Madrid Kullolli në KPK |  Foto: Edmond Hoxhaj
Analiza KPK

KPK me dy qëndrime në vlerësimin e pasurisë së prokurorit Madrid Kullolli

Prokurori i Durrësit, Madrid Kullolli u shkarkua nga detyra më 16 prill, pasi trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, që kreu procesin e tij të vetingut konkludoi me shumicë votash se ai gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për pasurinë. Kullolli mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, si dhe u arrit në përfundimin se arrin nivel kualisifikues për profesionalizmin.

Sipas shumicës të përbërë nga kryesuesja Brunilda Bekteshi dhe relatorja Etleda Çiftja, nga analiza financiare e kryer, subjekti dhe personat e lidhur kanë rezultuar me bilanc negativ total prej 2.8 milionë lekësh për blerjen e pasurive, në momentin e krijimit të tyre. Për rrjedhojë është konkluduar se Kullolli nuk arrin nivel të besueshëm për pasurinë.

Anëtari Lulzim Hamitaj në pakicë, evidenton vlerësime të ndryshme të shumicës për rrethana të njëjta, si dhe vlerëson se duhej të ishin konsideruar një pjesë të të ardhurave, që do të shmangnin penalizimin e Kullollit. Sipas Hamitajt, mbetet një bilanc negativ në vlerë mimimale, që parë në dritën e parimit dhe proporocionalitetit dhe objektivitetit, si dhe qëndrimeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, GJEDNJ dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, KPA, nuk mund të passillte pasojën ekstreme të shkarkimit të këtij subjekti.

Vlerësimet e ndryshme

Subjekti ka pretenduar se ka deklaruar gabim kursimet në masën 1.6 milion lekë si gjendje në datën 2009. Ai ka sqaruar se në fakt, kjo gjendje cash prej 1.6 milion lekësh ka qenë një pjesë e kursimeve të prindërve të bashkëshortes, që rezultonin nga të ardhurat nga shitja e një apartamenti në vitin 2006. Sipas subjektit, nga muaji mars 2004 deri në prill 2015 kanë jetuar me prindërit e bashkëshortes dhe gjyshen e saj, por me shpenzime të ndara, ndërkohë që bashkëshortja përdorte ndonjëherë për lehtësi veprimi kursimet e prindërve të saj. Kullolli ka theksuar se kjo shumë e deklaruar i referohet pikërisht kursimeve të tyre dhe se është një pasaktësi në deklarim.

Por, shumica nuk i ka gjendur bindëse shpjegimet se këto kursime janë deklaruar gabim dhe se ato u përkasin prindërve të bashkëshortes. Bekteshi dhe Çiftja vërejnë se, as në deklaratën sqaruese dhe as në tabelën përmbledhëse shoqëruese nuk evidentohen deklarime lidhur me të ardhurat e prindërve të bashkëshortes, që të mund të justifikonin deklarimin e Kullollit. Sipas shumicës, shpjegimet duhen pranuar në tërësi dhe jo në mënyrë të përzgjedhur, siç pretendon subjekti.

Hamitaj në pakicë vlerëson se shuma 1.6 milionë lekë duhej të konsiderohej me burim të ligjshëm dhe të përllogaritej në analizën financiare, pasi rezultoi i provuar burimi i ligjshëm nga shitjet e pasurive të paluajtshme nga familjarët e bashkëshortes. Ai vëren se prindërit e bashkëshortes, edhe pse prej kohësh jetonin bashkë me vajzën e tyre dhe subjektin, ata nuk ishin subjekte deklarues për rrjedhojë nuk kishin detyrimin të deklaronin gjendjen cash në banesë.

“…Për sa kohë është konfirmuar dhe provuar burimi i ligjshëm, duket të kishte lënë më shumë vend për shumicën, që të aplikohej me buon sens konsiderimi i burimit të pretenduar, për sa kohë – ndonëse nuk është e provuar katërcipërisht – Komisioni as nuk mund ta përjashtojë mundësinë se faktet përkojnë me shpjegimet e subjektit[…]”, arsyeton ndër të tjera Hamitaj dhe shton se përpos buon sensit, proporcionalitetit dhe çmimit harmonik të rrethanave faktiko-ligjore, do të duhej të ishte mbajtur në vëmendje edhe qëndrimi KPA ku është qartësuar pasha jopenalizuese e pasaktësive në deklarime kur nuk shoqërohen me mungesë burimesh.

KPK është ndarë dhe në vlerësimin e një shume 3000 Euro të deklaruar nga subjekti se i është dhuruar nga i vëllai që jeton e punon në Itali, vlerë që e ka pretenduar si burim krijimi për një apartament. Shumcia vlerëson se deklarimet e Kullollit lidhur me këtë shumë mbeten në në kuadrin deklarativ dhe të pambështetura në prova. Po ashtu, shumica vëren se ky deklarim është bërë për herë të parë vetëm në pyetësorin standard, në shkurt të vitit 2021, ndërkohë që subjekti i rivlerësimit i ka pasur të gjitha mundësitë që ta shpjegonte këtë situatë së paku në deklaratën “veting” në vititn 2017, kur i ëhstë dhënë mundësia të saktësonte e korrigjonte deklarimet e bëra ndër vite.

“…Subjekti është kontradiktor në deklarimet e tij, pasi në deklaratën ‘veting’ dhe në deklaratën e pasurisë së vitit 2003 ka deklaruar se si burim për blerjen e kësaj pasurie kanë shërbyer të ardhurat dhe kursimet familjare, pra nuk është deklaruar si burim krijimi edhe dhurimi”, konstaton shumica dhe shton se mungon dokumentacioni ligjor për të provuar dërgimin e shumës 2000 Euro në vitin 2001 nga vëllai, nëpërmjet Western Union. Për rjedhojë, kjo shumë nuk është përfshirë si burim për apartamentin.

Ndërkohë, shumica ka konsideruar një hua në shumën 8000 euro, po nga vëllai, që sipas subjektit është marrë në vitin 2004. Kullolli ka paraqitur në Komision deklaratë noteriale të tetorit të vitit 2021 të lëshuar nga vëllai dhe deklaratë noteriale të kunatës të shkurtit 2024, si dhe dokumentacion për të ardhurat e tyre në shtetin italian.

Në këtë rast, shumica ka vlerësuar se, nisur nga deklarimet e subjektit se kjo kjo hua është marrë dhe kthyer brenda vitit, e ka vlerësuar bindës këtë shpjegim. Nga analiza financiare e vëllait dhe bashkëshorte së tij, ka rezultuar se kanë pasur mundësi për dhënien e huasë 8000 euro.

Nisur nga këto dy konkluzione të shumicës, Hamitaj ndaj qëndrim të ndryshëm lidhur me moskonsiderimin e shumës 3000 euro. Ai vëren se shumica vetë ka konsideruar të ardhura më të larta të përfituara nga subjekti, po nga i njëjti vëlla. “[…]Çmoj se për sa kohë është provuar burimi i ligjshëm dhe disponibiliteti financiar i familjes së vëllait të subjektit, nuk bën sens që një pjesë të konsiderohet dhe një tjetër pjesë jo, kësisoj e vlerësoj të pabazuar përjashtimin nga analiza financiare të shumës 3.000 euro nga vëllai i subjektit, e cila duhet të shtohet”, vlerëson ai dhe e cilëson kontradiktor dhe të pabazuar moskonsiderimin nga shumica të një shume prej 3000 euro, duke pranuar pretendimin për një shumë prej 8000 euro, të marra nga i njëjti person që ka rezultuar me mjaftueshmëri të burimeve të ligjshme.

Ai kundërshton dhe peshën përcaktuese që i ka dhënë shumica mungesës së provës së kalimit të shumës prej 3000 Euro me Western Union, pasi sipas Hamitajt, dihet botërisht që afati i ruajtjes së të dhënave për këto shërbime transfertash është 5 vjet.

Shumica nuk ka përfshirë në analizë gjithë vlerën e shitjes së një mjeti nga ana e subjektit në vitin 2009, pasi ka konstatuar se çmimi i përcaktuar ishte më i lartë nga sa ishte blerë në 2005-ën. Për rrjedhojë, është konsideruar në analizë çmimi i blerjes nga ana e subjektit në shumën 400 mijë lekë, ndërsa fitimi prej 200 mijë lekësh nuk është përfshirë, pasi nuk janë vërtetuar me dokumentacion ligjor shpenzimet e mirëmbajtjes.

Hamitaj vlerëson se duhej të ishte përfshirë e gjithë shuma prej 600 mijë lekësh, duke pretenduar se ky konkluzion mbështetet në jurisprudencën e Kolegjit edhe për shkak të diferencës jo të madhe që është konstatuar. Hamitaj çmon se, vlera e pasqyruar në kontratën e shitblerjes prevalon mbi dyshimet e mundshme. Sipas tij, vetëm përballë një diference më të theksuar dhe elementeve të tjera rrethanore mbi ndonjë trajtim preferencial, favorizim apo konflikt interesash mund të konsiderohej i pranueshëm qëndrimi i shumicës.

Pakica në përfundim vlerëson se këto shuma që nuk janë konsideruar nga koleget në shumicë, shkojnë në rreth 2.2 milionë lekë të munguara në bilancin e analizës së përgjithshme financiare që ka rezultuar me balancë negative totale prej 2.8 milioë lekësh. Nisur dhe nga periudha kohore 18-vjeçare për të cilën është kryer analiza finanicare, pamundësia e mbetur sipas Hamitajt, në shumën 600 mijë lekë, është pothuajse e papërfillshme.

Sipas tij, Kullolli nuk mund të penalizohet thjesht për shkak të mosdeklarimit të saktë të disa shumave të disponuara nga familjarë, të cilët kanë konfirmuar marrëdhënien dhe kanë provuar burimin e ligjshëm të mjeteve monetare të përdorura nga subjekti.

Hamitaj vlerëson se krijohet bindja se shumica nuk duhet të kishte disponuar shkarkimin nga detyra të këtij subjekti rivlerësimi, por konfirmimin e tij.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *