KPK akuzon prokuroren Besa Nikëhasani për deklarim të pasaktë dhe fshehje pasurie

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme
Hetimi i Komisionit të Pavaruar të Kualifikimit ka përmbysur vlerësimin e ILDKPKI-së se pasuria e prokurores Besa Nikëhasani- kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, është i saktë dhe në përputhje me ligjin.

Komisioneret Genta Tafa Bungo, Suela Zhegu dhe Pamela Qirko gjatë seancës dëgjimore me prokuroren Besa Nikëhasani, të mbajtur në Tiranë më 17 prill 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Trupa gjykuese e udhëhequr nga Suela Zhegu, relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Pamela Qirko mbajti të martën seancën dëgjimore për prokuroren Besa Nikëhasani, e cila ushtron detyrën pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër dhe është njëkohësisht kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nikëhasani është prokurorja e parë që përballet në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Relatorja Bungo njoftoi gjatë seancës se për subjektin e rivlerësimit, KPK ka administruar raportet e vlerësimit nga ILDKPKI, DSIK dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në raportin e dërguar KPK-së, Inspektoriati i Lartë i Deklaraimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit ka vlerësuar se deklarimi i subjektit ka qenë në përputhje me ligjin.

Megjithatë, bazuar në dispozitat kushtetuese, Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit ka ndërmarrë një hetim të thelluar administrativ për një numër pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme të prokurores Nikëhasani si dhe burimin e vënies së këtyre aseteve.

Hetimi i KPK-së është përqendruar në një apartament banimi në Lezhë- i deklaruar në vitin 2004, një apartament me sipërfaqe 87 m2 në Shëngjin, një njësi shërbimi 150 m2 në Lezhë, një apartament  90 m2 dhe 2 garazhe në Tiranë si dhe një automjet Toyota Land Cruiser.

Sipas KPK-së, prokurorja Nikëhasani nuk justifikon me dokumente ligjore pronësinë e apartamentit të deklaruar në vitin 2004, që është edhe burimi i pasurisë për blerjen e apartamentit në Shëngjin dhe njësisë së shërbimit në Lezhë. Gjithashtu, Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e apartamentit në Tiranë prej 90 m2 si dhe blerjen e një automjeti “Toyota Land Cruiser” me vlerë 19,500 euro.

Në përfundim të hetimit administrativ të thelluar të pasurisë, relatorja Genta Tafa Bungo u shpreh se prokuroja Nikëhasani kishte bërë deklarime pasurie ‘të pasakta dhe kishte burime të pamjaftueshme për pasurinë e deklaruar’.  E pranishme në seancën dëgjimore, prokurorja Nikëhasani pranoi se midis deklaratave të saj periodike të pasurisë dhe deklaratës për procesin e vetingut kishte mospërputhje, por ajo mohoi të kishte fshehje pasurie apo deklarim të rremë. Ajo fajësoi për ato që i quajti ‘mospërputhje’ një lapsus noterial dhe mosnjohjen e metodës së deklarimit të pasurisë në vitet e para të procesit.

Me tone emocionale, prokurorja Nikëhasani u shpreh se kishte bërë vetëm një herë pushime në jetën e saj dhe gjithë daljet periodike vjetore jashtë vendit me makinë ishin bërë për të vizituar të afërmit e bashkëshortit. Ajo shtoi se ishte detyruar ta blinte automjetin Toyota Land Cruiser për shkak se ishte komanduar në Prokurorinë e Matit dhe i duhej një mjet i sigurtë, për të cilin kishte marrë para hua nga një person i afërt.

“Shpreh keqardhje për pasaktësitë, por nuk kam bërë fshehje pasurie,” deklaroi Nikëhasani gjatë seancës. “Kërkoj rikonfirmimin në detyrë si prokurore,” përfundoi ajo.