Prokurori Drini Pali në KPK | Foto : LSA
Analiza KPK Veting

KPK u nda në rivlerësimin e prokurorit Drini Pali

Prokurori i Durrësit, Drini Pali u konfirmua në detyrë më 18 janar me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK të kryesuar nga Etleda Çiftja me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Roland Ilian. Ndryshe nga relatorja Shuli dhe komisioneri Roland Ilia që konsideruan se subjekti kishte arritur nivel të besueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit, kryesuesja Çiftja vlerëson se ai ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasurinë, si dhe ngre dyshime se subjekti është përpjekur të shmangi një apartament nga verifikimi.

Po ashtu Çiftja konsideron penalizuese dhe problemet profesionale për të cilat subjekti është shkarkuar nga detyra në vitin 2009, si dhe ato të konstatuara në disa çështje të denoncuara. Trupa e KPK-së është bashkuar për konkluzionin në kriterin e pastërtisë së figurës, ku nuk janë gjetur probleme.

Drini Pali përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2003 dhe punon prej gati dy dekadash si prokuror i Prokurorisë së Rrethit Durrës.

Konkluzionet ndryshe për pasurinë

Bashkëjetuesja e prokurorit ka deklaruar në vitin 2009 një kontratë porosie për një apartament në Tiranë me sipërfaqe 108.77 m2 për çmimin 100 mijë euro, si dhe pagesën e vlerës 25 mijë euro. Nisur nga fakti se në vitet në vijim nuk janë pasqyruar të dhëna për këtë pasuri, KPK ka kryer verifikime.

Nga hetimi ka rezultuar se në vitin 2014 bashkëjetuesja e subjektit ka nënshkruar një deklaratë noteriale të njënashme ku deklaron revokimin e kontratës së porosisë së vitit 2009. Subjekti ka pretenduar se revokimi është kryer në 2011-ën në mënyrë verbale dhe se është kthyer shuma e paguar, që sipas Palit u është dhënë prindërve të bashkëjetueses.

“Është vërtetuar se shuma prej 25.000 euro, paguar në vitin 2009 për porositjen e një apartamenti nga bashkëjetuesja, deklaruar prej saj në DPV-në për këtë vit, nuk i është kthyer as subjektit dhe as bashkëshortes së tij, por nënës së saj, e cila e ka përdorur për blerjen e një apartamenti të ri blerë me kontratë shitje në vitin 2014, me të cilin nuk u evidentuan lidhje të subjektit dhe bashkëshortes së tij, fakt që përforcon bindjen se kjo shumë ishte kontribut i krijuar me të ardhura të familjes N.”, çmon shumica dhe shprehet se ka krijuar bindjen se subjekti i rivlerësimit nuk ka pasur asnjë lidhje dhe kontribut për shumën 25 mijë euro të paguar nga bashkëjetuesja në vitin 2009 për porositjen e apartamentit. Në përfundim shumica nuk ka gjetur probleme për ketë pasuri.

Kryesuesja Çiftja në pakicë vlerëson se subjekti dhe bashkëjetuesja nuk kanë deklaruar pakësimin e shumës 25 mijë euro dhe revokimin verbal të. Ajo vëren se revokimi i vitit 2014 i pretenduar nga subjekti nuk është në përputhje me kontratën e sipërmarrjes ku është përcaktuar se çdo ndryshim është i vlefshëm vetëm nëse është nënshkruar rregullisht nga të dyja palët.

Pakica çmon se kontrata e porosisë e vitit 2009 është në fuqi pasi nuk është shuar apo zëvendësuar me asnjë akt të shkruar.

Në vijim Çiftja  analizon zbatimin e kontratës së sipërmarrjes pas vitit 2009 duke evidentuar se pagesa e vlerës 25 mijë euro është kryer nga nëna e bashkëjetueses me shumat e dhëna nga e bija, të tërhequra nga depozita në emër të saj.

“Mbetet e pashpjegueshme arsyeja e tërheqjes së fondeve nga ana e bashkëjetueses dhe kryerja e transfertës bankare nëpërmjet llogarive të nënës së saj, në kushtet që marrëdhënia kontraktore në vitin 2009 ishte midis bashkëjetueses dhe investitorëve dhe transferta bankare mund të ishte kryer drejtpërdrejt nga llogaria e saj”, shprehet Çiftja dhe evidenton se nga hetimi ka rezultuan se nëna e bashkëjetueses së subjektit ka depozituar në llogarinë  shoqërisë ndërtuese shumën totale 70 mijë euro deri në fund të vitit 2011 – vit, që sipas kryesueses korrespondon me dorëzimin faktik të apartamentit të porositur në 2009-ën.

Ajo kundërshton edhe konkluzionin e shumicës për rikithimin e shumës 25 mijë euro vjehrrës së subjektit duke konsideruar se është nxjerrë mbi dokumente joligjore, pasi mandatpagesat nuk përmbajnë numrin serial dhe vulën, sipas parashikimeve ligjore të kohës.

Për apartamentin që sipas shumicës është porositur nga prindërit e bashkëjetueses së subjektit në vitin 2011 dhe blerë në 2014-ën,  Çiftja konstaton se nuk ekziston asnjë kontratë porosie. Gjithashtu, ajo vëren se pagesat janë kryer për llogari të të njëjtit aksioner dhe jo për një investitor të ri ashtu si shprehet shumica.

“Atëherë, natyrshëm lind pyetja: Për cilin apartament ka paguar B.N., nga llogaria 45.000 euro në vitin 2009 dhe 25.000 në vitin 2011? Unë vlerësoj se këto pagesa janë kryer për apartamentin e porositur nga bashkëjetuesja e subjektit në vitin 2009 dhe nuk kanë lidhje me kontratën e shitjes së vitit 2014, ku nëna e bashkëjetueses ka blerë një pronë tjetër”, vlerëson Çiftja duke u bazuar dhe në numrin e pronësisë, sipërfaqen e apartamentit dhe shumën e paguar.

Ajo e cilëson të palogjikshme dhe të pabesueshme kthimin e shumës 25 mijë euro në vitin 2011 nëpërmjet dy mandate pagesave dhe për faktin se vjehrra mund të kishte balancuar me këtë vlerë pagesat e vitit 2011, të paguara me bankë.

Po ashtu, Çiftja konstaton se prindërit e bashkëjetueses së subjektit rezultojnë të kenë qenë në pamundësi për dhënien e shumave për kriijimin e depozitave në favor të saj, që kanë shërbyer për kryerjen e pagesave.

Në përfundim të analizimit të kësaj pasurie, kryesuesja Çiftja në pakicë vlerëson se subjekti i rivlerësimit është përpjekur të paraqesë në mënyrë të pasaktë transaksionet që kanë ndodhur për apartamentin e porositur në vitin 2009 dhe është përpjekur të deformojë faktet dhe rrethanat e çështjes me qëllim që të shkëpusë lidhjen ligjore me këtë pasuri, si dhe se gjendet në kushtet mungesës së burimeve dhe fshehjes së pasurisë, sipas parashikimeve të pikës 5 të nenit D të Aneksit të Kushtetutës dhe germave “a”, “b” e “c”, të nenit 33, të ligjit nr. 84/2016.

Ndryshe nga shumica, Çiftja vlerëson se bashkëjetuesja e subjektit nuk ka deklaruar saktë gjatë periudhës 2012-2015 dhe dy apartamente që i kanë dhuruar prindërit në vitin 2011, pasi janë konstatuar mospërputhje midis deklaratës “veting” dhe dokumentacionit me anë të të cilit është fituar pronësia.

Trupa e KPK është ndarë dhe për një gjendje cash e bashkëjetueses së subjektit e pasqyruar në deklaratën veting në shumën 1 milion lekë, vlerë për të cilën ka shpjeguar se i është dhënë nga prindërit. Çiftja konsideron se ka mungesë burimesh për krijimin e kësaj vlere si dhe kërkon moskonsiderimin në analizën financiare për shkak të mosdeklarimit në vitin 2015 kur pretendohet se është krijuar.

Po ashtu, Çiftja ngre dyshime lidhur me kontributin e subjektit në një apartament me sipërfaqe 110.45 m2 të blerë në vitin 2015 në Tiranë për çmimin 5 milionë lekë. Pali ka deklaruar se disponon ½ pjesë takuese të kësaj asurie, megjithëse ka kontribuar personalisht me shumën 1.5 milionë lekë, ndërsa bashkëjetuesja me vlerën 3.5 milionë lekë të dhuruar nga prindërit e saj. Duke konsideruar faktin se subjekti dhe bashkëjetuesja nuk kanë regjim martesor, Çiftja ngre dyshime se subjekti mund të mos ketë qenë i vërtetë në deklarimin e kontributit monetar të tij në këtë apartament.

Konkluzionet për profesionalizmin

Nga verifikimi të dhënave arkivore ka rezultuar se pas një procedimi disiplinor të filluar në vitin 2009 nga Prokuroria e Përgjithshme, në maj të 2010-ës Presidenti Republikës ka dekretuar shkarkimin e prokurorit Drini Pali nga detyra me motivacionin: “Për kryerjen e akteve dhe veprimeve që diskreditojnë rëndë figurën e prokurorit”. Por në vitin 2013, subjekti është rikthyer në detyrë me një vendim të Gjykatës së Lartë.

Shumica konstaton se shkarkimi i Palit është gjykuar i pabazuar nga gjykatat që e kanë rikthyer në detyrë. Ndërkohë, për shkeljet e konstatuara nga inspketimi shumica konsideron se ato i përkasin viteve 2007-2008 dhe gjenden jashtë periudhës së rivlerësimit.

Çiftja në pakicë, rendit të dhënat e dërguara nga KLP për inspektimin e kryer në vitin 2009 nga Prokuroria e Përgjithshme që ka konstatuar se subjekti ka regjistruar procedime në kundërshtim me ligjin dhe ka mbajtur padrejtësisht në hetim për disa muaj disa persona që nuk kanë kryer vepra penale, duke shkelur të drejtat e ligjshme të tyre.

Po ashtu, është konstatuar se prokurori Pali ka pushuar hetime për të akuzuar ndaj të cilëve kanë ekzistuar provat për kryerjen e veprës penale apo ka kërkuar dënime minimale për të pandehurit që akuzohen për mbajtje të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje, etj..

Pakica vëren se nuk qëndron argumenti i shumicës se për shkarkimin e Palit ka vendim gjykate, dhe sjell në vëmendje faktin se gjykatat kanë vendosur bazuar në pretendimet e subjektit. Çiftja  vëren se vendimi i gjykatës së apelit dhe Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë kanë analizuar afatet procedurale të inspektimit, por nuk kanë shqyrtuar çështjen në themel lidhur me aspektin profesional.

Ajo cilëson të pabazuar edhe konkluzionin tjetër të shumicës se shkeljet i përkasin një periudhë jashtë asaj të rivlerësimit kalimtar. “[…]Ky është konkluzion është i pabazuar në pikën 4, nenin 41, të ligjit nr. 84/2016, i cili parashikon se: ‘Vlerësimi i aftësive profesionale mund të shtrihet nga 1 janari i vitit 2006 e në vazhdim, sipas informacionit që disponohet për etikën dhe aftësitë profesionale të subjektit”, vëren Çiftja dhe kërkon që këto shkelje të merren në konsideratë në vlerësimin profesional.

Ajo ka gjetur probleme dhe në denoncimet e kryera nga publiku, konkretisht zvarritje të hetimeve; mosrespektim të afateve procedurale dhe të afateve të lëna nga gjykata për kryerjen e veprimeve hetimore; mosarsyetim të vendimeve për zgjatjen e afatit të hetimeve, etj..

Në përfundim, kryesuesja Etleda Çiftja çmon se subjekti ka treguar cilësi të papranueshme në punë, gjykim të dobët, nuk ka respektuar të drejtat e palëve dhe se duhet shkarkuar për problemet e evidentuara në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *