Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha pas seancës në KPA. Foto: Edmond Hoxhaj.
KPA Veting

Komisionerja Publike kërkon lënien në fuqi të konfirmimit të Valdete Hoxhës

Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi të premten më 23 shtator të mos riçelë hetim në çështjen e gjyqtares së Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha lidhur me disa denoncime të depozituara pas kryerjes së ankimit ndaj vendimit të konfirmimit të saj në shkallën e parë.

Kolegji dëgjoi gjithashtu konkluzionet përfundimtare të palëve, ku komisionerja Irena Nino kërkoi lënien në fuqi të vendimit të Komisionit.

Gjyqtarja Valdete Hoxha u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK më 1 korrik 2020, pasi u konkludua se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profeisonalizmit.

Por ky vendim u ankimua nga ish-komisioneri Darjel Sina, i cili vlerësoi se nevojitej riçelje e hetimit në Kolegj lidhur me aftësinë financiare të kunatës së subjektit për dhënien hua në shumën 93 mijë dollarë kanadezë për shkollimin e vajzës së Hoxhës në Kanada, si dhe për dhurime në vlerën 11 mijë dollarë. Në ankim u përfshi edhe pamundësia financiare e familjes së subjektit për blerjen e një automjeti.

Lidhur me denoncimet e reja, komisinerja Nino u shpreh se ato nuk përmbanin elementët e mjaftueshëm dhe se nuk kanë ndikim në procesin e rivlerësimit të subjektit. Gjyqtarja Hoxha i cilësoi si pretendime të ngritura mbi themelin e çështjes dhe kërkoi që t’i vlerësonte KPA, nëse mund të bëheshin pjesë e shqyrtimit të çështjes. Hoxha depozitoi si prova vendimet lidhur me çështjet për të cilat janë ngritur pretendime nga denoncuesit.

Pasi u tërhoq, Kolegji administroi si prova aktet e dorëzuara nga subjekti, ndërsa me shumicë votash u vendos të mos e riçelet hetimi për denoncimet e reja. Pas kësaj vendimarrje u vijua me paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare.

Komisionerja Nino vërejti se bazuar në dokumentet e reja të dorëzuara nga gjyqtarja Hoxha rezulton se është vërtetuar se një investim i kryer nga huadhënësja në blerjen e një shtëpie në Kanada ka ndodhur në vitin 2006, kohë para se të jepej huaja në 2012-ën. Në vijim ajo sqaroi se nga verifikimi i llogarive bankare të huadhënëses rezultonte se pas blerjes së një apartamenti në Tiranë, nuk ka pasur kursime të tjera në vlerë domethënëse që do të mund të ndikonin në analizën për dhënien e huasë dhe burimeve.

“Komisioneri Publik vëren se nga aktet e administruara për qëllim të këtij gjykimi gjyqësor, nuk u konstatuan rrethana të tilla faktike, që do të çonin në një vlerësim të ndryshëm nga ai i arritur nga Komisioni, lidhur me aftësinë e familjes së huadhënëses për të mbuluar me të ardhura nga burime të ligjshme huatë dhe dhurimet e kryera në favor të familjes së subjektit të rivlerësimit” deklaroi Nino.

Për shlyerjen e huasë, Nino konstatoi se për vitin 2016 është vërtetuar me dokumentacion vetëm një pjesë e pagesës. Po ashtu, ajo i qëndroi konstatimit për pamundësi financiare të subjektit në vlerën 387 mijë lekë për blerjen e një automjeti për çmimin 7000 euro në vitin 2011.

Në përfundim, Nino u shpreh se pasaktësitë e konstatuara në deklaratat periodike vjetore dhe atë “veting”, lidhur me mosdeklarimin e dhurimeve, si edhe pamjaftueshmëritë e rezultuara në shlyerjen e huasë në vitin 2016 dhe blerjen e automjetit në vitin 2011, nuk janë të mjaftueshme t’u konsideruar si deklarim i pamjaftueshëm. Ajo kërkoi që të lihet në fuqi vendimi i Komisionit për konfirmimin në detyrë të gjyqtares Valdete Hoxha.

Gjytarja Valdete Hoxha i cilësoi të pabazuara pretendimet e paraqitura në ankimin e Komisionerit Publik ndaj saj dhe deklaroi se u qëndronte të gjitha parashtrimeve. Ajo e quajti si standard të dyfishtë të komisionerit, përfshirjen në ankim të balancës negative të automjetit të blerë në 2011-ën. Sipas saj, për subjekte rivlerësimi të tjera, nuk janë përfshirë në ankim edhe balanca negative me vlera më të mëdha nga sa është konstatuar në rastin e saj për blerjen e automjetit.

Ajo theksoi se vendimi i KPK për konfirmimin e saj është i bazuar në prova. “Kam qenë e drejtë dhe e denjë gjatë ushtrimit të detyrës,” deklaroi Hoxha dhe shtoi se në asnjë rast nuk rezultonte të kishte shkelur as parimet e etikës.

Trupa gjykuese e KPA u tërhoq për vendimarrje dhe njoftoi se do ta shpallë atë më datë 30 shtator, në orën 13:00.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *