Gjyqtari Genti Shala | Foto : Edmond Hoxha
KPA Lajme Vendi

KPA hap dhe mbyll hetimin gjyqësor për gjyqtarin Genti Shala

Komisioneri Publik kërkoi hetimin e një denoncimi ku ngrihen dyshime se gjyqtari Genti Shala ka fshehur ortakërinë në një shoqëri ndërtuese, si dhe të një huaje të pahetuar nga KPK, pretendime që u kundërshtuan nga subjekti i rivlerësimit.

Gjyqtari Genti Shala | Foto : Edmond Hoxhaj

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA çeli dhe mbylli shqyrtimin gjyqësor të enjten për ankimin e kryer nga Komisioneri Publik ndaj vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të gjyqtarit të Apelit të Tiranës Genti Shala. Çelja e shqyrtimit gjyqësor u vendos pasi palët paraqitën parashtrimet.

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Genti Shala u konfirmua në detyrë më 4 gusht nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, ndërsa një çështje e gjykuar prej tij u transferua për inspektim në ILD. Vendimi i zbardhur i KPK-së tregon se gjyqtari Shala mori vlerësime pozitive për figurën dhe profesionalizmin, ndërsa arriti të bindte trupën gjykuese se një apartament i blerë në vitin 2000 për të cilin u ngritën dyshime për pronësinë, i përkiste në të vërtetë tezes së tij.

Një ditë para se të përfundonte afati i ankimit të Komisionerit, pranë Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM mbërriti një denoncim anonim që ngrinte dyshime se gjyqtari Shala kishte fshehur aksione në një shoqëri ndërtuese. ONM i rekomandoi Komisionerit ankimin e vendimit të KPK me qëllim hetimin e këtij denoncimi, si dhe të një kontrate huaje të vitit 2015 me argumentin se mund të sillte ndryshim në analizën financiare.

Rekomandimi i ONM u prit me dy qëndrime nga komisionerët publikë Darjel Sina dhe Florian Ballhysa. Sina u shpreh se e kishte analizuar çështjen me ekipin e tij dhe kishin dalë në përfundimin se vendimi i Komisionit ishte i drejtë. Nga ana tjetër, Ballhysa ushtroi ankim duke u bazuar plotësisht në rekomandimin e ONM-së. Ai kërkoi rihetimin e gjyqtarit Shala për denoncimin e kryer për fshehje pasurie dhe për huanë e vitit 2015.

Institucioni i Komisonerëve Publikë u përfaqësua në seancën e të enjtes nga Darjel Sina. Ai shpjegoi se Ballhysa, i cili ka ushtruar ankimin, e kishte pasur të pamundur të paraqitej pasi gjendet jashtë shetit. Sina pohoi se do ti paraqiste ai parashtrimet dhe qëndrimet e Ballhyës.

Sipas Sinës, ankimi është ushtruar për shkak të hetimeve te pakryera për elementet e reja të evidentuara në rekomandimin e ONM-së – dyshimet për disponimin e aksioneve në një shoqëri nga ana e subjektit të rivlerësimit si dhe për një hua të marrë në vitin 2015.

Sina sqaroi se në denoncim pretendohet se gjyqtari Genti Shala zotëron 15% të aksioneve të shoqërisë ndërtuese “Sky 07 Construction sh.p.k”, me administrator Leonard Lulaj. ‘Duhen hetuar se janë fakte të reja”, tha Sina. Ai shtoi se në shkresën e Ministrisë së Drejtësisë ku pasqyrohen veprimet noteriale të subjektit, ështe identifikuar një kontratë huaje me shtetasin N.K.. Sipas komisionerit, kjo kontratë huaje nuk është hetuar nga KPK dhe se hetimi i saj mund të sillte ndryshimin e analizës financiare. Për tre denoncime të tjera të depozituara pranë Kolegjit, Sina u shpreh se nuk janë gjetur rrethana apo indicie për t’ju nënshtruar hetimit.

Në përfundim Komisioneri kërkoi të riçelet hetimi dhe të administrohet në Gjykatën e Tiranës gjithë dokumentacioni i regjistrimit të shoqërisë ndërtuese “Sky 07 Construction sh.p.k.”.

Gjytari Shala i kundërshtoi kërkimet e Komisonerit. Ai theksoi se denoncimi ku pretendohet për zotërimin e 15% të kuotave në shoqërinë ndërtuese nuk është i vërtetë. “Deklaroj me përgjegjësi të plotë morale dhe ligjore se është denoncim i rremë”, deklaroi Shala.

Ai evidentoi se sipas hetimit administrativ të kryer në KPK, marrdhënia e vetme e tij me këtë shoqëri ndërtuese është blerja e një banese. Shala sqaroi se Komisioni ka konkluduar se ai ka pasur burime të mjaftueshme për të kryer këtë investim. Lidhur me dyshimet e ngritura për trajtim preferencial gjatë hetimit administrativ, Shala shpjegoi se kishte dorëzuar në KPK disa kontrata të tjera shitblerje që vërtetonin se ai nuk kishte pasur trajtim preferencial në këtë transaksion. Gjithashtu, Shala tha se nuk kishte rezultuar që të kishte pasur konflikt interesi pasi ai nuk kishte shqyrtuar ndonjë çështje të shoqërisë apo të administratorit.

Gjyqtari Shala deklaroi se kishte dorëzuar në KPA dokumente të Qëndrës Kombëtare të Biznesit, QKB për regjistrimin dhe historikun e kësaj shoqërie prej nga rezulton se nuk ka asnjë lloj lidhje. “Për këtë shkak ankimi kërkoj që Kolegji të konstatojë se marrëdhënia ime me këtë shoqëri është në përputhje me ligjin dhe me detyrën e gjyqtarit”, pohoi Shala.

Lidhur me huanë dhe ndikimin në analizën finaciare të vitit 2015, Shala shpjegoi se nuk bëhej fjalë për marrjen hua të ndonjë vlere monetare, por për huapërdorjen e një automjeti. Ai pretendoi se Ministria e Drejtësisë e kishte paraqitur si hua për shkak të formatimit teknik të informacioneve.

“Huadhënësi më jep të drejtën për përdorimin e automjetit brenda dhe jashtë vendit. Kjo pasqyrohet edhe në sistemin TIMS. Kontrata është fakt i njohur për KPK dhe është hetuar, prej nga është vërtetuar që nuk kam pasur konflikt interesi”, shpjegoi Shala.

Ai kërkoi që KPA të marrë në konsideratë dokumetacionin e kontratës noteriale për huapërdojen e mjetit të dorëzuar prej tij dhe të konstatojë se nuk ka asnjë efekt në analizën financiare.

Megjithëse Komisoneri nuk ngriti pretendime për denoncimet e tjera tw kryera pranw KPA-sw, subjekti dha shpjegime për secilën dhe i konsideroi ato të pabazuara. Në fund gjyqtari Shala kërkoi lënien në fuqi të vendimit të KPK.

Sina e konsideroi dokumentacionin e dorëzuar nga subjekti lidhur me të dhënat e shoqërisë ndërtuese jo në formën e kërkuar nga ligji, kurse për kontratën noteriale të huasë e shpreh se dokumentacioni është i rregullt. Për denoncimet e tjera të kryera në Kolegj, Komisioneri u shpreh se e linte në çmim të gjykatës.

Pasi u tërhoq, Kolegji vendosi të çelë shqyrtimin gjyqësor dhe të administrojë si provë dokumentacionin e dorëzuar prej subjektit të rivlerësimit dhe refuzoi kërkesën e Sinës për t’iu drejtuar Gjykatës së Tiranës për vendosjen në dispozicion të akteve të regjistrimit të shoqërisë “Sky 07 Construction sh.p.k.”. Për denoncimet e kryera në Kolegj u vendos të mos kryhej hetim pasi nuk janë gjetur rrethana apo indicie të mjaftueshme. Kryesuesi i trupit gjykues, Sokol Çomo bëri me dije se vendimarrja që ka të bëjë me aksesimin dhe administrimin e të gjitha të dhënave të shoqërisë “Sky 07 Construction sh.p.k.” u mor me shumicë votash.

Anëtarja Rezarta Schuetz kreu një pyetje për Komisionerin Publik që zgjati disa minuta për ta parashtruar, por për shkak të komunikimit të saj me zë të ulët nuk u dëgjua në ambjentet ku qëndrojnë publiku dhe përfaqësuesit e medias që prej marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së covid-19. Edhe komisioneri Sinai iu lut që të fliste me zë më të lartë pasi nuk dëgjohej.

Në fund, Sina tha se nuk ishte në gjendje të përgjigjej pasi duhej të merrte mendimin e kolegut Ballhysa, të cilin e përfaqësoi për shkak të mungesës.

Pasi u tërhoq sërish, Kolegji vendosi të mbyllë hetimin gjyqësor dhe u kërkoi palëve që të paraqesin konkluzionet përfundimtare në seancën e radhës më 7 tetor, në orën 14:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *