Gjyqtari Kastriot Gramshi pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme Veting

KPA dëgjon konkluzionet përfundimtare në çështjen e Kastriot Gramshit

Komisioneri Publik, Florian Ballhysa u qëndroi të martën më 14 shkurt 2023 shkaqeve të ankimit kundër konfirmimit në detyrë të gjyqtarit Tiranës, Kastriot Gramshi dhe kërkoi shkarkimin e tij për balanca negative në krijimin e pasurive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, përpara fillimit të detyrës. Gramshi i kundërshtoi si të pabazuara konkluzionet e Komisionerit dhe argumentoi se kishte pasur të ardhura të mjaftueshme që i tejkalonin investimet e kryera, që sipas tij e kishin kaluar testin e ligjshmërisë dhe të pastrimit të parave nga institucionet përkatëse amerikane. Ai kërkoi lënien në fuqi të konfirmimit të tij.

Gramshi u konfirmua në detyrë më 25 mars 2022. Gjatë dy seancave dëgjimore më 15 shkurt dhe 24 mars, ai dha shpjegime më së shumti për të ardhurat nga aktiviteti tregtar i babait në vitet 1992-1999 si dhe për të ardhurat nga puna e tij dhe e familjarëve në SHBA, ku ka jetuar për më shumë se një dekadë si azilant, duke përfituar dhe nënshtetësinë. Gramshi u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe nuk u evidentuan probleme për profesionalizmin.

Por vendimi i KPK nuk u gjet i bazuar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, ONM, që çmoi se vlerësimi korrekt i të gjitha çështjeve në kriterin e pasurisë do të çonte në shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Gramshi. ONM kërkoi që të kryhet një analizë e plotë financiare për të gjithë vitet, prej 2003-shit kur subjekti ka mbërritur në SHBA dhe në vijim, që u parashtrua edhe prej komisionerit në ankim dhe gjatë shqyrtimit të çështjes në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, KPA.

Kastriot Gramshi e ka filluar karrierën si gjyqtar në vitin 1999 në Shkodër dhe në vitin 2004 është larguar nga detyra me kërkesën e tij. Përpara se të kthehej në Shqipëri dhe të riniste karrierën si gjyqtar në vitin 2014, ai ka punuar si pedagog i së drejtës penale në SHBA. Gramshi punon prej tetë vitesh pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.

Konkluzionet për pasurinë

Komisioneri Publik i qëndroi pretendimit se Gramshi ka mungesa burimesh financiare për pagesën e një pjese të çmimit të një apartamenti të blerë në vitin 2012 në Nju Jork të SHBA-së për çmimin 290 mijë USD, si dhe për dy depozita të krijuara përpara fillimit të detyrës.

Subjekti ka shpjeguar fillimisht se ka parapaguar shumën 29 mijë USD dhe se ka marrë kredi vlerën 261 mijë USD për shlyerjen e çmimit të apartamentit. Gjatë dy pyetësorëve ka deklaruar se ka marrë kredi në shumën 261 mijë USD, ndërsa në pyetësorin e tretë ka deklaruar se kësti i parë në shumën 29 mijë USD është paguar prej tij dhe të vëllait, ndërsa kredia bankare ka qenë në shumën 217 mijë USD. Për të finalizuar kontratën e shitjes është nevojitur që diferenca e mbetur të mbulohej sërish prej subjektit dhe të vëllait dhe për rrjedhojë është paguar kësti i dytë në vlerën 46 mijë e 680 USD.

Ballhysa vëren se rrethanat e pasqyruara në deklaratën para fillimit të detyrës, ato në deklaratën “veting” dhe përgjigjet gjatë hetimit administrativ në Komision deri në pyetësorin e tretë, janë jo të plota mbi burimin e krijimit të pasurisë. Gjatë parashtrimeve Ballhysa theksoi se subjekti ka kryer deklarime të pasakta e të paplota për shumën e kredisë, si dhe deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për pagesën e këstit të dytë.

Të martën, komisioneri u shpreh se edhe pas shqyrtimit të akteve të dorëzuara nga subjekti në Kolegj nuk e ndryshonte qëndrimin e tij për pamundësinë financiare. Sipas tij, subjekti nuk arriti të provojë të kundërtën për konstatimet pamjaftueshmëritë e konstatuara bazuar në analizën e filluar prej vitit 2003, kur Gramshi ka filluar të jetojë në SHBA.

Lidhur me pretendimin e Gramshit për zbritjen nga shpenzimet jetike të vlerës së qirasë, pasi ishte përllgaritur edhe si zë i vetëm tek shpenzimet, Ballhysa vërejti se subjekti nuk e ka prapësuar këtë situatë në hetimin administrativ në KPK.

Sipas komisionerit, edhe nëse do të përfshihej në analizën financiare një shumë 20 mijë USD e transferuar nga Shqipëria në vitin 2003 dhe nëse shpenzimet jetike do të përllogariteshin minimale, sërish subjekti do të reuzltonte në pamundësi financiare dhe se kishte kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për apartamentin dhe depozitat.

Ballhysa këmbënguli se Gramshi nuk arriti të provojë se është gjendur në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumente të ardhurat në vitet 2003 dhe 2004. Sipas komisionerit, subjekti ka pasur mundësi që në vitin 2014 të sigurojë dokumentet në vitin 2014, të cilat sipas Gramshit ruhen vetëm për 10 vjet nga institucionet amerikane.

Komisioneri Ballhysa konkludon se pamundësia financiare për apartamentin dhe depozitat, do të afektonte analizën financiare të vitit 2015, duke rezultuar me balancë negative. Në përfundim, ai kërkoi shkarkimin e gjyqtarit Kastriot Gramshi nga detyra.

Gramshi e konsderoi ankimin të pabazuar në ligj e në prova. Gjithashtu, ai e cilësoi atë në kundërshtim me jurispudencën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas subjektit, në këtë rast ai është ngarkuar me një barrë të pakapërsyeshme, që bazohet vetëm në rekomandimin e ONM-së dhe vetëm për çëshgtje që i përkasin një periudhe të largët prej rreth 19-vjet më parë. Gramshi pretendoi se gjendet në kushtet e pamundësisë objektive për të siguruar dokumentacion për gjithë të ardhurat në vitet 2003 dhe 2004 në SHBA, por ai këmbënguli se kishte provuar se kishte qenë në marrdhënie punësimi së bashku me të atin.

Pasaktësitë në deklarime ai i cilësoi formale dhe pa pasoja. “Këto pasuri janë krijuar kur jetoja në SHBA dhe nuk ushtroja detyrën, janë pasuri të krijuara me të ardhura të ligjshme në SHBA dhe e kanë kaluar testin e ligjshmërisë dhe të pastrimit të parave”, deklaroi ndër të tjera Gramshi.

Ai vërejti se Komisioneri është bazuar vetëm në rekomandimin e ONM-së, ndërsa theksoi se vetëm operacioni ndërkombëar nuk bazohej në gjetje të tij. “Nuk kanë kryer hetim për të konkluduar mbi dokumente autentike që mund ti siguronin në SHBA”, pohoi Gramshi.

Sipas tij, pas ngritjes së pretendimit në KPK për pamundësinë objektive për të siguruar dokumente për periudhën 2003-2004, ONM duhej të kërkonte aktivisht në SHBA dokumentet, në drejtim të një hetimi të drejtë dhe objektiv.

Gramshi ritheksoi se verifikimi i pasurive të tij nuk po kryhej në legjislcionin e duhur. Sipas subjektit, vetë legjislacioni i vetingut referon përdorimin e legjislacionit përkatës që është në funksion të procesit të rivlerësimit. Gjyqtari Gramshi këmbënguli se për verifikimi i ligjshmërisë së pasurive të tij të krijuara në SHBA dhe përpara fillimit të detyrës, duhej të bazohej në ligjin e vitit 2011 “Për të drejtën ndërkombëtare private”.

Bazuar në këto argumente, ai pretendoi se ligjshmëria e pasurive të tij duhet të verifikohet bazuar në legjislacionin amerikan. Ai ripërsëriti se pasuritë e krijuara në SHBA e kanë kaluar testin e ligjshmërisë nga institucionet e atij vendi.

Në vijim, Gramshi u ndal në pamundësinë objektive pë rtë siguruar dokumente pë rtë ardhurat në vitet 2003 dhe 2004. Ai renditi legjislacionin amerikan dhe aktet, sipas të cilave rregullohet në SHBA pagesa e taksave. Subjekti deklaroi se kishte provuar se aid he babai kishin qenë të punësuar në këto vite.

Lidhur me pretendimin për moskonsiderimin e qirasë, Gramshi vërejti se edhe pa u konsideruar kjo vlerë ai kishte arritur ta përmbyste balancën negative të onstatuar fillimisht nga Komisioni. Sipas tij, balanca negative ishte konstatuar fillimsiht për shkak të mosnjohjes së legjislacionit.

Por, ai këmbënguli se dublimi i zërit të shepnzimeve për qiranë edhe në shpenzimet jetike, duke u përllogaritur dy herë nuk ishte i drejtë. Sipas tij, shpenzimet për qiranë të përfshira në shpenzimet jetike zënë rreth 36% të vlerës së këtyre të fundit.

Subjekti deklaroi se autoritetet ligjzbatuese amerikane nuk kanë ngritur dyshime mbi burimin e këtyre pasurive. “dokumentet sfmojnë çdo keq orientim të analizës së ONM dhe zbehin çdo dyshim”, tha Gramshi.

Gjyqtari Gramshi sqaroi se në vitet 2003 dhe 2004 nuk kishte krijuar kursime dhe se do të ishte objektive mospërfshirja e kësaj periudhe në analizën financiare në KPA.

Ai solli në vemendje vendimin e GJEDNJ-së në çështjen Sevdari kundër Shqipërisë, duke vërejtur se vendimarrja duhet të jetë e kujdeshme dhe e bazuar në parimin e proporcionalitetit.

Sipas Gramshit, Komisioneri Publik nuk citoi në konkluzionet e tij asnjë përcaktim të legjislacionit të vetingut të magjistratëve që ka të bëjë me shkarkimin. Ai shtoi se nuk bëhet analizë konkrete e pronave, për të arritur në konkluzionin e komisionerit.

Subjekti vërejti se komisioneri ishte shprehur se nuk kishte pasur nevojë për më shumë kohë për të paraqitur konkluzionet përfundimtare, megjithëse provat që kishte dorëzuar kishin nevojë për kohë për t’u shqyrtuar.

Gramshi pohoi se komisioneri i referohet shpesh rekomandimit të ONM-së për të përligjur kërkimin për shkarkimin. Sipas tij në ankim dhe në rekomandim nuk ka argumente të arsyeshme për ndryshimin e vendimit. Subjekti pretendoi se për çdo vit rezulton me bilanc pozitiv dhe se ndonjë pasaktësi në deklarim nk mund të sjellë pasoja.

Përfaqësuesi ligjor i Gramshit, avokati Julian Mërtiri ritheksoi se pasuritë kjanë krijuar disa vite përpara se subjekti të fillonte detyrën, si dhe se pagesat ishin kryer nëpërmjet transaksioneve bankare.

Sipas Mërtirit, pamundësia objektive për të siguruar dokumentet për vitet 2003-2004 ka lindur në momentin e plotësimit të deklaratës “veting”, kur dhe është kërkuar plotësimi i të dhënave përkatëse.

Ai pretendoi se shtëpia dhe depozitat justifikohen me të ardhurat e krijuara prej vitit 2005 e në vijim, si dhe kërkoi uljen e shpenzimit të qirasë në masën 36%. Në përfundim, Mërtiri kërkoi që vlerësimi të kryhet edhe bazuar në parimin e proporcionalitetit dhe objektivitetit.

Pasi u njoh me konkluzionet përfundimtare të palëve, KPA mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 2 mars, në orën 15:30.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *