Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK ngre trupë gjyqësore për ‘pensionistët’ e drejtësisë

Fluksi i dorëheqjeve të njerëzve të drejtësisë përgjatë procesit të vetingut ka shtyrë Komisionin e Pavarur të Kualifikimit që të ngrejë një trupë gjykuese të dedikuar për trajtimin e tyre në një periudhë 1-vjeçare.    

Gjyqtarët Lulzim Hamitaj, Genta Tafa Bungo, Pamela Qirko, gjatë një seance në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK | Foto : LSA

“Trupi gjykues i shortuar për këtë qëllim është i përbërë nga Pamela Qirko, komisionere, Lulzim Hamitaj, komisioner dhe Etleda Çiftja, komisionere,” thuhet në njërin prej vendimeve të ndërprerjes së vetingut, të zbardhur nga KPK.

Trupa është ngritur më 26 shkurt 2019 dhe do të vendosë për dorëheqjet e subjekteve për një periudhë 1-vjeçare.

Vetëm gjatë tre ditëve të fundit kjo trupë gjykuese ka shpallur vendime për 10 subjekte, të cilët janë larguar nga sistemi përgjatë viteve 2017 dhe 2018 për shkak të mbushjes së moshës së pensionit. Ndërkohë, vendimet e zbardhura të enjten u përkasin gjyqtarëve Agim Ferizaj dhe Nazmie Pengili dhe prokurorëve Petrit Qerimi dhe Ylli Dhimitri.

Ferizaj, ish-gjyqtar i Apelit të Durrësit e ka humbur statusin e magjistratit në janar 2018, ndërsa gjyqtarja e Krujës, Nazmie Pengili në prill 2018. Prokurori i Kavajës, Ylli Dhimitri është shpallur me status të përfunduar nga Prokuroria e Përgjithshme në prill të vitit 2017, ndërsa prokurori i Apelit të Vlorës, Petrit Qerimi është shkëputur nga detyra në shtator të vitit 2018.

Vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për rastet e mësipërme janë standarde.

“Organi publik deklaron të përfunduar procedurën administrative pa një vendim përfundimtar për çështjen, kur objekti për të cilin kishte nisur procedura apo qëllimi i tij është bërë i pamundur,” shkruhet në vendimet e KPK-së për ish-gjyqtarët dhe prokurorët.

Prej fillimit të procesit të vetingut, mbi 17 gjyqtarë dhe prokurorë janë larguar nga sistemi përmes dorëheqjeve, ndërkohë që një numër i konsiderueshëm u larguan për shkak të mbushjes së moshës së pensionit. Sipas Kushtetutës dhe ligjit “për rivlerësimin kalimtar”, procedura e vetingut për këto raste ndërpritet pa vendim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *