Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK konfirmon në detyrë prokurorin Sokol Stojani

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Sokol Stojani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi procesi i hetimit administrativ ndaj tij nuk gjeti probleme në asnjë prej kritereve.

Prokurori i Prokurorisë së Përgjithshme Sokol Stojani para KPK. 31 tetor 2018. Foto: Edmond Hoxha/BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi të konfirmojë në detyrë prokurorin pranë Prokurorisë së Përgjithshme Sokol Stojani. Ditën e mërkurë  trupa gjykuese e përbërë nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegu dhe Valbona Sanxhaktari, bënë publik vendimin në favor të prokurorit Sokol Stojani, i cili u rivlerësua për të tre kriteret, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe aspektit profesional, ku rezultoi të kishte vlerësime pozitive.

Gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar më datë 30 tetor 2018, komisioni konstatoi se Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPKI) pati raportuar se subjekti i rivlerësimit kishte bërë deklarim të saktë, se kishte burime të mjaftueshme financiare për pasurinë e vet, se nuk kishte bërë fshehje të pasurisë apo deklarim të rremë dhe se nuk gjendej në kushtet e konfliktit të interesave.

Lidhur me pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka dorëzuar pranë KPK një skedë të pastër duke e konsideruar të përshtatshëm për vijimin e detyrës. Po gjatë seancës dëgjimore, KPK raportoi se Stojani ka marrë vlerësimin shumë mirë gjatë periudhës së rivlerësimit dhe ndaj tij nuk ka pasur masë disiplinore.

Stojani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe ka punuar për disa vite në Prokurorinë e Tiranës. Në vitin 2008, ai është emëruar prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme dhe përgjatë 10 viteve të fundit ka mbajtur disa poste drejtuese, përfshirë edhe atë të anëtarit të Këshillit të Prokurorisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *