KPK ndëpret vetingun për ndihmësin ligjor, Gentian Lile

Lajme
Ndihmësi ligjor në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës, Gentian Lile është dorëhequr gjatë procesit të vetingut dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi t’i ndërpresë marrëdhënien e tij në shërbimin gjyqësor.

Nga nje seancë dëgjimore e KPK. Foto:LSA

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK ka vendosur më 9 dhjetor të ndërpresë procesin e rivlerësimit për ndihmësin ligjor pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Gjirokastër, Gentian Lile, për shkak të dorëheqjes së tij. Gjithashtu, Komisioni ka vendosur të ndalojë emërimin e tij në institucionet e drejtësisë gjatë 15 viteve të ardhshme.

Në vendim thuhet se në muajin tetor, Lile ka paraqitur pranë KPK kërkesë për dorëheqjen nga detyra. Në vijim, KPK është njoftuar për kërkesën për dorëheqje të Gentian Liles edhe nga Institucioni i Presidentit të Republikës si edhe nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që ka informuar se ka vendosur ndëprerjen e marrdhënieve në shërbimin gjyqësor të tij, pas dorëheqjes së paraqitur prej tij.

Gjithashtu KLGJ ka njoftuar se Lile nuk ka ushtruar ankim ndaj vendimit për ndërprerjen e marrëdhënies së punësimit. I pyetur nga KPK, ndimësi ligjor Gential Lile është shprehur se nuk dëshironte të dëgjohej në seancë dëgjimore.

Në përfundim, trupi gjykues i KPK me kryesuese Brunilda Bekteshin, relatore Valbona Sanxhaktarin dhe Olsi Komicin anëtar, kanë vendosur të ndëpresin vetingun për Gentian Lilen dhe të ndalojnë emërimin e tij si gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë e Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare.