KPK ngre pikëpyetje mbi profesionalizmin e kreut të Prokurorisë së Apelit Shkodër
Lajme

KPK ngre pikëpyetje mbi profesionalizmin e kreut të Prokurorisë së Apelit Shkodër

Prokurori Elvin Gokaj u përball me disa probleme të dosjeve të hetuara prej tij si dhe me denoncime nga publiku që ngrinin pikëpyetje mbi pastërtinë e figurës. Subjekti i konsideroi të pavërteta denoncimet dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.

Prokurori i Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj pas seancës dëgjimore në KPK. Foto: Edmond Hoxhaj.

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Shkodrës, Elvin Gokaj ishte planifikuar për t’u përballur në seancë dëgjimore më 18 qershor, por pas riçeljes së hetimeve, ai doli të hënën para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupa gjykuese kryesohej nga Xhensila Pine, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtare Pamela Qirkon. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Hans Klijstra.

Relatorja sqaroi në fillim të seancës dëgjimore se hetimi për Gokajn kishte përfunduar për të tre kriteret e rivlerësimit. Megjithatë, seanca dëgjimore u fokusua te disa probleme të identifikuara në kriterin profesional si dhe disa denoncime nga publiku, që ngrinin dyshime për favorizim të të pandehurve, veçanërisht gjatë detyrës së subjektit si drejtues i Prokurorisë së Elbasanit.

Gjithashtu, pavarësisht raportit pozitiv të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, relatorja Bungo evidentoi në seancë mungesën e pasqyrimit nga ana e Gokajt e kontakteve me një person të hetuar për “shpërdorim detyre” dhe “pastrim të produkteve penale”.

Prokurori Elvin Gokaj i hodhi poshtë denoncimet me pretendimin se kishin për qëllim diskretitimin e figurës së tij, ndërkohë që për kontaktet me shtetasin me iniciale E.N deklaroi se nuk ishte në dijeni se ai ishte nën hetim.

Problemet për profesionalizimin

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duket se ka konstatuar probleme në disa prej dosjeve të prokurorit Elvin Gokaj, të cilat u bënë objekt rivlerësimi. Sipas relatores Bungo, në 3 raste “duket se subjekti s’ka analizuar si duhet masën e dënimit; në dy rase s’ka analizë të veprës penale; në 1 rast në cilësinë e drejtuesit s’ka dhënë argumentim për zëvendësimin e prokurorit të një çështjeje dhe në një rast duket se ka shkelur të drejtat e të pandehurit duke zëvendësuar avokatin e zgjedhur prej tij me një avokat kryesisht”.

Përveç dosjeve të analizuara, relatorja shtoi se në KPK ishte depozituar një denoncim ndaj prokurorit Gokaj, i cili pretendonte se gjatë periudhës kur subjekti drejtonte prokurorinë e Elbasanit “ka ndikuar te prokurorët për caktimin e masave të buta të sigurisë për të dhënë dënime të ulëta”. Relatorja Bungo shtoi se denoncuesi ka renditur procedimet kur gjykata ka vendosur ndryshe nga sa ka kërkuar prokuroria.

“Nga analiza duket se subjekti në 7 raste, në cilësinë e drejtuesit, nuk ka konstatuar shkeljet dhe mangësitë e prokurorëve,” tha Bungo, e cila theksoi më pas se në dy raste mund të ketë favorizuar të pandehurit me mosveprimet e tij. Komisioni ka identifikuar edhe 4 raste kur prokurori Gokaj nuk ka ankimuar masën e dhënë nga gjykata, edhe pse kjo e fundit ka caktuar masë më të ulët nga ajo e kërkuar prej organit të akuzës.

Gjatë fjalës së tij, prokurori Gokaj u shpreh se denoncuesi ishte i panjohur për të dhe hodhi dyshime se nuk ka lidhje me çështjet që ka denoncuar.

“Është e kuptueshme se s’ka pasur dijeni dhe se është bërë nga një person tjetër që ka pasur akses tek materialet e dosjeve dhe i ka hequr me qëllim dizinformimin e KPK-së. Fatmirësisht u gjetën në Prokurorinë e Përgjithshme,” tha prokurori para KPK-së. Ai shtoi se nuk ka rënë asnjëherë pre e shantazhit, edhe pse ishte kërcënuar.

Lidhur me pastërtinë e figurës, Bungo tha se DSIK ka dorëzuar pranë KPK-së një raport sipas të cilit prokurori Gokaj nuk ka kontakte me persona me lidhje me krimin e organizuar dhe se ai është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën.

Megjithatë, komisioni konstatoi si problem mungesën e pasqyrimit të kontaktit të tij me shtetasin me inicialet E.N; i akuzuar për “shpërdorim detyre” në vitin 2014 dhe “pastrim të produkteve të veprës penale” në vitin 2015.

Gokaj pretendoi në seancën dëgjimore se E.N. nuk është regjistruar si person nën hetim në prokurorinë e Durrësit, ku ai ushtronte në atë kohë detyrën. “Unë s’kam pasur dijeni për hetimin që është kryer atje, pasi karakterizohet nga sekreti hetimor,” u justifikua ai.

Një denoncim i tretë i mbërritur në KPK pretendonte se prokurori Elvin Gokaj, kur drejtonte prokurorinë e Elbasanit ka qëndruar në shtëpinë e shtetasit me inicialet A.B, i cili rezultonte i dënuar në Itali.

“Gokaj ka shpjeguar para Komisionit se për shkak se familja jetonte në Shkodër, ka jetuar në një shtëpi me një oficer të policisë gjyqësore, tek banesa e një kushëriri të tij në Elbasan,” tha relatorja Bungo.

Por në qëndrimin e tij para Komisionit, Elvin Gokaj tha se shtetasi A.B nuk kishte asnjë pronë dhe se denoncimi kishte për qëllim diskretitimin e tij, duke i kërkuar Komisionit që të marrë në shqyrtim provat e depozituara prej tij.

Hetimi pasuror

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Shkodrës nuk rezultoi me probleme të dukshme në kriterin e pasurisë. Sipas relatimit, ai kishte marrë një vlerësim pozitiv nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ndërkohë që KPK konstatoi disa mangësi dhe mospërputhje.

Sipas relatores Bungo, subjekti zotëronte një apartament me sipërfaqe 57 m2 në Shkodër, me burim krijimi akt dhurimi i vitit 2010. Komisioni ka konstatuar se apartamenti është përfituar nga prindërit prej Shoqatës së të Përndjekurve Politikë për shkak se gjyshja e subjektit ka gëzuar statusin e të përndjekurit politik. Lidhur me këtë apartament Bungo evidentoi faktin se prokurori Gokaj e kishte dhënë me qira, por nuk kishte paguar tatim-fitimin.

“Komisioni ka vendosur që të mos i konsiderojë si të ardhura të ligjshme ato të përdituarat nga qiraja,” tha Bungo në seancë.

Ndërkohë, Komisioni ka evidentuar mospërputhje mes kontratës së sipërmarrjes dhe të akt shit-blerjes së një apartamenti në Durrës. Relatorja Bungo shpjegoi se në kontratën e porositjes së një apartamenti në Durrës në vitin 2009, shënohet sipërfaqja 84 m2. Ndërsa në kontratën e shit-blerjes të 30 majit 2014, shënohet sipërfaqja 76 m2.

Komisioni ka kryer analizë financiare për mundësinë e prokurorit Gokaj për të paguar këstet për këtë apartament, 20 mijë euro në vitin 2009 kur është kryer prosia dhe 10 mijë euro në vitin 2014. Komisioni ka konkluduar se në vitin 2009 rezulton një balancë negative me vlerë 827 mijë lekë. Ndërsa për këstin e dytë të paguar në firmosjen e kontratës, ka rezultuar se prokurori Gokaj ka marrë një hua 10 mijë euro në vitin 2014, bazuar në një deklaratë të panënshkruar para noterit. Ndërkohë, kthimi i huasë është nënshkruar para noterit.

Nga verifikimet, Komisoni ka konstatuar se prokurori Gokaj ditën e nënshkrimit të kontratës noteriale për shlyerjen e huasë, ka tërhequr nga banka vlerën 11 mijë euro. Nga analiza financiare ka rezultuar se prokurori Gokaj e ka pasur mundësinë e kursimit të 11 mijë eurove në vitin 2014.

Gjithashtu, Komisioni ka verifikuar edhe mundësinë e huadhënësit për vlerën 10 mijë euro. Nga verifikimi, Komisioni ka konkluduar se huadhënësi E.N. e ka pasur mundësinë financiare për të mbuluar vlerën 10 mijë euro në vitin 2014.

Komisioni nuk ka gjetur probleme lidhur me krijimin e burimit të të ardhurave të përdorura për blerjen e një autoveturë në vitin 2016. Bungo tha se në lidhje me Benz-in e blerë në vitin 2016 kundrejt shumës 5000 euro, subjekti ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat e përfituara nga shitja e një makine tjetër po atë vit në të njëjtën vlerë.

Komisioni ka verifikuar edhe likujditetet. Bungo nuk evidentoi problematika lidhur me një depozitë 4.1 milionë lekë, ku si burim krijimi janë deklaruar pagat e prokurorit Gokaj dhe të bashkëshortes së tij.

Komisioni ka konstatuar edhe disa llogari të përbashkëta mes bashkëshortes së prokurorit Gokaj me nënën e saj dhe të subjektit të rivlerësimit, të cilat nuk janë pasqyruar. Prokurori Gokaj ka deklaruar se këto depozita u përkasin prindërve. Relatorja Bungo tha se subjekti ka arritur të provojë të ardhurat e të atit. Ndërkohë, Komisoni ka konstatuar edhe një depozitë të bashkëshortes së prokuorit Gokaj me nënën e saj. Si burim për këtë depozitë janë deklaruar të ardhurat e djemve të nënës së bashkëshortes së subjektit.

Bungo tha se subjekti rivlerësimit ka depozituar prova dhe shpjegime lidhur me likujditetet të cilat do të merren parasysh gjatë marrjes së vendimit.

Në përfundim të seancës dëgjimore, prokurori Elvin Gokaj u shpreh se nuk kishte asnjë pretendim për anën proceduriale të hetimit administrativ të kryer nga KPK. Ai kërkoi konfirmimin e tij në detyrë.

Ndërkohë, vendimi do të shpallet nga trupa gjykuese e KPK-së më 24 korrik, ora 10:15.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *