KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Desart Avdulaj

Lajme
Komisioni i Pavarur i Kualikimit shpalli të mërkurën vendimin për largimin nga sistemi i drejtësisë të gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Durrës.

Gjyqtari i Gjykatës së Apelit në Durrës Desart Avdulaj pas seancës dëgjimore. Foto:Vladimir Karaj

Trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Xhensila Pinen dhe anëtare Brunilda Bekteshin, shpalli të mërkurën në mëngjes vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Desart Avdulaj.

Procesi i rivlerësimit për subjektin e krye vetëm për kriterin e pasurisë.

Gjatë seancës dëgjimore, KPK deklaroi se subjekti ka probleme me justifikimin e burimit të ligjshëm për një hua 70 mijë euro, të marrë nga katër persona – dy vëllezër, një kushëri dhe një i njohur.

KPK ngriti gjithashtu dyshime mbi pronësinë e fshehur të një makine të blerë nga i vëllai dhe pamundësinë financiare në disa vite.

Komisioni përmendi edhe dyshimet për konflikt interesi në një çështje që po shqyrtohet në Gjykatën e Apelit në Durrës.

Në fjalën e tij gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari këmbënguli se pasuria ishte e ligjshme dhe se huadhënësit po ashtu kishin pasur të ardhura që i justifikonin huat. Avdulaj kundërshtoi dyshimet për pasuri të fshehur dhe ato për konflikt interesi, ndërsa tha se dosja në fjalë nuk ishte lexuar prej tij dhe emri i tij në sistemin elektronik si gjyqtarë i saj ishte një gabim teknik.

Avdulaj u pyet gjatë edhe prej vëzhguesit ndërkombëtar Steven Kesser, i cili këmbënguli kryesisht të kuptonte marrëdhëniet mes tij dhe huadhënësve. Kesser madje e pyeti gjyqtarin edhe nëse e dinte se si kishte shkuar biseda mes të vëllait dhe të fejuarës së tij mjeke në Çeki, mbi një hua 10 mijë euro që gjyqtari kishte marrë në vitin 2010.

Desart Avdulaj ka përfunduar studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtar në Gjykatën e Gjirokastrës. Prej vitit 2013, ai ka ushtruar funksionin në Gjykatën e Apelit të Durrësit.