Gjyqtarja Arbena Ahmeti në KPK | Foto : Edmond Hoxhaj
Lajme

KLGJ i hap rrugën për në Gjykatën e Lartë gjyqtares Arbena Ahmeti

Këshilli i Lartë Gjyqësor, miratoi të mërkurën projekt-vendimin për propozimin për emërimin një vend të lirë në fushën e të drejtës administrative në Gjykatën e Lartë, gjyqtaren e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Arbena Ahmeti.

Ky vendim i KLGJ-së vjen dy javë pasi Gjykata e Lartë konstatoi pamundësinë e thirrjes së mbledhjes së posaçme për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm me 10 anëtarë.

Gjykata e Lartë njoftoi më 26 janar se e ka të pamundur të thërrasë mbledhjen e posaçme pasi aktualisht përbëhet nga vetëm 9 anëtarë nga 19 që duhet të ketë. Për të thërritur mbledhjen e posaçme nevojitet edhe anëtari i 10-të.

Gjykata e Lartë e bëri publik këtë konstatim pas miratimit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të listës së katër kandidatëve për vendin vakant të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha dhe kërkesës për vijimin e procedurës.

Anëtarja e KLGj-së që relatoi projekt vendimin në mbledhjen e të mërkurës, Marçela Shehu shpjegoi se gjyqtarja Arbena Ahmeti është e vetme në garën për këtë pozicion dhe për rrjedhojë është vlerësuar se nuk ka vend për ndjekjen e kritereve që kanë të bëjnë me renditjen e kandidatëve.

Shehu shpjegoi se për Ahmetin janë administruar dy vlerësimet etike dhe profesionale në të cilat është vlerësuar “shkëlqyeshëm”, ku për periudhën 2013-2016 ka grumbulluar në total 384 pikë, ndërsa për vitin 2019 ka siguruar 389 pikë. Në unanimet këshilli vendosi t’i propozojë për dekretim Presidentit të Republikës emërimin e Arbena Ahmetit për në Gjyakatën e Lartë.

Gjyqtarja Arbena Ahmeti u konfirmua në detyrë më 1 nëntor 2021, duke arritur të bindë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK për barrën e provës për pasurinë, ashtu si dhe bashkëshorti i saj, prokurori Arens Çela – i cili e kaloi vetingun me formë të prerë, megjithëse me shumicë votash.

Po ashtu, Ahmeti u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe u konsiderua se kishte arritur nivel kualifikues për profesionalizmin. Vendimet e konfirmimit të bashkëshortëve Çela – Ahmeti nuk u ankimuan nga Institucioni Komisionerëve publik dhe kanë marrë formë të prerë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *