Ndihmësja ligjore e Gjykatës së Lartë Maela Alicanaj përballet me vetingun
Lajme

Ndihmësja ligjore e Gjykatës së Lartë Maela Alicanaj përballet me vetingun

Maela Alicanaj, këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë u përball në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me disa pikëpyetje mbi pasurinë. Alicanaj kërkoi të konfirmohej në detyrë.

Maela Alicanaj, këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë, para KPK. Foto:BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shqyrtoi të hënën çështjen ndaj ndihmëses ligjore të Gjykatës së Lartë, njëkohësisht studente në Shkollën e Magjistraturës Maela Alicanaj. Alicanaj sipas KPK ishte hetuar në të tre kriteret, megjithatë gjatë relatimit u vu në dukje se asaj i kishte kaluar barra e provës vetëm mbi disa pikëpyetje sa i përket pasurisë dhe kryesisht disa transaksione me qëllim blerjen e një apartamenti.

Trupa gjykuese që kreu procesin e rivlerësimit për të përbëhet nga Valbona Sanxhaktari kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Genta Tafa Bungo anëtare.

Gjatë seancës Hamitaj vuri në dukje se analiza financiare kishte nxjerrë Alicanajn me mungesë burimesh të ligjshme në shumën 1.8 milion lekë. Hamitaj tha se nuk ishin konsideruar disa prej të ardhurave të pretenduara nga Alicanaj.

Pyetje kandidates për gjyqtare iu bënë edhe sa i përket disa transaksioneve me qëllim blerjen e një shtëpie në Tiranë, por që rezultoi se nuk ishte përfunduar. KPK po ashtu shtroi si çështje mosdeklarimin e përdorimit të një apartamenti në të cilin ajo dhe familja e saj kishte jetuar.

Alicanaj kundërshtoi gjetjet në analizën financiare. Ajo paraqiti në KPK prova shtesë sa i përket të ardhurave nga një dyqan në Fier dhe pagesën e tatimeve. Po ashtu ajo kundërshtoi gjetjet e KPK-së sa i përket shtëpisë në të cilën kishte banuar dhe dha shpjegime mbi tjetërsimin e destinacionit të një kredie që ishte marrë për blerjen e një apartamenti.

Pas përmendjes nga relatori se Inspektoriati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në raportin për profesionalizmin e saj kishte vërejtur “mangësi substanciale”, Alicanaj argumentoi se ajo kishte dalë e para në testimin pranë Shkollës së Magjistraturës dhe dha shpjegime mbi kritikat e IKLD-së.

Maela Alicanaj ka punuar si avokate e Shtetit në zyrën vendore të Vlorës, përpara se të emërohej këshilltare ligjore në Gjykatën e Lartë. Ajo vazhdon ta kryejë këtë detyrë prej vitit 2011.

Vlerësimi i pasurisë

Relatori Lulzim Hamitaj vuri në dukje në fillim të raportit të tij se Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI, kishte gjetur pasurinë e kandidates për gjyqtare me probleme.

Sipas Hamitaj ILDKPKI kishte raportuar se ajo “nuk ka bërë deklarim të saktë, s’ka burime të ligjshme dhe ka bërë deklarim të rremë”. KPK tha se kishte bërë një hetim të pavarur mbi një listë pasurish dhe transaksionesh.

Komisioni tha se çështjet e ngritura mbi një truall 154 metra me një ndërtesë 83 metra në Fier, përfituar me shkëmbim për një apartament në Yzberisht me vlerë 35 mijë euro, u sqaruan nga shpjegimet e Alicanajt dhe nuk rezultuan probleme.

Po ashtu u gjet pa probleme blerja prej bashkëshortit të kandidates për magjistrate e apartamentit që ishte përdorur në shkëmbim. Ai ishte financuar pjesërisht nga kursimet dhe pjesërisht me kredi, por pas shkëmbimit nuk ishte më në pronësi të tyre.

Megjithatë sipas relatorit Alicanajt iu kërkuan shpjegime për një transaksion të papërmbyllur me një kompani ndërtimi. Nga hetimi rezulton se ajo dhe i shoqi kanë paguar 18 mijë euro parapagim për një apartament 215 metra katrorë.

Apartamenti do të blihej në kompaninë ku punonte bashkëshorti i subjektit. Pjesa tjetër e apartamentit do të paguhej me kredi. Nga hetimi rezultoi se kredia e marrë nuk ishte përdorur për këtë banesë, ndërsa kontrata mes tyre dhe ndërtuesit nuk ishte prishur. Apartamenti në fjalë ndërkohë u ishte shitur të tretëve, por shuma prej 18 mijë eurosh nuk ishte kthyer pas.

Kandidatja për magjistrate Maela Alicanaj shpjegoi se kishte një marrëveshje verbale mes palëve se shuma prej 18 mijë eurosh do të përdorej për një apartament në një moment të dytë. Ajo shpjegoi ndër të tjera se pas marrjes së kredisë që do shërbente për apartamentin, ata kishin shlyer një detyrim të papritur. “Ne vijojmë të paguajmë kredinë, por nuk e kemi marrë shtëpinë”, tha Alicanaj, duke theksuar se paratë ishin përdorur për të shlyer një detyrim. Ajo tha se banka nuk kishte pasur kundërshtim për këtë.

KPK ndërkohë kërkoi informacion sa i përket mospërdorimit të shumës prej 18 mijë eurosh dhe faktit që nuk ishte kthyer. Relatori tha se versioni i Alicanajt ishte mbështetur edhe nga ndërtuesi, i cili kishte pranuar se i detyrohej çiftit shumën dhe se palët do të hynin në marrëveshje të dytë pasi ai të merrte leje ndërtimi në kryeqytet dhe ata do të blenin shtëpi aty.

Alicanaj i qëndroi këtij versioni edhe pas pyetjes nga vëzhguesja ndërkombëtare Mia Roessingh se pse këto para nuk ishin marrë për tu përdorur për borxhet apo për kredinë. Ajo tha se kreida që paguante ishte kredi tregtare dhe se ajo priste që të rihapej mundësia për të blerë një shtëpi.

Alicanaj po ashtu u pyet në lidhje me blerjen e një apartamenti në Ishëm për 25 mijë euro në vitin 2015. KPK tha se nuk kishte pasur burime të ligjshme për të paguar këstin e parë prej 5100 eurosh.

Subjekti kundërshtoi këtë gjetje, ndërsa i tha Komisionit se kësti ishte financuar nga qiraja e dyqanit në Fier. Ajo shpjegoi se tatimet për këtë qira duhej të ishin paguar nga qiramarrësi, por meqë ai nuk i kishte paguar, pas konsultimit me ekspertë të tatimeve paratë ishin paguar prej saj dhe bashkëshortit. Ajo paraqiti si prova dokumentet në lidhje me pagesat, duke kërkuar që këto të ardhura të konsideroheshin të ligjshme.

Alicanajt iu kërkuan shpjegime edhe mbi transaksionet për një makinë që përfshinin po ashtu një kredi (leasing) dhe shitjen e një makine të mëparshme. KPK tha se shpjegimet kishin qenë bindëse.

KPK megjithatë cilësoi si problem mosdeklarimin e një apartamenti në përdorim. Sipas hetimit apartamenti që ishte përdorur nga viti 2010 deri në vitin 2017 ishte marrë nga i njëjti ndërtues ku kishte punuar bashkëshorti i saj dhe pa qira. KPK tha se dukej si një marrëdhënie preferenciale, ndërsa u vu në dukje se apartamenti nuk ishte deklaruar si adresë në vitet 2010 dhe 2011 edhe pse ishte në përdorim nga Alicanajt.

Alicanaj kundërshtoi arsyetimin e KPK në këtë pikë. Ajo tha se gjithçka që kishte të bënte me pasurinë dhe për të cilën i ishte kërkuar llogari, edhe pse ajo mbante përgjegjësi, kishin të bënin me bashkëshortin. Ajo tha se nuk kishte konflikt interesi me personin që u kishte dhënë në përdorim apartamentin, pasi ai nuk kishte pasur çështje në dhomën penale në Gjykatën e Lartë.

Alicanaj përdori në mbrojtje të saj arsyetimin e KPK në çështjen ndaj prokurorit Dritan Peka në të cilën relator ishte po ashtu Lulzim Hamitaj. Ajo e referoi këtë çështje në lidhje me mosdeklarimin e apartamentit për të shpjeguar se nuk e kishte pasur atë në posedim dhe për të ndarë përgjegjësinë e saj në këtë rast me bashkëshortin që e kishte marrë këtë apartament nga punëdhënësi. Po ashtu edhe për të kundërshtuar marrëdhënien preferenciale duke u nisur nga arsyetimi në atë vendim mbi konfliktin e interesit.

Ajo sqaroi se në dy vjet që nuk e kishte deklaruar këtë apartament si banesë sepse kishet banuar te prindërit në Fier.  Ajo po ashtu dha shpjegime mbi disa shpenzime udhëtimi, duke thënë se ato ishin paguar me kartë krediti dhe ishin transparente.

Ndërkohë Hamitaj vuri në dukje se Alicanaj nuk kishet probleme në kriterin e figurës dhe me gjithë kritikën nga IKLD kapërcente pragun minimal në vlerësimin e aftësive profesionale. Alicanaj replikoi sa i përket kriterit të aftësive profesionale, duke kundërshtuar raportin e Inspektoriatit të KLD-së, ajo vuri në dukje se kishte dalë e para në testimin e Shkollës së Magjistraturës. Vendimi për Maela Alicanin jepet më 24 korrik ora 16.45.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *