Nga seanca në KPK e prokurorit të Korçës, Edmond Shytko. Foto: Vladimir Karaj.
KPK Veting

KPK gjen me bilanc negativ prokurorin e Korçës, Edmond Shytko

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të premten një seancë të gjatë dëgjimore me prokurorin e Korçës, Edmond Shytko.

Shytko ishte hetuar për të tre kriteret, por iu kalua barrë prove për pasurinë dhe profesionalizmin. Sipas KPK në një analizë përfundimtare, prokurori rezultonte me një bilanc negativ prej 5.4 milion lekësh, që kryesisht ndikohej nga pamundësia për të provuar burimin e ligjshëm të një dhurimi dhe hua të marra nga të afërm.

Prokurori i Korçës, Edmond Shytko u përball edhe me pyetje etike sa i përket një sasie prej 40 mijë dollarësh që ai pretendonte se i kishte fituar nga puna sezonale në SHBA. KPK tha se dypunësimi i tij ishte i ndaluar.

Prokurori nga ana e tij i kundërshtoi gjetjet e Komisionit. Ai pretendoi se kishte sjellë prova të mjaftueshme dhe se bilanci rezultonte pozitiv. Ndërkohë, këmbënguli se duke qenë se puna e dytë ishte kryer në SHBA gjatë lejes së zakonshme, ai nuk e kishte pasur atje statusin e prokurorit që ta ndalonte. “Unë nuk jam më prokuror jashtë Shqipërisë”, tha ai.

Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e përbërë nga Brunilda Bekteshi kryesuese, Firdes Shuli anëtare dhe Suela Zhegu, relatore.

Edmond Shytko e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1995 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Korçë.

Pikëpyetjet për pasurinë

Komisioni ngriti fillimisht dyshime sa i përket deklarimeve të ndryshme të vlerës së një apartamenti të trashëguar nga prindërit në Korçë. Shytko nga ana e tij shpjegoi se ndryshimi vinte për shkak të rivlerësimit, ai këmbënguli se nuk kishte pasur qëllim të deklaronte gabim, por se kishte hamendësuar ndryshimin e vlerës së apartamentit.

Ndërkohë për një apartament në Pogradec që sipas subjekt i ishte dhuruar nga kunati, KPK  ngriti dyshime mbi motivet e dhurimit dhe faktin që kunati nuk kishte të ardhura për ta blerë apartamentin në fjalë dhe nuk ishte pasuri të tjera në Shqipëri. Apartamenti ishte blerë 2.5 milion lekë.

Shytko pretendoi se bashkëshortja e tij e kishte rritur vëllanë e saj, pas vdekjes së hershme të nënës së tyre dhe se ata kishin ndihmuar si çift në shkollimin e tij. Ai pretendoi se kunati kishte mbaruar universitetin në Turqi dhe më pas kishte punuar për organizma ndërkombëtarë. Sipas tij, ai kishte punuar si drejtor marketingu në një media televizive, por kjo e fundit nuk u kishte dhënë dokumente mbi punësimin.

Të ardhurat e kunatit u diskutuan edhe sa i përket një huaje 25 mijë dollarë për blerjen e një apartamenti në Tiranë. Por KPK tha se për këtë hua ai kishte pasur të ardhura nga puna në organizata ndërkombëtare jashtë Shqipërisë.

Përndryshe 15 mijë euro hua nga vëllai dhe një pagesë prej 10 mijë eurosh për këtë hua u gjetën me probleme. KPK pretendoi se vëllai i subjektit nuk provonte të ardhurat dhe se shuma e hedhur në bankë nga bashkëshortja ishte më e madhe se kthimi i deklaruar nga Shytko.

Prokurori pretendoi se shuma e vendosur në bankë nga bashkëshortja ishin të ardhura të tjera të të vëllait, që bashkëshortja i kishte depozituar në bankë pasi punonte financiere. Ai këmbënguli se librezat e kursimit të vëllait dhe bashkëshortes tregonin që ata kishin pasur të ardhura për të dhënë huanë në shumën 15 mijë euro.

Shytkos po ashtu iu kërkuan llogari për të ardhurat e fituara nga puna sezonale në SHBA. KPK tha se ai kishte deklaruar se bashkë me bashkëshorten kishin bërë mbi 80 mijë dollarë për disa vite, por nga ana tjetër, Komisioni tha se ai kishte dokumente për vetëm 60 mijë dollarë. Po ashtu KPK tha se prokurori nuk kishte deklaruar destinacionin e këtyre të ardhurave.

Sipas Komisionit, të padeklaruara ishin edhe shpenzimet që ai kishte bërë në SHBA, biletat e udhëtimit e të ngjashme që ishin në rangun e shpenzimeve të deklarueshme. KPK tha se prokurori kishte ndryshuar qëndrim në pyetësorë dhe kishte pretenduar se këto shpenzime ishin mbuluar nga të afërmit.

Në seancë, Shytko i qëndroi këtij pretendimi, ndërsa tha se ata kishin fituar lotarinë amerikane në vitin 2014 dhe se dy fëmijët ishin tashmë shtetas amerikanë.

“Jashtë Shqipërisë nuk jam prokuror”

Seanca ndaj Shytkos u ndërpre në një moment, pasi ky i fundit kishte folur rreth dy orë pavarësisht kërkesave të KPK për të përmbledhur qëndrimet, pasi vëzhguesi i ONM-së, Theo Jacobs, tha se nuk mund të qëndronte më gjatë për shkak të një fluturimi.

Pas largimit të Jacobs, pati një konfuzion mbi vijimin e seancës. Fillimisht kryesuesja Bekteshi vijoi me dëgjimin e Shytkos, duke i kërkuar sërish të përmblidhte fjalën e tij. Por pas kësaj, Firdes Shuli kërkoi 5 minuta pushim.

Pas pushimit në seancë mbërriti si vëzhgues Ferdinando Buatier, por më pas trupa u detyrua të priste disa minuta të tjera për përkthyesit që ishin larguar me Jacobs.

Pas rifillimit të seancës, Shytko u përgjigj në lidhje me barrën e provës sa i përket profesionalizmit.

Atij iu kërkuan shpjegime kryesisht për dy çështje, në të cilat sipas KPK-së nuk ishin kryer veprimet procedurale. KPK tha se në një rast “prerje e paligjshme pyjesh”, Shytko nuk kishte vlerësuar si duhet çështjen para pushimit të saj.

Prokurori kundërshtoi duke pretenduar se në atë rast ata mund të provonin vetëm transportin e lëndës drusore dhe jo prerjen.

Po ashtu hetimet e një aksidenti, që kishte kaluar nga një prokuror në tjetrin u bënë pjesë e diskutimit. KPK referoi një denoncim sipas të cilit Shytko kishte mbrojtur një kompani ndërkombëtare dhe punojësit e saj, duke ia lënë fajin viktimës në aksident.

Shytko kundërshtoi dhe pretendoi se për rastin ishin bërë tre ekspertiza që provonin se viktima ishte fajtor i aksidentit. Ai tha se një vendim gjykate që e kishte kthyer çështjen për hetim, po zbatohej nga prokuroria por se la të kuptohej që kishte qëndrim të ndryshëm.

Sa i përket hetimeve mbi një vrasje, Shytko u mbrojt se puna e tij si prokuror kishte zbuluar vrasësin dhe në kohë rekord kishte bërë të mundur edhe gjykimin e tij.

Megjithatë Shytko nuk qe i qartë sa i përket dyshimeve të KPK për shkelje të etikës për shkak të dy punësimit në SHBA. Ai tha si pretendim se për sa kohë puna nuk kishte qenë në Shqipëri nuk kishte sjellë pasoja në punën e tij. Ai këmbënguli se nuk ishte prokuror kur dilte nga Shqipëria dhe se kishte marrë leje nga eprorët.

Në fund ai kërkoi konfirmim në detyrë. Seanca u caktua për 28 shtator në orën 9.45.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *