Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK bën përgjegjës prokurorin Besnik Muçi për deklarime të ‘pamjaftueshme’

Prokurori i Prokurorisë për Krime të Rënda, Besnik Muçi fajësoi neglizhencën dhe ngarkesën në punë për deklarimet e ‘pamjaftueshme’ në lidhje me një pronë të përfituar në vitin 1991, një shtese apartamenti dhe taksat për qiradhënien e tij.

Prokurori Besnik Muçi pas seancës dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në Tiranë më 30 korrik 2018. Foto: Gent Shkullaku/LSA

Të hënën pasdreke prokurori i Prokurorisë për Krime te Rënda, Besnik Muçi u përball në seancë dëgjimore me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit të udhëhequr nga Luan Hamiti si kryesues, Olsi Komici relator dhe Brunilda Bekteshi anëtare.

Besnik Muçi e ka nisur karrierën në vitin 2002 si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2007, Muçi kaloi në Policinë e Shtetit ku mbajti postin e drejtorit të Drejtorisë kundër Krimit Financiar deri në gusht të vitit 2008. Prej asaj kohe, ai ushtron detyrën e prokurorit në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Ai është përzgjedhur si pjesë e listës prioritare të vetingut për shkak të kandidimit në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Procesi i rivlerësimit kalimtar ndaj prokurorit Besnik Muçi është realizuar për të tre kriteret e vetingut, përfshirë kontrollin e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin.

Si pjesë e këtij procesi, KPK ka administruar raportet për subjektin nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit, Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Prokuroria e Përgjithshme.

Sipas raportit të ILDKPKI subjekti ka bërë deklarim të saktë pasurie, nuk ka fshehje pasurie, ka burime të ligjshme dhe nuk ka bërë deklarim të rremë.

KPK gjithashtu ka ndërmarrë një hetim të thelluar dhe të pavarur mbi një numër asetesh të deklaruar nga prokurori Muçi, ku përfshihet tokë truall me sipërfaqe 366 m2 dhe 2,000 m2 në fshatin Çërravë të Pogradecit, një apartament me sipërfaqe 57 m2 në rrugën ‘Ali Visha’ në Tiranë me vlerë 1.9 milion lekë, shtesë apartamenti pa leje me sipërfaqe 27 m2, tokë me sipërfaqe 300 m2 në Shkozë e blerë në vitin 2012 me vlerë 111,600 lekë, tokë me sipërfaqe 2000 m2 me vlerë 850 mijë lekë, apartament 78.4 m2 tek rr. Elbasanit me vlerë 75,000 euro – blerë në vitin 2016 me burim 25 mijë euro kursime, 15 mijë euro hua dhe një kredi 1.5 milionë nga BKT. Për shtëpinë tek rruga Elbasanit, subjekti i ka borxh kompanisë së ndërtimit ‘Arlis’ Sh.p.k një shumë prej 21 mijë euro. Gjithashtu prokurori Muçi ka një hua ndaj dy shtetasve me vlerë 15 mijë euro. Ai raporton edhe një kredi overdraft prej 116 mijë lekë nga banka BKT.

Sipas relatorit Olsi Komici nga hetimit i pavarur i KPK-së ka rezultuar se mbi truallin 366 m2 në fshatin Çërravë ka një ndërtesë 99 m2, e cila nuk është deklaruar nga subjekti në deklaratën periodike të vitit 2004, 2005 dhe 2006. Kjo pasuri gjithashtu vlerësohet t’i jetë transferuar nga autoriteti vendor në kundërshtim me ligjin. Sipas KPK-së subjekti ka bërë deklarim të ‘pamjaftueshëm’ për ndërtesën në deklaratën veting.

Prokurori Muçi ka marrë një vlerësim të ngjashëm edhe për deklarimet e tij në lidhje me një shtesë prej 27m2 me vlerë 650 mijë lekë në apartamentin në rrugën ‘Ali Visha’ në Tiranë, për të cilën ka mospërputhje mes deklaratave në ILDKPKI dhe deklaratave në agjencinë e legalizimeve ‘ALUIZMI’.

Gjithashtu bashkëshortja e subjektit nuk ka deklaruar shitjen e një apartamenti në bashkëpronësi me vlerë 1.3 milionë lekë dhe sipërfaqe 180 m2 në vitin 2018. Subjekti gjithashtu nuk ka paguar tatimin në burimin për dhënien me qira të apartamentit në rrugën ‘Ali Visha’ në vlerë 18,000 lekë dhe nuk ka plotësuar saktë deklaratën vjetore të të ardhurave personale të depozituar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Sipas analizës financiare të KPK, prokurori Muçi ka pasur diferenca negative që variojnë nga 120 mijë lekë në 205 mijë lekë, gjatë viteve 2003-2006.

Për sa i përket kontrollit të figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar në raportin e saj nënvizon se prokurori është i ‘përshtatshëm’ për vazhdimin e detyrës, ndërkohë Prokuroria e Përgjithshme i ka dhënë një vlerësim pozitiv për aftësitë profesionale. Ndërkohë, gjatë kontrollit të 5 dosjeve hetimore të përzgjedhura me short, KPK ka konstatuar një seri shkeljesh procedurale për sa i përket mosnjoftimit të palëve, mungesës e urdhrave për këqyrjen e sistemit TIMS ose mangësi të ngjashme.

Në fjalën e tij përpara Komisionit, prokurori Muçi pranoi se deklarimi i tij i pasurisë kishte të meta dhe ra dakord me pasaktësisë e konstatuara nga KPK, por ai nënvizoi se këto ishin pasuri të vendosura përpara se ai të ishte prokuror dhe nga të cilat ai dhe bashkëshortja nuk kishin pasur përftime që nga vendosja e tyre në fillim të viteve  90. Ai shtoi se mosdeklarimi i ndërtesës mbi truallin në fshatin Çërrave ishte bërë nga neglizhenca, kurse shtëpia e shitur nga bashkëshortja në vitin 2018 i përkiste vjehrrit dhe vjehrrës – ku fëmijët figuronin si pronar të tokës. Ndërkohë për mospagesën e tatimit në burim për shtëpinë me qira, ai tha se kishte ardhur për shkak se kjo kishte qenë një periudhë me ngarkesë të madhe profesionale.

Prokurori Muçi dha sqarim edhe për çështjet procedurale të konstatuara në procedimet penale të rivlerësuara nga KPK, duke nënvijëzuar se këto procedime kanë qenë dosje komplekse dhe mangësitë procedurale nuk kanë prekur thelbin e zgjidhjes së çështjes.

Në fund të seancës dëgjimore ai i kërkoi Komisionit konfirmimin në detyrë.

“Në fund të këtij procesi – në vlerësimin tim objektiv, kërkoj konfirmimin në detyrë,” tha Muçi.

Vendimi për fatin e karrierës së prokurorit do të shpallet të mërkurën me datë 1 gusht, ora 10:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *