

Trupa gjykuese e udhëhequr nga Suela Zhegu, relatore Genta Tafa Bungo dhe anëtare Pamela Qirko mbajti të martën seancën dëgjimore për prokuroren Besa Nikëhasani, e cila ushtron detyrën pranë Prokurorisë së Apelit Shkodër dhe është njëkohësisht kandidate për Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Nikëhasani është prokurorja e parë që përballet në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Relatorja Bungo njoftoi gjatë seancës se për subjektin e rivlerësimit, KPK ka administruar raportet e vlerësimit nga ILDKPKI, DSIK dhe Prokuroria e Përgjithshme. Në raportin e dërguar KPK-së, Inspektoriati i Lartë i Deklaraimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit ka vlerësuar se deklarimi i subjektit ka qenë në përputhje me ligjin.
Megjithatë, bazuar në dispozitat kushtetuese, Komisioni i Pavaruar i Kualifikimit ka ndërmarrë një hetim të thelluar administrativ për një numër pasurish të luajtshme dhe të paluajtshme të prokurores Nikëhasani si dhe burimin e vënies së këtyre aseteve.
Hetimi i KPK-së është përqendruar në një apartament banimi në Lezhë- i deklaruar në vitin 2004, një apartament me sipërfaqe 87 m2 në Shëngjin, një njësi shërbimi 150 m2 në Lezhë, një apartament 90 m2 dhe 2 garazhe në Tiranë si dhe një automjet Toyota Land Cruiser.
Sipas KPK-së, prokurorja Nikëhasani nuk justifikon me dokumente ligjore pronësinë e apartamentit të deklaruar në vitin 2004, që është edhe burimi i pasurisë për blerjen e apartamentit në Shëngjin dhe njësisë së shërbimit në Lezhë. Gjithashtu, Komisioni ka arritur në përfundimin se subjekti nuk justifikon me burime të ligjshme blerjen e apartamentit në Tiranë prej 90 m2 si dhe blerjen e një automjeti “Toyota Land Cruiser” me vlerë 19,500 euro.
Në përfundim të hetimit administrativ të thelluar të pasurisë, relatorja Genta Tafa Bungo u shpreh se prokuroja Nikëhasani kishte bërë deklarime pasurie ‘të pasakta dhe kishte burime të pamjaftueshme për pasurinë e deklaruar’. E pranishme në seancën dëgjimore, prokurorja Nikëhasani pranoi se midis deklaratave të saj periodike të pasurisë dhe deklaratës për procesin e vetingut kishte mospërputhje, por ajo mohoi të kishte fshehje pasurie apo deklarim të rremë. Ajo fajësoi për ato që i quajti ‘mospërputhje’ një lapsus noterial dhe mosnjohjen e metodës së deklarimit të pasurisë në vitet e para të procesit.
Me tone emocionale, prokurorja Nikëhasani u shpreh se kishte bërë vetëm një herë pushime në jetën e saj dhe gjithë daljet periodike vjetore jashtë vendit me makinë ishin bërë për të vizituar të afërmit e bashkëshortit. Ajo shtoi se ishte detyruar ta blinte automjetin Toyota Land Cruiser për shkak se ishte komanduar në Prokurorinë e Matit dhe i duhej një mjet i sigurtë, për të cilin kishte marrë para hua nga një person i afërt.
“Shpreh keqardhje për pasaktësitë, por nuk kam bërë fshehje pasurie,” deklaroi Nikëhasani gjatë seancës. “Kërkoj rikonfirmimin në detyrë si prokurore,” përfundoi ajo.