Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA, u njoh të premten më 6 dhjetor me konkluzionet përfundimtare të prokurorit të Krujës, Florian Bonjaku, i cili i kundërshtoi shkaqet e ngritura në ankimin dhe konkluzionet e Komisionerit Publik.
Bonjaku u konfirmua në detyrë me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 2 qershor 2022. Relatori i çështjes Olsi Komici dhe anëtarja Valbona Sanxhaktari arsyetuan se disa pasaktësi në deklarimin e pasurive nuk mund të sjellin penalizimin e subjektit. Ndryshe nga shumica, kryesuesja e trupës së KPK-së, Xhensila Pine arriti në përfundimin se Bonjaku ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasuritë, si dhe ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia nëpërmjet mangësive në kryerjen e veprimeve hetimore dhe arsyetimin e akteve procedurale.
Komisioneri Publik, Florian Ballhysa ushtroi ankim dhe po ashtu arsyetoi se Bonjaku ka bërë deklarim të pasaktë të pasurisë dhe së bashku me problemet e gjetura në kriterin e figurës dhe atë të aftësive profesionale, në vlerësim tërësor duhej të sillnin shkarkimin e tij për “cënim të besimit të publikut te drejtësia”. Ballhysa deklaroi të premten se u qëndronte shkaqeve të ngritura në ankim dhe parashtrimeve të paraqitura të hënën.
Në vitin 2003, Bonjaku ka nënshkruar një kontratë shitblerje për apartamentin e prindërve të bashkëshortes, veprim që ka shpjeguar se e ka kryer për të mundësuar përfitimin e një kredie që ka shërbyer për blerjen e apartamentit në Tiranë. Sipas tij, apartamenti është zotëruar gjithmonë nga prindërit e bashkëshortes.
Ndryshe nga shumica e KPK që i ka gjetur bindëse shpjegimet e subjektit, Ballhysa vlerëson se duket se Bonjaku ka kryer veprime fiktive më shumë se një herë me qëllim përfitimin e kredisë, që çojnë në kushtet e cënimit të besimit të publikut tek drejtësia. Sipas Komisionerit, subjekti ka kryer deklarime kontradiktore lidhur me çmimin e blerjes dhe burimin e krijimit për apartamentin në Durrës. Sipas Ballhysës, Bonjaku gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm edhe në deklaratën veting, duke mos shënuar një kontratë të dytë të vitit 2003 që ka shërbyer për përfitimin e kredisë në vlerën e dëshiruar. Sipas tij, Bonjaku figuron të jetë pronar de jure i apartamentit në Durrës, megjithëse kjo pasuri është hequr si barrë hipotekore për kredinë që prej vitit 2005. Për apartamentin në Tiranë, Komisioneri konstaton se nuk janë deklaruar të drejtat reale gjatë periudhës 2003-2010.
Përfaqësuesi ligjor i Bonjakut, avokati Julian Mërtiri i cilësoi pretendimet e Komisionerit Publik lidhur me deklarimet e subjektit, të ngritura pa vlerësuar objektivisht tërësinë e rrethanave konkrete në të cilat ato janë bërë. Sipas tij, kontrata e shitblerjes së vitit 2003, ka pasur si qëllim vetëm strehimin, pasi në atë kohë Bonjaku ka qenë në kushtet e nevojës për banim, si pasojë e situatës së rënduar familjare, ashtu dhe asaj financiare.
Sipas tij, ka qenë kërkesa e bankës që e ka kushtëzuar të vendosi si garanci shtëpinë e prindërve të bashkëshortes në Durrës, për të mundësuar përfitimin e kredisë. Mërtiri tha se Bonjaku ka gjykuar se çdo mënyrë tjetër për të siguruar një burim financimi për blerje banese, që e ka pasur të nevojshme në atë kohë, si marrja e ndonjë borxhi, do ta ekspozonte në raport me detyrën. Ai argumentoi se subjekti dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë as në vitet në vijim.
Avokati Mërtiri solli në vëmendje dhe faktin se veprimet janë kryer të gjitha në vitin 2003, para se të miratohej dhe sapo kishte hyrë në fuqi ligji për deklarimin e pasurive. Ai theksoi se, pavarësisht pasaktësive në deklarimet e vitit 2003, Bonjaku nuk e ka disponuar apartamentin e prindërve të bashkëshortes, se banesën në Tiranë e ka blerë me kredi dhe në ILDKPKI është përpjekur të korrigjoj pasaktësitë. Sipas Mërtirit, në deklaratën veting, subjekti ka kryer deklarim të saktë të pasurive.
Përfaqësuesi i Bonjakut argumentoi se nuk janë evidentuar probleme përsa u përket burimeve financiare dhe për rrjedhojë pasaktësitë e konstatuara nuk mund të sjellin penalizim. Lidhur me konstatimin e veprimeve fiktive nga Komisioneri, Mërtiri u shpreh se ato kanë pasur si qëllim marrjen e kredisë.
Sipas tij, veprimet me prindërit e bashkëshortes kanë qenë një ndihmë që këta të fundit u kanë dhënë për të marrë kredinë. Mërtiri vërejti se kredia është shlyer rregullisht dhe se kanë pasur mundësi për pagesat e kryera.
Avokati i Bonjakut kundërshtoi dhe konstatiminb për mosdeklarimin e të drejtave reale të apartamentit në Tiranë, duke u shprehur se subjekti ka deklaruar adresën e banimit si dhe kredinë që ka shërbyer për blerjen e kësaj pasurie.
Në vijim, Mërtiri u ndal dhe në pyetjet e vëzhguesit ndërkombëtar përsa i përket vlerës së lartë të shitjes së apartamentit nga subjekti, ndërkohë që blerësi e kishte shitur më lirë. Sipas Mërtirit, subjektit i është kaluar si barrë prove kjo gjetje në Komision dhe ai ka dhënë shpjegime bindëse. Ai shtoi se Komisioneri nuk ka ngritur shkak ankimi pë rkëtë gjetje e për rrjedhojë e bëjnë të bjerë në dekkadencë. Megjithë, Mërtiri theksoi se në këtë rast nuk konstatohet konflikt interesi apo ndonjë problem tjetër.
Për pastërtinë e figurës, Mërtiri konstatoi se në raportin e dërguar nga DSIK lidhur me një çështje të hetuar nga Bonjaku, nuk ngrihet ndonjë dyshim për për përfshirje të tij në veprimtari korruptive, por për shpërdorim detyre. Ai argumentoi se të dhënat e raportit të DSIK, nuk përmbushin as kriteret e ndikimit të paligjshëm apo të kontaktit të papërshtatshëm. Sipas tij, me të drejtë Komisioni ka konstatuar përshtatshmërinë e Bonjakut.
Tjetër agument mbrojtës që solli Mërtiri, ishte dhe kërkimi i komisionerit për trajtimin e këtij shkaku ankimi në aspektin profesional, duke analizuar veprimet procedurale të vendimarrjes së subjektit.
Në procedimin në fjalë, subjekti ka konkluduar se dy prej të hetuarve për kultivim narkotikësh vetëm sa kanë pasur dijeni për këtë aktivitet të paligjshëm dhe e ka ndryshuar akuzën ndaj tyre në “Moskallëzim krimi”.
Sipas Mërtirit, gjykata ka konstatuar veprime të paplota dhe se nuk ka përmendur se aktet e dërguara për gjykim nga ana e prokurorisë nuk janë pasqyruar në kërkesën për gjykim. Mërtiri argumentoi, se nëse gjykata do kishte konstatuar se akuza ndaj dy personave nuk do të kishte qenë e drejtë, atëherë atëherë mund të kthente aktet prokurorit duke e orientuar për ngritjen e një akuze të re dhe jo kryerjen e hetimeve shtesë me qëllim plotësimin e akuzës.
Ai shtoi se nga hetimet e kryera prej subjektit, nuk kanë rezultuar prova se dy personat në fjalë kishin kultivuar bimë narkotike, por se vetëm kishin pasur dijeni dhe nuk e kishin kallëzuar këtë veprimtari. “Askush nuk mund të dënohet vetëm me një provë”, tha Mërtiri dhe pohoi se dyshimet e ngritura fillimisht ndaj këtyre dy personave nuk kishin ngritur në nivelin e provave. Po ashtu, ai solli në vëmendje se kjo çështje është ende në gjykim në Apel.
Lidhur me kriterin e figurës, nga ana e subjektit u këmbëngul se ka arritur nivel të besueshëm.
Në vijim avokati Mërtiri paraqiti mbrojtjen lidhur me shkaqet në aspektin profesional. Lidhur me pretendimin e ngritur për mosnjoftimin e një vendimi pushimi palës kallëzuese, nuk cënon të drejta procedurale të tij, pasi kërkimin për kryerjen e veprimeve të tjera apo qëndrimin e tij e paraqet në gjykatë, e cila shqyrton kërkesën për pushim.
Mërtiri argumentoi se mungesa e komunikimit të vendimit të pushimit nga prokurori, nuk përbën shkak për kthimin e akteve nga gjykata, pasi kjo e fundit i’a ka komunikuar kërkesën dhe për rrjedhojë ai ka pasur mundësi të parashtrojë pretendimet e tij.
Në lidhje me konstatimin e zgjatjes së hetimeve të një çështje çdo tre muaj gjatë dy viteve, Mërtiri tha se ato janë kryer bazuar në Kodin e Porcedurës Penale. Ai kërkoi që Kolegji të konsiderjë se gjatë periudhës kur janë kryer këto shtyrje të hetimit, subjekti ka pasur një volum pune të rritur për arsye të largimeve të prokuorëve nga procesi i vetingut.
Për mosnjoftimin e vendimeve të shtyrjes së afateve të hetimit palës kallëzuese, Mërtiri argumentoi se ai nuk ishte pala e dëmtuar. Sipas tij, kallëzuesi nuk ka pretenduar asnjëherë se është dëmtuar nga ana e të hetuarit.
Në përfundim u kërkua lënia në fuqi e vendimit të Komisionit për konfirmimin në detyrë të prokurorit Florian Bonjaku. Kolegji njoftoi se vendimi do të shpallet më datë 19 dhjetor, në orën 15:00.




