Gjyqtaret e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit gjatë një seance. Foto: Nensi Bogdani/ BIRN.
KPA Lajme Veting

KPA njihet me parashtrimet në vetingun e gjyqtares Vjollca Spahiu

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh të mërkurën më 4 shkurt me parashtrimet në çështjen e vetingut të gjyqtares së Tiranës, Vjollca Spahiu. Prokurori Adnan Xholi, i cili përfaqëson drejtuesin e SPAK në këtë çështje deklaroi se u qëndronin shkaqeve të ankimit lidhur me probleme në kriterin e pasurisë dhe kërkoi shkarkimin e subjektit. Spahiu paraqiti parashrtimet në mënyrë të detajuar, duke ju referuar konkluzioneve të Komisionit, praktikës së KPA dhe provave të reja që depozitoi në funksion të mbrojtjes së saj, si dhe i cilësoi shkaqet e ankimit si hipotetike e të pabazuara.

Gjyqtarja Vjollca Spahiu u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 28 qershor të vitit 2024, pas një procesi rivlerësimi të fokusuar tek pasuria e saj dhe e bashkëshortit. Por, vendimarrja e KPK nuk e gjet e drejtë nga Komisionerja Publike, Irena Nino, e cila e ankimoi duke ngritur pretendime për një dyqan dhe një apartament në Tiranë.

Prokurori Xholi u shpreh se u qëndronin shkaqeve të ankimit. Sipas tij, për njësinë janë administruar dy kontrata sipërmarrje me data të ndryshme, ekstremitete të ndryshme, vlera të ndryshme e modalitete pagese të ndryshme, të nënshkruara pranë të njëjtës zyrë noteriale. Ai shtoi se është pranuar dhe nga vetë subjekti i rivlerësimit, nënshkrimi i një kontrate në vitin 2005 në cilësinë e qiradhënësve, me familjarë të saj.

Sipas Xholit, ndryshimet e kontratës janë kryer me qëllim përfitimin e një kredie tregtare, ku rezulton se subjekti është në cilësinë e dorëzanëses dhe përfitueses. Duke ju referuar jurisprudencës së Kolegjit, Xholi argumentoi se ndryshimi i kushteve themelore të kontratës me qëllim për t’iu paraqitur bankës në funksion të përfitimit të kredisë dhe jo qëllimit të vetë palëve, përmban elemente të fiktivitetit.

Ai nënvizoi se palët kanë shmangur normat ligjore, vetëm për të përfituar kredinë. Xholi theksoi se veprimet e subjektit, janë zgjedhje në kontradiktë me sjelljen që duhet të ketë një magjistrat dhe se me këto veprime ajo ka cënuar besimin e publikut tek drejtësia.

Lidhur me burimin e krijimit të kësaj pasurie, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka konstatuar fillimisht mospërputhje mes datës së disbursimit të kredisë në korrik të 2005-ës dhe mandatpagesës së këstit të parë për blerjen e njësisë një muaj më parë. Megjithatë, në përfundim ka çmuar t’i referohet dokumentacionit të paraqitur së bashku me përgjigjen e shoqërisë ndërtuese. Sipas KPK, nga këto dokumente konfirmohet se çmimi për pasurinë e paluajtshme ka qenë në një total prej 63 mijë e 600 euro, e cila është likuiduar sipas mandatit të arkëtimit në korrik të vitit 2005 në shumën 40 mijë euro dhe kësti tjetër në qershor të 2010-ës.

Xholi vërejti se në kontratën e shitjes të lidhur pas dorëzimit të deklaratës “veting”, ndër të tjera citohet se çmimi 63 mijë e 600 euro është likuiduar sipas kontratës së sipërmarrjes të marsit 2005, ku përcaktohet se kësti i parë në shumën 20 mijë euro është shlyer me nënshkrimin e kontratës.

Xholi konstatoi se subjekti nuk nuk arrin të mbulojë me të ardhura të ligjshme pagesën e këstit të parë të njësisë, në shumën 20 mijë euro. Po ashtu, në analizën financiare të vitit 2007 konstatohet balancë negative në shumën 1.1 milionë lekë.

Për apartamentin, Xholi konstatoi se subjekti nuk e ka deklaruar në vitin 2003, kur e ka blerë, duke u gjendur në kushtet e deklarimit të pasaktë.

Nga analiza financiare e përgjithshme, ashtu si Komisionerja Publike, edhe drejtuesi i SPAK vlerëson se Spahiu nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës për disa mungesa financiare, që në total kapin vlerën rreth 1.9 milionë lekë.

Në përfundim, Xholi arsyetoi se gjyqtarja Vjollca Spahiu nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, pasi ka bërë deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm në këtë kriter. Ndërsa veprimet e subjektit për përfitimin e kredisë tregtare konsiderohen prej drejtuesit të SPAK në vlerësimin tërësor, duke çmuar se ajo ndodhet në kushtet e cenimit të besimit të publikut te sistemi i drejtësisë. Xholi kërkoi që të ndryshohet vendimi i Komisionit për konfirmimin e gjyqtares Spahiu dhe të shkarkohet nga detyra.

Gjyqtarja Vjollca Spahiu i kundërshtoi të gjitha shkaqet e ankimit. Ajo nënvizoi se është deklaruar në mënyrë të detajuar,si dhe është provuar likujdimi i çmimit të njësisë, me pagesën e 40 mijë eurove në vitin 2005 dhe pjesën tjetër në 2010-ën. Sipas saj, shlyerja e çmimit konfirmohet nga deklarata noteriale dhe dinamika e veprimeve të kryera.

Spahiu e cilësoi hipotetik pretendimin e Komisioneres Publike për pagesën e një kësti tjetër në vlerën 20 mijë euro. Sipas saj, kjo e rrit çmimin e njësisë në mbi 80 mijë euro. Ndërkohë, Spahiu vërejti se nuk mund të ketë dyshime për çmin e deklaruar të njësisë, duke argumentuar se ai i paguar në vlerën 63 mijë e 600-euro është dy herë më i lartë se çmimi i referencës. Po ashtu, subjekti këmbënguli se dokumentet për pagesat janë në harmoni me gjithë aktet e tjera të administruara.

Gjyqtarja Spahiu kundërshtoi si të pabazuar edhe konstatimin për veprime fiktive për kredinë. Sipas saj, Komisionerja Publike nuk ka paraqitur asnjëargument për të kundërshtuar konkluzionin përfundimtar të Komisionit. Sipas saj, ngritja e pretendimeve që nuk afektojnë pasurinë, nuk rezulton të jetë në funksion të procesit, e për rrjedhojë është tej qëllimit të legjislacionit për vetingun e magjistratëve.

Po ashtu, Spahiu pretendoi se ndryshimet në kontratën e kredisë nuk bien në kundërshtim me ligjin dhe se nga ana e Komisioneres Publike nuk është argumentuar se si e cënon besimin e publikut tek drejtësia.

Sipas subjektit, megjithëse pretendohet se shkaku i ankimit bazohet në praktikën e KPA-së, nuk ka lidhje mes dy çështjeve. Spahiu tha se në çështjen tjetër që merret si shembull në ankim, rezulton se subjekti ka marrë kredi të butë.

“Kredia është marrë në kushte normale, pa lidhje me punën. Po ashtu, është shlyer para kohe me burime financiare të ligjshme dhe nuk mund të konkludohet se ka cënuar besimin e publikut”, deklaroi gjyqtarja Spahiu.

Për konstatimin e deklarimit të pasaktë për apartamentin në Tiranë, subjekti vërejti se kjo pasuri është deklaruar në vitin 2004, duke u korrigjuar pasaktësia. Ajo argumentoi se, pasaktësitë nuk mund të sjellin penalizim, veç në rastet kur ato janë të qëllimshme.

Në vijim, Spahiu u ndal në analizën financiare të përgjithshme. Sipas saj, nuk qëndron pretendimi Komisioneres Publike për moskonsiderimin e të ardhurave nga qiraja. Lidhur me mospagesën e detyrimeve për këto të ardhura, ajo shpjegoi se çdo kontratë qiradhënie është nënshkruar nga bashkëshorti, i cili kishte menduar se do shlyheshin nga qiramarrësi.

Spahiu sqaroi se sapo ishin vendosur në dijeni për këtë fakt nga ana e KPK-së, kishin shlyer detyrimet dhe kamatvonesat. Po ashtu, konstatoi se i kishte deklaruar rregullisht këto të ardhura. Duke ju referuar praktikës së KPA-së, subjekti argumentoi se, pavarësisht pagesës me vonesë të detyrimeve, në kushtet kur provohet bindshëm e ardhura, atëherë vlerësohet sjella e subjektit, nëse mospagimi në kohë ka qenë pakujdesi apo qëllim. Subjekti u shpreh se këto të ardhura nuk kishin shërbyer për krijimin e ndonjë pasurie.

Ajo kundërshtoi edhe pretendimin tjetër të Komisioneres për moskonsiderimin e përfitime të bashkëshortit si ushtarak, të dietave të ushqimeve dhe veshmbathjeve. Subjekti pretendoi se kishte dokumentuar me akte të marra nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura përfitimet e bashkëshortit si ushtarak.

Gjyqtarja Vjollca Spahiu deklaroi se në përfundim të analizës financiare do të rezultonte vetëm një pamundësi në shumën 170 mijë lekë, që nuk mund të sjellë penalizim. Ajo kërkoi çeljen e hetimit gjyqësor, administrimin e provave të reja që ka dorëzuar dhe lënien në fuqi të konfirmimit në detyrë.

Kolegji vendosi të administrojë të gjitha provat dhe pasi mbylli hetimin gjyqësor, ftoi palët të përgatisin konkluzionet përfundimtare që do të parashtrohen më 11 shkurt, në orën 14:00.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *