Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, Gjon Fusha pas vendimit të KPK.
Korrupsioni KPK Lajme Në Fokus

KPK e dërgoi prokurorin Gjon Fusha për inspektim ‘pa shkak’

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit rrëzoi konstatimin e DSIK-së për dy çështje ku prokurori Gjon Fusha dyshohej se mund të kishte favorizuar dy të pandehur, megjithatë vendosi ta dërgojë atë “pa shkak” për inspektim.

Drejtuesi i Prokurorisë së Apelit të Gjirokastrës, Gjon Fusha pas vendimit të KPK.

Me vendimin e datës 12 qershor 2020, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë prokurorin e Apelit të Gjirokastrës, Gjon Fusha dhe vendosi të transferojë për inspektim pranë Inspektoritatit të Lartë të Drejtësisë, ILD dy çështje të përfaqësuara nga subjekti –ndonëse KPK thotë se nuk janë gjetur probleme.

Trupi gjykues i KPK, i përbërë nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Suela Zhegu relatore dhe Pamela Qirko anëtare, arrijnë në përfundimin se prokurori Gjon Fusha ka arritur nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë dhe të kontrollit të figurës dhe nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale.

Dy çështjet e dërguara për inspektim janë trajtuar në një raport të dytë të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK.

Ndryshe nga raporti i parë, ku DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë, në vijim i ka referuar Komisionit të dhëna të tjera, duke e konsideruar subjektin të papërshtatshëm.

Në vendimin e zbardhur thuhet se Komisioni ka kryer hetim të thelluar dhe i ka kërkuar informacion Prokurorisë së Përgjithshme, nëse ka pasur ndonjë procedim penal ndaj Fushës. Prokuroria e Përgjithshme ka njoftuar se ndaj subjektit nuk ka pasur ndonjë procedim penal.

Në vijim të përgjigjes është shpjeguar se në vitin 2015 është kryer një kallëzim penal nga Policia e Shtetit ndaj Fushës dhe se Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur procedim penal për “korrupsion pasiv”, por pa autor konkret. Ky procedim është pushuar më pas nga Krimet e Rënda.

Komisioni ka konstatuar se për faktin se subjekti Gjon Fusha nuk është marrë si person nën hetim dhe as si i pandehur, nuk ka pasur detyrimin të deklarojë këtë fakt as në formularin për pastërtinë e figurës dhe se e ka plotësuar këtë formular në përputhje me dispozitat urdhëruese të ligjit.

Komisioni shprehet se ka kryer hetim të thellë për informacionet e DSIK, sipas së cilave prokurori Fusha mund të ishte i përfshirë në veprimtari korruptive në një çështje penale gjatë viteve 2011 dhe 2016, si dhe të përfshirjes në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e shpërdorimit të detyrës dhe ndërveprimit korruptiv në vitin 2019.

Bazuar në këto informacione të DSIK, Komisioni ka tërhequr nga Prokuroria e Apelit Gjirokastër dy dosjet penale të regjistruara në ngarkim të shtetasve L. K., dhe A. L.

Në vendim shpjegohet se nga verifikimet rezulton se L.K. në prill 2019 është proceduar për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike” e kryer në bashkëpunim dhe ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” nga Gjykata e Shkallës së Parë Sarandë.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Apelit Gjirokastër, përfaqësuar nga subjekti i rivlerësimit, prokurori Gjon Fusha, ka konsideruar të drejtë vendimmarrjen e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë (arrest në burg) dhe ka kërkuar në gjykim miratimin e vendimit penal nr. ***, datë 3.5.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë”, konstaton trupi gjykues dhe shton se kjo masë sigurie është lënë në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Gjirokastër.

“Komisioni, pasi verifikoi dhe analizoi aktet e dosjes penale, konkludon se nuk dokumentohet asnjë veprim nga subjekti i rivlerësimit, i cili të konsiderohet si favorizues ndaj të pandehurit, shtetasit me inicialet L. K”, citohet në vendim.

Në vendim shpjegohet gjithashtu se ndaj shtetasit A.L. është regjistruar procedim penal në janar të vitit 2015 dhe se është dënuar përfundimisht me 8 muaj burg nga Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër për moskallëzim krimi – lidhur me një ngjarje ku janë përfshirë dy persona të tjerë të cilët i kanë vjedhur me dhunë një gruaje çantën ku gjendeshin 1000 euro dhe 5 mijë lekë.

Nga verifikimet e dosjes, Komisioni ka gjetur se dy autorët e vjedhjes me dhunë e kanë apeluar vendimin e shkallës së parë, ndërsa A.L. i dënuar për “moskallëzim krimi” nuk ka kryer ankim.

Edhe për këtë çështje është verifikuar që prokurori Gjon Fusha ka kërkuar lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë.

Pavarësisht se Komisioni e shfajëson Z.Fusha nga dyshimet e ngritura nga DSIK, ka vendosur gjithsesi që dy çështjet e verifikuara t’i dërgojë për inspektim të mëtejshëm pranë Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Në përgjigje të një kërkese për të drejtën e informimit lidhur me arsyen se përse janë dërguar për inspektim dy çështjet e verifikuara, për të cilat nuk janë evidentuar probleme, KPK rithekson se nuk janë gjetur indicie.

“…Pasi u analizuan me kujdes, Komisioni vlerësoi se nuk u gjetën elemente të mjaftueshme për masë disiplinore…,” thuhet në përgjigjen e KPK.

Sipas Komisionit, pika 4 e nenit 59 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i jep të drejtën për të adresuar pranë organit kompetent çështje të ndryshme, të cilat mund t’i nënshtrohen një inspektimi të mëtejshëm nga ky institucion.

“Për rrjedhojë, trupa e vlerësoi të arsyeshme që t’i dërgojë këto dosje pranë ILD-së, për inspektim të mëtejshëm në kuadër të ligjit që rregullon statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë,” përfundoi KPK.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *