Prokurorja Antoneta Sevdari në KPA | Foto: LSA
KPA Lajme Veting

‘Po trajtohem si statistikë’; KPA tërhiqet për vendim ndaj Antoneta Sevdarit

Kolegji i Posaçëm i Apelimit dëgjoi të martën konkluzionet përfundimtare për ankimin e prokurores Antoneta Sevdari, ndaj vendimit të KPA-së për shkarkimin e saj.

Debati u zhvillua kryesisht mbi këmbënguljen e Komisioneres Publike, Irena Nino për të kërkuar shkarkimin mbi të njëjtat shkaqe që u vlerësuan nga Gjykata Evropiane e Të Drejtave të Njeriut si “joproporcionale” dhe qëndrimit të Sevdari se gjykata duhej të zbatonte vendimin e GJEDNJ-së dhe të linte në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Komisionerja Publike e ndau qëndrimin e  saj në dy pjesë. Ajo fillimisht parashtroi se gjykata ishte e detyruar të zbatonte vendimin e GJEDNJ-së.

“Kushtetuta ua ka garantuar subjekteve të rivlerësimit, përmes procesit gjyqësor në Kolegj, i cili, dhe në rastin konkret, bazuar në kompetencat e saj kushtetuese, garanton zbatimin dhe implementimin e vendimit të GJEDNJ-së, në përputhje me legjislacionin dhe jurisprudencën vendase”, tha Komisionerja.

Në pjesën e dytë Komisionerja interpretoi se vendimi i GJEDNJ-së – e cila e gjeti shkarkimin e Sevdarit nga detyra në shkelje të të drejtave të njeriut dhe joproporcional, nuk kishte rrëzuar shkaqet e ankimit. Duke cituar pjesë nga vendimi i KPA-së, Nino interpretoi se Sevdari nuk arrinte nivelin e besueshmërisë.

“Çdo qasje tjetër e Komisionerit Publik, në rrethanat kur vendimi i GJEDNJ-së nuk rrëzon shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, por kërkon të vlerësohet proporcionaliteti i masës së shkarkimit, rrjedhojë e vlerës provuese të tyre në raport me kërkesat ligjore, nuk do ishte në përputhje me ligjin”, pretendoi Nino.

Ajo më pas renditi të njëjtat shkaqe që GJEDNJ i cilësoi të pamjaftueshme për shkarkim.

Nga ana e saj Sevdari dhe avokatja Romina Zano u mbrojtën duke i sjellë në vëmendje KPA-së se shkaqet e ankimit që përbënin thelbin e vendimit të prishur të Kolegjit për shkarkimin e prokurores ishin cilësuar nga GJEDNJ disproporcionale dhe se vendimi i bazuar mbi to ishte në shkelje të të drejtave të njeriut.

Ato thanë se shkaqet e përsëritura të ankimit nuk mund të cilësoheshin shkarkuese edhe pas vendimit të GJEDNJ-së.

“Për sa më sipër, Gjykata gjykon se referuar një vlerësimi të përgjithshëm të rrethanave specifike të çështjes, shkarkimi i kërkueses, mbështetur kryesisht në faktin se ajo nuk kishte mundur të provonte se bashkëshorti i saj i kishte paguar tatimet për një pjesë të të ardhurave të tij nga aktivitete të ligjshme gjatë dy dekadave të mëparshme, dhe në mungesë të ndonjë indicie të keqbesimit apo të shkeljeve të qëllimshme nga vetë kërkuesja, ishte joproporcional me qëllimet legjitime të procesit të rivlerësimit”, citohet në prapësime GJEDNJ.

Sevdari që mori fjalën në fund të seancës kundërshtoi qëndrimet e Komisioneres Publike dhe tha se ndjente keqardhje që po “trajtohej si statistikë dhe në kundërshtim me ligjin”.

Sevdari tha se qëndrimi i Komisioneres ishte në kundërshtim edhe me faktet e pranuara  në vendimin, tashmë të prishur të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, por edhe në kundërshtim me 10-tra prova të dorëzuara gjatë hetimit administrativ.

“Ajo jo vetëm nuk merr parasysh vendimin e GJEDNJ-së, por  në shkelje të ligjit, gënjen ku në konkluzione thotë se nuk u dokumentua punësimi i pretenduar i bashkëshortit në emigracion”, tha Sevdari duke iu referuar parashtrimeve të Nino.

Prokurorja iu referua një pike në parashtrimet e Ninos sipas të cilës “nuk u provua dhe nuk u dokumentua punësimi i pretenduar i bashkëshortit”  në Arabinë Saudite në vitin 2006.

Ndryshe nga sa pretendoi Komisionerja, Kolegji, në vendimin e saj të kritikuar nga vëzhguesi ndërkombëtar dhe të prishur pas vendimit të GJEDNJ-së, pranoi se provat e sjella nga Sevdari sa i takon punës që bashkëshorti  kishte bërë në Arabinë Saudite në vitin 2006  “arrin nivelin e besueshmërisë”.

Në mbrojtje Sevdari kërkoi zbatimin e drejtpërdrejtë të vendimit të GJEDNJ-së.

“Nëse nuk ka harmonizim pra, nëse jemi në rastet e vakumit legjislativ, ose kur parashikimet ligjore bien në kundërshtim me dispozitat e Konventës, atëherë gjyqtarët e çdo niveli zbatojnë drejtpërsëdrejti vendimet e GJEDNJ-së në përputhje me nenin 122 të Kushtetutës”, thuhet në parashtrime.

Pasi dëgjoi palët, trupa që po e shqyrton çështjen me kryesuese Natasha Mulaj, relator Sokol Çomon dhe anëtarë Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz, e këshilluar në vend vendosi të tërhiqej për vendim, i cili do të shpallet në 10 maj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *