka jetuar me familjen për rreth 10 vjet. Sipas Komisionerit, aktet e dorëzuara nga subjekti paraqesin të dhëna kontradiktore ndërmjet tyre lidhur me të drejtat reale të pronësisë e për rrjedhojë krijohen kushtet e pamundësisë objektive për të kontrolluar këtë pasuri.

Zaimi shpjegoi se kishte përdorur liberzat në emër të pronarit pasi nuk mund të merrnin kontratë. Sipas tij, kur ishte formalizuar ishin lidhur dhe kontratat në emrin e tij. Subjekti këmbënguli se vërtetohej se ky apartament është blerë nga një shtetas tjetër para dy vitesh.

Në përfundim, Zaimi kërkoi të mos pranohet ankimi i Komisionerit Publik dhe që të lihet në fuqi konfirmimi i tij.

KPA vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe administroi si prova pjesën më të madhe të akteve të dorëzuara nga subjekti. Në përfundim, Kolegji u kërkoi palëve që të përgatisin konkluzionet përfundimtare për t’i paraqitur në seancën e radhës më 7 dhjetor, në orën 10:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *