Prokurorja Suela Salavaçi dhe përfaqësuesja e saj ligjore, Romina Zano pas seances në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Lajme

KPA njihet me parashtrimet në çështjen e prokurores Suela Salavaçi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të hënën më 30 shtator me parashtrimet në çështjen e prokurores së Tiranës, Suela Salavaçi, kur gjatë seancës gjyqësore që zgjati për rreth pesë orë e gjysmë, subjekti kundërshtoi konstatimet dhe kërkimin e Komisioneres Publike Irena Nino për shkarkimin e saj, si dhe dha shpjegime për dhjetëra pyetje që ju drejtuan nga vëzhguesi ndërkombëtar, Steven Kessler lidhur me dhurimet e përfituara nga prindërit dhe udhëtimet jashtë vendit.

Salavaçi u konfirmua nga Komisioni më 28 shtator 2023 me shumicë votash, pasi u përball me barrat e provës për pasurinë, që kishin të bënin kryesisht me bilancet negative të prindërve për disa pasuri që i kishin dhuruar, si dhe me pamundësitë e konstatuara në vite për investimet dhe shpenzimet e kryera prej saj dhe të bashkëshortit. Kryesuesja e trupës së KPK, Alma Faskaj dhe anëtarja Suela Zhegu vlerësuan se subjekti kishte mundur të shpjegonte bindshëm burimin e ligjshëm të pasurive, ndërsa anëtarja Etleda Çiftja në pakicë, arsyetoi se Salavaçi duhej të ishte shkarkuar, pasi nuk arriti të provonte ligjshmërinë e pasurisë dhe rezulton me bilanc negativ.

Komisionerja Publike, Irena Nino e ankimoi si të pabazuar vendimarrjen e KPK, duke vlerësuar se ky subjekt rivlerësimi nuk arrin nivel të besueshëm për t’u konfirmuar në detyrë. Ankimi u bazua në rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ONM që çmoi se vendimi i Komisionit ishte i diskutueshëm përsa i përkiste pasurisë së prokurores, pasi nuk ishte bazuar në një analizë të kënaqshme të provave. ONM theksoi se ndërsa prokurorja Salavaçi kishte marrë dhurata të shpeshta dhe domethënëse nga prindërit, i vëllai i saj nuk kishte përfituar në të njëjtën mënyrë.

Subjekti ka përfituar me dhurim nga prindërit dy apartamente, një në Tiranë dhe një në Golem. Po ashtu, ajo ka çelur një llogari dyemërore me të atin në shumën 52 mijë euro.

Duke iu referuar rekomandimit të ONM, Nino ngriti shkaqe dhe për kriterin profesional. sipas saj, gjetjet duheshin vlerësuar në funksion të parashikimeve të nenit 61, pika 5 të ligjit për vetingun e magjistratëve, që ka të bëjë me cënimin e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë dhe gjendjen në kushtet e pamundësisë për plotësimin e mangësive nëpërmjet programit të trajnimit në Shkollën e Magjistraturës.

Komisionerja Irena Nino u qëndroi shkaqeve të ankimit dhe parashtroi në seancë se Salavaçi nuk provoi të kundërtën e barrës së provës mbi burimet e ligjshme të saj dhe personave të lidhur me të për mbulimin e shpenzimeve dhe kursimeve ndër vite për periudhën 2003 – 2016. Nino vlerëson se, bazuar në këtë pamundësi financiare, së bashku me bilancet negative të prindërve për krijimin e pasurive që i kanë dhuruar, subjekti nuk arrin nivel të besueshëm për kriterin e pasurisë.

Lidhur me pretendimin e subjektit mbi shtrirjen e analizës financiare të prindërve vetëm në masën e pasurive të dhuruara rast pas rasti, Nino tha se vlerësimi i pasurive do të duhet të bëhet në drejtim të garantimit të ligjshmërisë së burimit të krijimit të tyre. Ajo solli në vëmendje se invesytimet e pr9indërve kanë kaluar në favor të subjektit nëpërmjet dhurimit.

Në vijim, Nino parashtroi se Salavaçi nuk ka shënuar në deklaratën veting të ardhurat e pretenduara sit ë përfituara nga pjesa takuese e tezes në nënës. Po ashtu, sipas Komisioneres, nuk është provuar kalimi i pjesës së tezes, nga trashëgimtarët e tjerë të pronave, tek nëna.

Po ashtu, sipas Ninos, nuk është deklaruar asnjëherë si burim në deklaratat periodike dhe në atë veting vlera prej 15.5 milionë lekësh, e pretenduar si e ardhur e nënës nga një aktmarrëveshje e nënshkruar në vitin 2003. Komisionerja konstatoi se mungesa e dijenisë mbi këtë akt, e pretendua rnga Salvaçi, bien në kundërshtim me s aka deklaruar vetë subjekti mbi burimet e depozitave të krijuara në vitin 2003 nga prindërit. Po ashtu, aktmarrëveshja duket se është nënshkruar në kushtet e mungesës së titullit të pronësisë nga nëna e Salvaçit, nuk provohet ekzekutimi apo arkëtimi nga e ëma e shumës në fjalë, si dhe nuk rezulton të jetë pasqyruar në ndonjë nga aktmarrëveshjet, nënshkruar midis bashkëpronarëve për të njëjtën pronë dhe shoqërisë zhvilluese.

Për këto arsye, Komisinerja Nino vlerëson që këto të ardhura të pretenduara të mos konsiderohen në mesin e burimeve të ligjshme të prindërve të subjektit.

Në vijim, Nino u shpreh se vlerësonte se pretendimi i subjktit për zotërimin e një gjendje cash në shumën 10 mijë euro, me burim shitjen e një pasurie të paluajtshme në vitin 2012, mbetet deklarativ.

Pokurorja Suela Salavaçi u paraqit në seancë së bashku me avokaten Romina Zano, e cila parashtroi kundërshtimet për pasurinë.

Zano tha se subjekti u qëndron gjithë parashtrimeve të paraqitura në KPK. Ajo i cilësoi shkaqet e ankimit të padrejta në raport me faktet. Sipas Zanos, vetë Komisionerja Publike nuk ka qenë e bindur në bazueshmërinë e shkaqeve të ankimit të saj, pasi nuk ka kundërshtuar bindshëm vlerësimin e bërë nga KPK, si dhe nuk ka paraqitur asnjë provë të re apo argument që kundërshton provat shkresore të administruara gjatë hetimit administrativ.

Salaveçi pretendon se Komisionerja në mënyrë të padrejtë i cilëson prindërit e saj si persona të lidhur, duke konfonduar tërësisht statusin e tyre në raport me parashikimet Aneksit të Kushtetutës dhe legjislacionit për vetingun e magjistratëve, si dhe duke rënë në kundërshtim me vetë praktikën e ndjekur përgjatë procesit. Po ashtu, subjekti pretendoi se po i bëhet trajtim tërësisht i pabarabartë me subjektet e tjera të rivlerësimit, në raste të ngjashme.

Zano theksoi se analiza financiare për prindërit e subjektit duhet të kryhet deri në justifikimin e pasurive dhe shumave monetare të dhuruara dhe jo të gjitha pasurive të tyre, duke e cilësuar qëndrimin e Komisioneres në kundërshtim me gjithë praktikën e Kolegjit.

Ajo e konsideroi të pavërtetë pretendimin e Ninos se prindërit i kanë dhuruar gjithë pasuritë, duke sjellë në vëmendje lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për të atin e ndjerë, të vitit 2021, nga ku rezulton se pjesën takuese që do të përfitonte nëna, i ka kaluar vëllait dhe jo subjektit të rivlerësimit. Subjkti këmbëngul se megjithëse vëllai jeton jashtë prej vitesh dhe nuk ka pasur nevojë për krijimin e pasurive apo likujditeve në Shqipëri, ai i ka përfituar pjesët takuese nga trashëgimia e  babait, ndryshe nga sa pretendon Komisionerja Publike.

Sipas Salavaçit, dhurimet në gfavor të saj janë bërë nga prindërit, pasi ajo ka jetuar së bashku me ata dhe i ka kujdesur. Po ashtu, ajo deklaroi se prindërit i kanë poseduar në vijimësi ato prona, pasi kanë jetuar atje.

Subjekti u pyet në seancë për rreth një orë e gjysmë prej vëzhguesit ndërkombëtar lidhur me dhurimet dhe udhëtimet jashtë shtetit. Ai e pyeytu se e kujt kishte qenë ideja që apartamenti në Golem t’i kalonte vetëm asaj. Salavaçi ritheksoi se ideja kishte qenë e prindërve, për arsye të përkujdesjes që ajo kishte ndaj tyre, pasi jetonin së bashku.

Në vijim, Kessler evidentoi se subjekti kishte kryer rreth 100 udhëtime në vende të ndryshme të botës. Ai e pyeti nëse kishte marrë trajtim në ndonjë spital në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, kur kishte qenë atje. Salavaçi shpjegoi se në vitin 2005 kishte udhëtuar së bashku me nënën me ftesë të djalit të dajës, për të qenë e pranishme në datëlindjen e fëmijës së tij. Sipas subjektit, ajo kishte pasur shumë afrimitet me djalin e dajës, pasi ishin rritur bashkë.

Në vijim, ajo sqaroi se kur kishn marrë avionin në Romë, mjeti flutures kishte pësuar defekt, pasi kishte rënë zjarr në një prej motorëve. Për rrjedhojë, avioni kishte bërë kthim dhe ulje të detyruar në Romë. Subjekti sqaroi se ajo ishte shtatëzënë dhe si pasojë e ngjarjes, kishte pasur komplikacione dhe se kjo kiste qenë arsyeja përse kishte lindur në SHBA.

E pyetur për mbulimin e shpenzimeve, subjekti tha se gjithë procedurat ishin ndjekur nga djali i dajës. Sipas saj, pagesat i kishte kryer po ai dhe se nuk mbante mend detaje për arsye të kohës së largët. “Ka qenë rastësia, asgjë e planifikuar”, deklaroi subjkti.

Në vijim, Kesler i solli në vëmendje subjektit faktin se ajo ka deklaruar mbulimin e shpenzimeve nga miq të saj. Ai e pyeti për një udhëtim në Zvicër. Salavaçi tregoi se kishte qenë e ftuar nga ish-ambasadori shqiptar në Zvicër. Sipas subjektit, dy familjet e tyre kishte miqësi dhe i kishin ftuar për të qëndruar një javë në Zvicër.

Për udhëtime të tjera për pushime të mbuluara nga miqtë, subjekti nënvizoi se kishte shoqe të ngushtë administratoren e një agjencie turistike, që krijonte miliona të ardhura nga aktiviteti. Sipas Salavaçit, kur kishte vende të lira, atëherë mikesha e ftonte të udhëtonte dhe ajo, duke i mbuluar shpenzimet. Ajo shtoi, se disa prej udhëtimeve kanë qenë së bashku me dy familjet.

Kessler renditi karrierën e bashkëshortit të Salavaçit, duke evidentuar se megjithëse ai kishte mbajtur pozicione të ndryshme, kishte vetëm një llogari bankare dhe një automjet, por jo pasuri ashtu si subjekti. Salvaçi tha se pasuritë e saj janë krijuar nga prindërit, të cilët dhe ia kanë dhuruar.

Ajo theksoi se nëna ka disponuar gjithmonë shuma të mëdha parash, pasi ishte pronare e pronave të rëndësishme dhe potenciale. Subjekti shtoi se nuk e kishte pyetur ndonjëherë nënën se çfarë bënte me nënën e saj dhe se nuk kishte qenë e përfshirë në këto transaksione.

Lidhur me aftësitë profesionale, Komisionerja Publike evidentoi çështje që janë pushua rnga subjekti, port ë cilat gjykata i ka rikthyer për hetime. Në një dy raste, Nino evidentoi se subjekti nuk ka kryer hetimet shtesë, si dhe nuk dha shpjegime bindëse mbi mungesën e veprimeve hetimore dhe drejtimin e duhur të tyre, gjë që është konfirmuar edhe nga kontrolli gjyqësor.

Në një tjetër çështje është evidentuar se subjekti pasi e ka marrë dosjen nga dy prokurorë të tjerë, i ëhstë drejtuar katër herë radhazi gjykatës për pushim, por është vendosur kthimi akteve për hetime të mëtejshme.  Sipas Ninos, në këtë rast, subjekti, më së paku rezulton se ka treguar mungesë të aftësisë për të kryer me efekt procedura hetimore dhe procedura të tjera të tjera të sistemit të prokurorisë, brenda afateve të përcaktuara, të mbledhjes së provave të nevojshme, duke përfshirë dhe mungesën e mbikëqyrjes së dërgimit pa vonesë të akteve të nevojshme të njoftimit.

Në përfundim të parashtrimeve, komisionerja Nino kërkoi shkarkimin nga detyra të Salavaçit.

Prokurorja Salavaçi paraqiti kudnërshtimet e saj për profesionalizmin. Ajo tha se çështjet ishin nënshtruar verifikimit nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, që nuk kishte gjetur probleme. Edhe lidhur me kthimin e çështjeve për verifikime shtesë, subjekti tha se hetimet e reja nuk kishin nxjerrë asgjë të re dhe ishte konkluduar sërish në vendimarrjet e saj fillestare.

Salavaçi theksoi se i kishte kryer detyrat e lëna nga gjykatat. Sipas saj, ka pasur raste kur kallëzuesit kanë kërkuar fillimin e proceseve penale, për të arritur atë çfarë nuk munden në proceset civile.

Për një prej çështjeve, subjekti vërejti se është ende në shqyrtim në Gjykatën e Apelit dhe kërkoi që të mos trajtohej.

Në përfundim, Prokurorja Suela Salavaçi kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e saj në detyrë.

Kolegji bëri me dije se pas ushtrimit të ankimit, ndaj subjektit janë depozituar edhe pesë denoncime të reja, por nuk janë gjetur element për t’u bërë pjesë e shqyrtimit gjyqësor. KPA çeli hetimin gjyqësor dhe administroi disa akte të depozituara nga subjekti, Palët kërkuan kohë për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare dhe KPA vendosi shtyrjen e seancës për më datë 7 tetor, në orën 10:00.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *