KPK shkarkon kandidaten për në Kushtetuese Anila Guri
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit Lajme

KPK shkarkon kandidaten për në Kushtetuese Anila Guri

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi shkarkimin nga detyra të kandidates për në Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqtares Anila Guri.

Gjyqtarja Anila Guri gjatë seancës në KPK. Foto:Edmond Hoxhaj.

Kandidatja për në Gjykatën Kushtetuese dhe gjyqtarja pranë Gjykatës së Tiranës, Anila Guri (Kristani) u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, pas gjetjeve të problemeve mbi pasurinë.

KPK bëri me dije se problemet e pasurisë së Gurit ishin vënë në dukje që në raportin e Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI. Sipas këtij raporti gjyqtarja Guri “nuk kishte kryer deklarim të saktë të pasurisë, s’ka burime të ligjshme, ka kryer fshehje e deklarim të rremë”.

Trupa gjykuese që shqyrtoi çështjen përbëhej nga Lulzim Hamitaj kryesues, Alma Faskaj relatore dhe Suela Zhegu anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.

Gjyqtarja Anila Guri (Kristani) e ka nisur karrierën e saj në korrik të vitit 1996 në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku shërben prej më shumë se 23 vitesh. Ajo është kandidate për një pozicion në Gjykatën Kushtetuese.

Relatorja e çështjes, Alma Faksaj u shpreh se Komisioni e kishte përfunduar hetimin për gjyqtaren Guri për të tri kriteret, atë të deklarimit të pasurisë, të pastërtisë së figurës dhe profesionalizimit, por nga relacioni u duk se KPK ishte fokusuar te pasuria e gjyqtares.

Sipas relacionit problemet kryesore të gjykatëses ishin një shtëpi trekatëshe, e ndërtuar nga bashkëshorti para martese. Mungesa e të ardhurave në disa vite për blerje të dy makinave dhe dyshimet për fshehje të shtëpi në Velipojë që ishte në emër të nënës së subjektit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *